Insajderi
Lajme

“Hekurishtja në mes të shtëpive në Banjë” – banorët denoncojnë rrezikun, institucionet “ia hedhin” topin njëra-tjetrës

Insajderi
24 February 2026 - 16:18
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Hekurishtja në mes të shtëpive në Banjë” – banorët denoncojnë rrezikun, institucionet “ia hedhin” topin njëra-tjetrës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Fshati Banjë i Malishevës po përballët me një rrezik mjedisor. Një deponi hekurishtesh operon në mes të shtëpive. Banorët thonë se janë të rrezikuar. Institucionet nuk po ndërhyjnë.

Banorët e rrugës “Jakup Begu” në fshatin Banjë janë ngritur në alarm. Përmes një denoncim të dërguar në Insajderi, ata akuzojnë për një hekurishte që po ua rrezikon jetën.

“…një hekurishte e paligjshme me grumbullim të materialeve metalike dhe mjeteve jashtë funksionit, e vendosur brenda zonës së banuar, pranë shtëpive familjare, afër tokave bujqësore, pranë lumit dhe mullirit, si dhe në afërsi të puseve për ujë të pijshëm që përdoren nga banorët“, thuhet në ankesën e qytetarit.

Pamjet satelitore konfirmojnë se grumbullimi i mjeteve metalike ndodhet vetëm pak metra larg objekteve të banimit dhe tokave bujqësore.

“Po ankohem lidhur me mosveprimin dhe mungesën e reagimit nga ana e Policisë së Kosovës, pas njoftimit tim për një situatë që paraqet rrezik serioz për sigurinë publike”.

Ministria: Nuk kemi bërë inspektime në 3 vitet e fundit

Në një përgjgije për Insajderin, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësninor dhe Infrastrukturës ka dhënë detaje mbi subjektin “Euro Lindi”.

Ndonëse Ministria lëshon pëlqime mjedisore, ajo ka pranuar për një mungesë të kontrollit në terren.

“Në tri vitet e fundit, sipas evidencave që posedoj, nuk e kemi inspektuar këtë kompani,” thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

 Sa i përket operimit në zonë banimi, Ministria ia ka hedhur topin Komunës, duke u shprehur se “Komuna lëshon dokumentin me të cilin konstaton se objekti nuk bie në kundërshtim me planin urbanistik”.

Lidhur me ndotjen e ujit, Ministria deklaroi se KRU “Hidroregjioni Jugor” nuk ka shprehur shqetësime deri më tani. Megjithatë, pas denoncimit të banorëve më 6 shkurt 2026, Ministria ka njoftuar se më 18 shkurt rasti i është përcjellë inspektorit kompetent për realizimin e inspektimit në terren dhe ndërmarrjen e masave ligjore.

Komuna e Malishevës: Biznesi ka leje, por po i largon mjetet nga rruga

Komuna e Malishevës ka konfirmuar se subjekti është i pajisur me Pëlqim Mjedisor nga MMPH në nëntor të 2024-ës.

Pas inspektimit komunal me 9 shkurt të 2026-ës, është konstatuar se pronari ka nisur largimin e disa automjeteve të vjetra që kishin zënë rrugën.

Komuna ka udhëzuar subjektin që të vazhdojë procedurat administrative pranë Inspektoratit Mjediosr në Prishtinë.

“Disa automjete të vjetra te cilat janë vendosur me brezin e rrugës, tani pas vërejtjes së inspektoratit, është duke i larguar. Pas ankesës të një banori, i cili e ka bërë ankesën përmes emalit, me datë 05/02/2026, Inspektorati komunal me datë 09/02/2026 ka inspektuar subjektin afarist dhe i ka dhënë urdhëresë që të vazhdoj me procedurat tjera administrative në Inspektoratin mjedisor të MMPH-Prishtinë pasi qe veprimtaria që e zhvillon ky subjekt afarist, është në kompetencë të Inspektoratit Mjedisor të MMPH“, thuhet në përgjigjen e komunës për Insajderin.

Çka tha pronari i hekurishtes?

Për rastin, Gazeta ka kontaktuar edhe pronarin e subjektit “Euro Lindi”, Shemsi Shala, i cili ka zgjedhur të mbrohet duke i cilësuar denoncuesit si “disa individë që bredhin poshtë e lartë”.

Ai insiston që çdo gjë është mbuluar me dokumentacion dhe se po punon për të përmirësuar gjendjen në terren.

“Unë e kam me pëlqim mjedisor dhe me të gjitha dokumentet, por ne jemi duke i rregulluar gjërat gradualisht. I kam pasur lënë disa makina rreth rrugës, por tani i kam hequr ato dhe i kam futur brenda,” deklaroi Shala.

Ai u ankua se pavarësisht investimit në një objekt trikatësh dhe rezervuarë, as Komuna e as Ministria nuk i kanë bërë zgjidhje për mbeturinat për 7 vite rresht.

Sa i përket inspektorëve, Shala u shpreh: “Këta të mjedisit ka kohë që nuk kanë qenë, por ne jemi duke i rregulluar gjërat avash-avash. Inspektorëve të Komunës u thashë: ‘Më jepni kohë sa t’i largoj këto makina prej rruge'”.

I pyetur edhe nga Insajderi se kur do t’i largojë veturat nga rruga ai u shpreh “Më duhet edhe një ditë kohë dhe nuk do të ketë më asnjë jashtë”.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, “Euro Lindi”, me pronar Shemsi Shalën, figuron e regjistruar që nga viti 2014. Me aksionarë Fadil Shalën, Avni Shalën dhe Shemsi Shalën.

Me aktivitet “rikuperim i materialeve të klasifikuara”.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark