×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Heqja e vetos në BE, si zgjidhje për zgjerim më të shpejtë

    Insajderi
    04 June 2023 - 17:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në kohën kur në Bashkimin Evropian thonë se “është krijuar një moment i ri për zgjerimin” pasi Ukraina dhe Moldavia kanë marrë statusin e kandidatit, ndërsa një status i tillë i është premtuar edhe Gjeorgjisë, janë rritur zërat për heqjen e vetos në procesin e marrjes së vendimeve në Këshillin e BE-së.

    Këto propozime arsyetohen me faktin se edhe tash kur BE-ja ka 27 shtete anëtare po dëshmohet se është e vështirë të miratohen vendimet, ndërsa po të pranohen edhe shtetet tjera, do të bëhet edhe më vështirë.

    Së fundi, thirrjeve që për disa çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë të hiqet vetoja dhe të kalohet në votimin me shumicë të kualifikuar, u është bashkuar edhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

    Më herët thirrje të tilla ka bërë edhe presidenti i Francës dhe shumë zyrtarë tjerë të lartë të BE-së. Këto propozime janë në përputhje edhe me kërkesat e qytetarëve të vendeve të Bashkimit Evropian që janë shprehur gjatë të ashtuquajturës “Konferencë për të ardhmen e Evropës“.

    Mbështetësit e heqjes së vetos thonë se BE-ja së pari duhet të reformohet përbrenda në mënyrë që të jetë e gatshme për t’u zgjeruar. Të tjerët thonë se heqja e vetos do ta bënte BE-në më funksionale, ndërsa zëri i saj në botë do të ishte më i respektuar dhe ndikimi do të rritej.

    Bashkimi Evropian, aktualisht, për secilin vendim në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë duhet ta bëjë me konsensus. Kjo ka bërë që shpesh vendimet të bllokohen nga ndonjë shtet anëtar, edhe kur të gjitha tjerat ishin në favor.

    Edhe në procesin e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë ka shpesh raste kur disa shtete vonojnë vendimet ose i bllokojnë në tërësi. Hungaria është përmendur më së shpeshti si shembull.

    Në këtë mënyrë këto sanksione bëhen më pak efikase.

    Në BE, aktualisht, për rreth 80 për qind të vendimeve kërkohet shumica e kualifikuar, ndërsa për pjesën tjetër është ruajtur e drejta e vetos, përfshirë edhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë, që ku hyn edhe procesi i zgjerimit.

    Sipas formulës së vendosjes me shumicë të kualifikuar për të kaluar një vendim duhet të votojnë në favor së paku 55 për qind të shteteve anëtare (së paku 15 vende anëtare të BE-së) me kushtin që ato të përfaqësojnë së paku 65 për qind të popullsisë së BE-së.

    Kjo do të thotë se katër vende të mëdha, për shembull Gjermania, Franca dhe dy tjera, mund ta formojnë të ashtuquajturën “pakicën bllokuese” dhe të bllokojnë një vendim edhe në rastet kur 23 shtete mund të jenë në favor. Kjo bën që shtetet e mëdha të kenë pak më shumë mundësi sesa ato të vogla.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark