Shumë futbollistë shqiptarë kanë ndërtuar një karrierë të suksesshme, ku deri më tani kanë fituar mjaftueshëm për ta bërë një jetë të mirë edhe pas përfundimit të karrierës.
Njëri nga futbollistët më të mirë viteve të fundit të Përfaqësueses së Kosovës, Herolind shala ka bërë diçka të bukur edhe jashtë fushave të blerta.
Edhe pse ai është duke luajtur për klubin turk Erzurumspor dhe është i ngarkuar rreth karrierës së tij, ai po gjen kohë që të merret me botën e NFT apo siç njihet ndryshe si bota e parasë digjitale.
Shala ka krijuar një NFT të cilën e ka quajtur Panda Ballers dhe nga dita e premte ajo do të jetë në dispozicion për ta blerë atë njerëzit që merren me paranë digjitale.
Për çka përdoret NFT?
NFT përdoret si shkurtim për fjalët non-fungible token, një njësi unike cryptocurrency. Është një çertifikatë për një pronë dixhitale dhe regjistrohet në blockchain.
Kështu pronari i një NFT zotëron një aset të çfarëdoshëm dhe provën e pronësisë së këtij aseti.
Si funksionon NFT?
Shumica e NFT janë pjesë e Etherum Blockchain. Etherum është një cryptocurrency si Bitcoin ose Dogecoin, por blockchain i saj suporton gjithashtu këto NFT, të cilat përmbajnë një informacion ekstra. NFT mund të jetë çdo gjë dixhitale si pikturat, muzika etj.
Në një intervistë për Gazetën Olle, Shala ka treguar se si ka ardhur deri te ideja për të pasur një NFT të tijën personale.
“Unë kam qenë prej kohësh i interesuar për krypto dhe me teknologjinë. Dhe mendova një dit ta krijoj NFT koleksionin tim ne blockchainin e Ethereumit sepse krypto dhe NFT është e ardhmja”, tha fillimisht Shala për Gazetën Olle.
Tutje ai zbuloi se pse vendosi që koleksioni i tij të jetë me Panda, ku tha se një pjesë të fitimit do ta transferojë në ndonjë fondacion që fokusohet tek kjo kafshë.
“Unë e kam zgjedhur ta krijoj një koleksion me Panda sepse Pandat janë një specie e rrezikuar ku 90% e specieve tani jetojnë në kopshte zoologjike dhe janë të rregulluara për ekzistencë të mëtejshme”.
“Kafsha në fjalë më ka interesuar gjithmonë, dhe me gjithë fokusin te majmunët dhe kafshët e tjera në botën e NFT, mendova pse jo. Nëse projekti shkon mirë, paratë do të transferohen edhe në një fondacion që fokusohet te Pandat”, vazhdoi tutje Shala.
Kjo është faza e parë e projektit të Herolind Shalës në botën e parasë digjitale, derisa nëse gjithçka shkon mirë ai do të vijë me një fazë të dytë e cila pritet të jetë një projekt shumë më i madh.
“Kjo është ajo që unë kam zgjedhur të quaj një fazë të parë të projektit tim NFT. Faza e dytë në fund të vjeshtës do të shënohet nga fakti se ata që blejnë Panda në fazën 1 herët, do të kenë avantazhe të mëdha në projektin e Fazës 2, ku do të kalojmë edhe në botën e Metaverse”, vazhdoi tutje Shala.
30-vjeçari ka bërë një karrierë shumë të mirë deri më tani, ku pas fillimit të saj në Norvegji me klubet si Notodden e Odd, luajti edhe në Republikën e Çekisë me Sparta Pragën e Slovan Liberecin, në Turqi me Kasimpasan e Erzurumspor ku është aktualisht, derisa ka bërë karrierë edhe tek Lyngby në Danimarkë si dhe tek skuadrat tjera norvegjeze si Start, Stabaek e Valerenga.
Reprezentuesi kosovar ka luajtur për grupmoshat e Norvegjisë nga U17 deri U21, derisa për Shqipërinë për U21 dhe Kombëtaren A, para se në vitin 2016 t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës.
Përveç që ka dhënë kontribut shumë të madh në fushë, Shala është një njeri me vizion dhe një biznesmen i ri, pasi ai tani e një vit ka nisur të merret edhe me patundshmëri në Kosovë, ku ka filluar ndërtimin e një kompleksi gjigant në kryeqytetin kosovar.