Ditët e fundit thashethemet dukej se kishin filluar të merrnin formë. U sugjerua se “France Football” po përgatiste dorëzimin e një “Super Top të Artë”, me Leo Messin si marrës, diçka që ka mbetur një koment, apo një dëshirë e thjeshtë për disa.
Ajo që argjentinasi do të marrë të hënën mbrëma është “Topi i Artë” i tetë në karrierën e tij, diçka superlative në vetvete dhe që e distancon përfundimisht nga Cristiano Ronaldo dhe lufta e mbajtur nga të dy në dy dekadat e fundit. CR7 ka mbetur në pesë dhe në këtë edicion ai nuk është as në mesin e tridhjetë finalistëve.
Duke u rikthyer te “Super Topi i Artë” duhet thënë se është dhënë vetëm një herë dhe fitues ka qenë Alfredo di Stéfano. Ishte njohja e një lojtari që shënoi një epokë dhe u njoh si i tillë. Kjo ndodhi në vitin 1989 dhe që nga ai moment një çmim i tillë nuk është përsëritur.
E vërteta është se vetë trofeu mbetet i panjohur. Së bashku me sende të tjera nga Alfredo di Stéfano, “Super Topi i Artë” u hodh në ankand në vitin 2021 përmes kompanisë amerikano-veriore “Julien’s Actions”. Dy “Topat e Artë”, të fituara në vitet 1950 dolën në shitje edhe në një ankand të organizuar në Londër.
Për shumë vite ai u ekspozua në muzeun e Real Madridit, por pas vdekjes së ish-futbollistit, familja vendosi të nxjerrë në shitje deri në 600 relike, që lidheshin me lojtarin më të mirë në botë në kohën e tij. Çmimi i “Super Topit të Artë” arriti në 211 mijë dollarë.
Ashtu si në shumë vepra arti, e vetmja gjurmë që mbetet janë paratë e paguara, pasi destinacioni aktual i një trofeu të tillë nuk dihet, diçka që vetëm Alfredo di Stéfano e ka arritur dhe që tani për tani, askush nuk duket se mund ta arrijë.