×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Historia interesante e Kuranit të vogël që ruhet me gjenerata nga familja shqiptare

    Insajderi
    26 April 2023 - 20:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Rituali është gjithnjë i njëjtë. Mario Prushi me kujdes lan duart dhe fytyrën para se ta puthë dhe ta mbajë një nga Kuranet më të vegjël në botë.

    Për gjenerata, libri me përmasa të pullës postare është kaluar në familjen e tij – duke i mbijetuar luftërave, shkroi AFP.

    Studiuesit thonë se është një nga Kuranet më të vegjël, me librin e shenjtë të vogël që mbahet brenda një kutie argjendi të nxirë me kohën.

    “E kemi mbajtur gjeneratë pas gjenerate me përkushtim të plotë”, i ka thënë Prushi AFP-së në shtëpinë e tij në Tiranë.

    Vetëm 2 centimetra i gjerë dhe 1 centimetër i trashë, libri gati humb në shuplakën e dorës së Prushit, dhe mund të lexohet me një xham të vogël zmadhues të futur në kutinë e tij.

    Është vështirë të kuptohet data e Kuranit në mungesë të analizave shkencore, por sipas Elton Karajt – një studiues i Kuranit në Universitetin Beder në Tiranë – kopja 900-faqëshe ka qenë rreth e rrotull që nga të paktën shekulli 19.

    “Ky Kuran ishte prodhuar në një format shumë të vogël, një nga më të vegjlit në botë. Nga dukja e tij, publikimi daton në fund të shekullit 19. Është një punë e jashtëzakonshme, shumë e vlefshme. Është fat që kjo kopje është në Shqipëri”, ka thënë Karaj.

    Por, madhësia nuk është e vetmja gjë e mahnitshme e Kuranit. Është po ashtu përgjegjës për konvertimin e familjes Prushi nga katolicizmi në islam.

    “Të parët e mi po gërmonin tokën për një shtëpi të re në rajonin e Gjakovës të Kosovës kur gjetën trupin e ruajtur në mënyrë perfekte të një njeriu të varrosur atje”, ka thënë Prushi.

    “Kurani u gjet i padëmtuar mbi zemrën e tij”.

    Familja e mori zbulimin si një shenjë hyjnore dhe e përqafoi islamin.

    Gjyshi i tij, një oficer në ushtrinë e Mbretit Zog në vitet 1930, e dinte arabishten dhe i ftonte miqtë në shtëpinë e tij çdo natë që të lexonin ajete nga ai.

    Vite më vonë, nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës – i cili ndaloi tërësisht të gjitha format e fesë dhe i dërgoi në burg të gjithë besimtarët praktikues – libri mbijetoi sepse mund të fshihej lehtësisht.

    “Dikush e njoftoi policinë se ne e mbanim një Kuran në shtëpi, por ai ishte aq i vogël sa babai im ia doli ta fshihte. Oficerët lëvizën tokë e qiell por nuk e gjetën”, ka treguar Prushi.

    Pas incidentit, babai i Prushit, Skenderi, vendosi t’ua besonte atë miqve të tij në Kosovë duke e dërguar përtej kufirit në një kamion plot me qymyr.

    Ai e mori librin e shenjtë sërish vetëm pas luftës në Kosovë në vitin 1999, të cilin e kishin futur nën dhe për ta shpëtuar nga luftimet.

    Prushi e trashëgoi Kuranin pas vdekjes së të atit në vitin 2012.

    “Libri i vogël bart shumë histori, bekime dhe mrekulli. Është shumë i dashur për mua”, ka theksuar Prushi.

    “Sa herë që e prek, emocionohem”, ka thënë bashkëshortja e tij, Blerina.

    “Kur ndodh diçka e keqe ose kur vajza jonë sëmuret, ndihemi të qetësuar, ne e dimë se Kurani do të na mbrojë, është një hajmali e vërtetë”, ka shtuar ajo.

    Familja ka pranuar oferta të panumërta, përfshirë ato nga muzetë.

    “Kurrë nuk e mendoj ta shes”, ka thënë Prushi. “Ky Kuran i përket familjes sonë dhe do të qëndrojë përgjithmonë me ne”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark