Prodhuesi europian i avionëve, Airbus, deklaroi se do ndalojë prodhimin e avionëve A380. Ky i fundit është avioni më i madh për pasagjerë në botë. Vendimi erdhi pasi Emirates, klienti më i madh i A380 reduktoi kërkesën. Por përse dështoi A380?
Kur Singapore Airlines ngriti në ajër për herë të parë në vitin 2007 avionin A380, pati zëra se e ardhmja e udhëtimit ajror sapo kishte mbërritur. Por programi i Airbus, me vonesa të shumta dhe buxhet të tepërt, nuk i hoqi kurrë nga vetja akuzat se do ishte një ‘elefant i bardhë’ në qiell.
Por përse dështoi avioni më i madh i pasagjerëve, i njohur edhe si ‘hoteli në qiell’, vetëm pas 12 vitesh prodhim?
A380, krahët e të cilit prodhohen nga Airbus UK, ishte një sfidë e hapur për rivalin amerikan, Boeing, që dominonte në tregun e avionëve të mëdhenj. Teksa Airbus ishte një bast multi-miliardash se kompanitë ajrore do të kërkonin gjithmonë e më shumë avionë të mëdhenj, rivali i tyre Boeing po prodhonte avionin e vogël dhe dukshëm të suksesshëm, 787 Dreamliner.
Me kapacitet për mbi 550 pasagjerë dhe me një distancë fluturimesh mbi 8 mijë milje detare, A380 ishte i destinuar për tregun në ritje të Azisë dhe Lindjes së Mesme, ku linjat ajrore duan të transportojnë sa më shumë njerëz në një fluturim.
Modeli A380 ofronte edhe më shumë se 500 metra katrorë sipërfaqe të shfrytëzueshme, që përdorej për suita të klasit të parë, bare, sallone bukurie apo edhe dyqane ‘duty-free’.
Por pas një vërshimi fillestar kërkesash, veçanërisht nga kompania Emirates me qendër në Dubai, nisi rënia dhe programi nuk sillte më fitime. I gjithë programi mendohet se ka kushtuar 25 miliardë dollarë dhe ka sjellë mjaft debat për subvencionet mes qeverive gjermane dhe franceze.
Vitin e shkuar, Organizata Botërore e Tregtisë tha se BE nuk po i zbaton kërkesat që të ndalojë subvencionet ndaj kompanisë Airbus, duke shtuar tensionet mes unionit dhe SHBA.
Deri në janar, Airbus kishte marrë 313 kërkesa për avionët A380, duke dërguar 234. Objektivi ishte të shiteshin 700 copë.
Për ironi, avionët me dy kate janë të pëlqyer nga pasagjerët, por linjat ajrore i shohin si jo-efiçientë.
Disa thonë se avioni A380 është shumë i madh, duke sjellë humbje në rast se shumë vende mbeten të pambushura. Javën e shkuar, Willie Walsh nga kompania BA tha se avioni është i mirë, por shumë i shtrenjtë.
Ndërsa çmimet e karburanteve po rriten dhe aktivistët po ngrenë pikëpyetje mbi ndikimin në mjedis të avionëve, linjat ajrore po blejnë më shumë avionë të vegjël dhe efiçientë, të prodhuar nga Airbus dhe Boeing.
Që prej vitit 2005, në total 57 porosi për A380 janë anuluar nga linjar ajrore. Një version për transport mallrash nuk doli kurrë në fluturim për shkak të mungesës së interesit.
Nuk është çudi që spekulimet se projekti do mbyllej vazhduan për vite, edhe pse disa ekspertë thonë se kompania mund të prodhonte një numër të kufizuar me A380.
Megjithatë, vendimi nga klienti më i madh, Emirates, për të ulur kërkesën duket se i vu vulën.