Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të mblidhet urgjentisht për të debatuar dhe për të shprehur qëndrimin institucional lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Hoti, përmes një njoftimi, ka thënë se sot është dita e gjashtë e protestave pas aktgjykimit, ndërsa Kuvendi ende nuk është mbledhur për të diskutuar zhvillimet dhe për të shprehur qëndrimet e grupeve parlamentare dhe të Qeverisë.
“Duke respektuar plotësisht pavarësinë e sistemit gjyqësor, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar”, ka shkruar Hoti.
Ai ka kërkuar që Kuvendi të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Republikës së Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit në shkallën e dytë.
Sipas Hotit, Kuvendi duhet ta bëjë të qartë se “askush nuk mund ta kriminalizojë luftën e popullit të Kosovës për mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe për liri”.
Ai gjithashtu ka kërkuar nga Kuvendi që ta obligojë Qeverinë për një mobilizim të plotë diplomatik me aleatët ndërkombëtarë që kanë kërkuar dhe mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara, në mënyrë që shqyrtimi në shkallën e dytë të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë plotësisht standardet e drejtësisë.
“Populli i Kosovës nuk është duke heshtur. Ai po proteston natë e ditë në sheshin e Prishtinës. Nuk duhet të heshtin as institucionet që kanë mandat të kujdesen për ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e çdo akti që lëshohet NË EMËR TË POPULLIT TË KOSOVËS”, ka deklaruar Hoti.
Deputeti i LDK-së ka insistuar që Kuvendi të mblidhet urgjentisht dhe ta obligojë Qeverinë të veprojë.
“Shteti i Kosovës duhet të flasë qartë dhe me një zë në mbrojtje të dinjitetit të luftës çlirimtare dhe të interesit shtetëror të Kosovës, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e organeve të drejtësisë”, ka thënë Hoti.
Në fund, Hoti e ka cilësuar situatën si moment për “përgjegjësi institucionale, unitet dhe veprim të koordinuar shtetëror”.