×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Hovenier: Kemi besim të plotë në BE-në si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi

    Insajderi
    20 September 2023 - 10:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shtetet e Bashkuara kanë besim të plotë në Bashkimin Evropian sa i përket ndërmjetësimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kështu deklaroi ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, gjatë një fjalimi të mbajtur në edicionin e dytë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë që po mbahet në Prishtinë.

    “SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë [të BE-së, Josep] Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, tha Hovenier.

    Deklarata e Hovenierit vjen dy ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, drejtoi akuza ndaj Lajçakut, që e cilësoi si ndërmjetësues të njëanshëm.

    Kurti tha se gjatë rundit të fundit të dialogut – të mbajtur në Bruksel më 14 shtator – dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

    Ai tha se në këtë takim, ku kryeministri kosovar paraqiti një plan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit që tha se u refuzua nga BE-ja dhe Serbia, Lajçaku “u pozicionua” kundër Kosovës.

    “Është e rëndësishme që të gjithë aktorët në këtë operacion, në këtë proces, të pranojnë procesin në të cilin janë dhe të luajnë poker me letrat që u kanë rënë. Dhe të kenë në mendje këtë vizion, puna për normalizimin e raporteve, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Aneksit, nga të dyja palët, gjë që është pritja jonë, është rruga përpara. Kjo e sjell Kosovën më afër vizionit që ne ndajmë për integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike”, tha Hovenier më 20 shtator.

    Bashkimi Evropian më 19 shtator tha se nuk komenton deklaratat e Kurtit, që sipas bllokut përmbajnë “akuza të pabaza”. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Lajçaku dhe Borrelli – ndërmjetësuesit evropianë të dialogut – kanë mbështeten e shteteve anëtare të BE-së./REL/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark