Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj ka mbajtur tubim elektoral në Kaçanik, ku ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes.
Hoxhaj ka thënë se dhimbja për ish-liderët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin është kthyer në forcë dhe vullnet për PDK-në.
“Ju mund të pyesni se pse keni lënë emrin “Rimëkëmbje”. Për t’iu treguar të gjithëve se kush e merr në këmbë Partinë Demokratike të Kosovës ne e ngritim në këmbë dhe e ngritim shtetin e Kosovës. Rimëkëmbja është politike, arsimore, shëndetësore dhe nuk ka parti që ka program më të qartë se Partia Demokratike e Kosovës. Qytetarët e dinë që kush e voton PDK-në ka votu për katër vjet, kush voton partitë tjerë, voton për dy-tri javë”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka theksuar se me PDK-në në pushtet do të përmbyllet procesi i shtetndërtimit të Kosovës dhe do të ndodhë anëtarësimi në OKB.
“Edhe Qeveria Kurti që ishte shkurti, edhe Qeveria Hoti që ishte koti krejt çfarë kanë bërë kanë izoluar këtë vend, sepse nuk kanë ide dhe vetëdije shtetërore. Dhe disa prej tyre nuk i kanë besuar këtij vendi. Unë kur kam qenë ministër i Punëve të Jashtme dhe kam shkuar nëpër botë për njohjen e Kosovës, më thonin binde një herë kryetarin e opozitës për shtetësinë e Kosovës. Ne jemi partia që do të përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës me anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka shtuar ai.
Hoxhaj ka premtuar rritje të pensioneve dhe të pagave për të gjitha kategoritë, si dhe ka thënë që në qeverinë e tij për herë të parë një ministër do të jetë nga Kaçaniku.
“Për këto tema e kam ftuar Albin Kurtin me fol në debat, por ai i ikte në debat. Ai nuk mendon për juve, ai nuk ka propozime konkrete. Ai mund të vjen të marshon në Kaçanik, por nuk ka propozime se çfarë do të bëjë për Kaçanik. Me mua kryeministër, për herë të parë Kaçaniku do të ketë ministër në qeveri të vendit.”, ka theksuar ai.