Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka qenë mbrëmë i ftuar në emisionin Pressing të T7, ku ka folur rreth refuzimit të Kurtit që të debatojë me të, deklaratës së Glauk Konjufcës për tërheqjen e ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi, sondazhet për rezultatin e zgjedhjeve dhe idesë për bashkim me Shqipërinë.
Hoxhaj thotë se me refuzimin e ftesës për debat, Kurti ka injoruar qytetarët e Kosovës.
Hoxhaj edhe mbrëmë ka ripërsëritur ftesën për debat për Kurtin.
“Unë mendoj se kam përvojë politike, kam përgatitje të duhur profesionale dhe kam kapacitet intelektual me z.Kurti të ballafaqohem me çdo temë të politikës së brendshme dhe të jashtme dhe të flasim për tema të tilla komplekse që janë.
Zhvillimi ekonomik, shëndetësia, siguria, arsimi e deri te temat e politikave të jashtme por ai nuk më ka injoruar mua, mendoj që ai ka injoruar qytetarët e Kosovës sepse fushata do të kishte një dinamikë krejt tjetër nëse do të kishte një ballafaqim të mirëfilltë mes nesh”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka treguar edhe pse nuk pranon një debat me Avdullah Hotin, kandidat i LDK’së për kryeministër.
“Arsyeja pse nuk e kam ftuar Hotin është se PDK’ja ka rival të zgjedhjeve vetëm Vetëvendosjen, jemi në garë me VV’në. Unë mendoj që do të jemi fitues të këtyre zgjedhjeve, do të jem kthesë në këto zgjedhje”, tha Hoxhaj në Pressing.
Kandidati i PDK’së për kryeministër ka folur edhe sondazhet që po bëhen për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Sipas tij, sondazhet që po bëhen janë të porositura.
Madje ai tha se e di edhe kush i porositë ato dhe se si prezantohen në publik, shkruan Express.
“Unë po i shoh sondazhet që po bëhen, janë të porositura. Unë jam që 18 vjet në politikë, e di si porositen sondazhet. E di kush i porositë ato, si prezantohen. Nuk jam të merrem me sondazhet, sepse ato i bëj vet sepse jam në terren”, është shprehur Hoxhaj.
Rishqyrtimi i Ambasadës, Hoxhaj thotë se Konjufca është i ri në këtë sport e s’merr vesh
Hoxhaj i ka komentuar deklaratat e kandidatit për deputet nga radhët e LVV’së, Glauk Konjufca, për tërheqjen e ambasadës së Kosovës nga Jeruzalemi, në rast se BE’ja e kërkon atë.
Ai ka deklaruar se Konjufca është i ri në fushën e diplomacisë, teksa ka përdorur një term nga zhargoni sportiv për ta përshkruar atë.
“Deklarata e tij është totalisht jo-serioze. Ne duhet ta njohim të drejtën e Izraelit që ta ketë Jeruzalemin kryeqytet. Z. Konjufca është i ri në këtë aktivitet sportiv dhe ai nuk e merr vesh”, deklaroi ai.
“Ku e ka ambasadën Amerika, aty do ta ketë edhe Kosova. Amerika është ylli polar se si PDK sillet në politikë të jashtme. A ka mbërri qeveria aktuale ta keq-menaxhoj këtë situatë? Po. Është dashur të komunikohet me vende Arabe, t’i thuhet që ne kemi interes që të kemi njohje të ndërsjellë”, ka potencuar ai.
Konjufca, sa po shpalosej plan programi politik i VV’së, ka thënë se duhet të ri-shqyrtohet vendimi i zhvendosjes së ambasadës kosovare në Jeruzalem të Izrealit, në rast se BE’ja ia kërkon një gjë të tillë.
“Ekziston mundësia e një konfederate duke ruajtur shtetësinë tone”
Ai është deklaruar edhe për idenë ku Kosova mund të përfundojë brenda një konfederate me Shqipërinë.
Hoxhaj ka thënë se Kosova nuk mund të qëndrojë në pafundësi si një shtet i pa përmbyllur.
“Duhet çdo kush ta kuptojë në rajon dhe Evropë se ne nuk mund të qëndrojnë në pafundësi një shtet i pa përmbyllur”, është shprehur Hoxhaj.
Tutje, ai tha se një ekziston mundësia që Kosova të përfundojë në konfederatë me Shqipërinë.
“Mundësia e një konfederate duke e ruajtur shtetësinë tonë. Konfederatë me Shqipërinë. Kjo është temë që do duhej të diskutohej përtej debatit zgjedhor. Temë që do duhej të diskutohej më shtruar”, ka thënë Hoxhaj në T7.
Ai gjithashtu sqaroi se mundësia e bashkimit me Shqipërinë është opsion sekondar.
“Derisa të kemi Administratën Biden, Administratën Merkel dhe Brukselin, unë mendoj se ky duhet të jetë opsioni i parë, pra për t’u anëtarësuar në OKB. Konfederata me Shqipërinë duhet të shqyrtohet si opsion sekondar”, shtoi Hoxhaj.
Hoxhaj për akuzat e Fatmir Limajt: Në Nisma nuk njihen për lexim librash
Kandidati i PDK’së për kryeminsitër ka folur lidhur me akuzat që po ia bën Fatmir Limaj dhe partia e tij.
Limaj po e akuzon Hoxhajn lidhur me një citat të një libri të cilin e ka botuar ky i fundit. Ndërkohë që Hoxhaj tha se Nisma nuk njihen për lexim librash.
“Nuk besoj e kanë lexu të gjithë librin. Nisma nuk dallohet për lexim të librave”, është shprehur Hoxhaj.
Tutje, Hoxhaj sqaroi pse nuk hyri në një koalicion me Nismën, temë për cilën ishin takuar.
“Jemi takuar, nuk ka pasur vullnet nga kryesia e PDK’së. Detyrë e imja është që t’i përfaqësojë interesat e PDK’së. Unë bëj betejë cdo ditë në terren, që të marrë sa më shumë mbështetje me PDK’në”, ka thënë Hoxhaj.
“Shumë anëtarë të Nismës po i bashkohen PDK’së, përpjekja e vetme e tyre për ta ndalur këtë largim të anëtarëve të tyre, pastaj po merren me mu”, shtoi Hoxhaj.
Hoxhaj tregon se si PDK do t’i sjell vaksinat anti-Covid në Kosovë
Ai ka folur për sigurimin e vaksinës kundër Covid-19 nga Kosova. Premton se do të bëjnë gjënë më të mirë në këtë drejtim.
“Vaksinat nuk i siguron shefi i QKUK’së as drejtorët e spitaleve rajonale dhe madje s’besoj se dikush prej kundër-kandidatëve të mi mund të jetë më i shkathtë në kontakte më ditore të komunikimit dhe më i vendosur që ta sjell vaksinën”, tha Hoxhaj në Pressing.
“Për këtë unë do të bëj çkado që është e mundur”, shtoi ai.
“Unë edhe sot kam komunikuar me 3-4 miq që mund të ndihmojnë në të ardhmen që të sillet vaksina”, tha Hoxhaj.
“Planifikojmë që t’i kemi përafërsisht 30 qendra të cilat mund ta vaksinojnë një pjesë të madhe të popullatës. Parashihet që të ketë një pako për ata që mund të infektohen me virus”, shtoi ai./Gazetaexpress/