×
  • Lajme
  • Insajderi

    Hoxhaj në Lipjan premton pako mbështetëse për të infektuarit me Covid dhe vaksinim për 70 për qind të popullatës brenda vitit

    Insajderi
    06 February 2021 - 18:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj ka mbajtur tubim elektoral në Lipjan, ku ka prezantuar programin qeverisës duke u zotuar për Rimëkëmbje ekonomike pas goditjes nga pandemia dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

    Hoxhaj duke thënë se PDK është e vetmja parti që ka plan konkrekt për zhvillim ekonomik premtoi rritje të pagës minimale në 300 euro.

    “Ne duam që të mirremi me ekonomi sepse pandemia ka goditur ekonominë dhe nuk mund ta rrisim territorin e Kosovës, por mund ta rrisim ekonominë e vendit. Mund ta rrisim mirëqenien dhe nuk ka parti politike e cila ka plan më të qartë se çka don për të zhvilluar ekonominë, për t’i ndihmuar ndërmarrjet e vogla, ndërmarrjet e mesme, ndërmarrjet e mëdha, për të krijuar vende të reja të punës, për ta bërë pagën minimale në sektorin privat deri në 300 euro, sikurse Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë ai.

    Hoxhaj ka thënë se me PDK-në në pushtet, 70 për qind e popullatës në Kosovë do të marrë vaksinën anti-Covid brenda vitit 2021.

    “Me qenë në qeveri dhe me premtu në fushatë zgjedhore vaksinën, është e turpshme. Eshtë në qeveri dhe thotë unë jam në fushatë zgjedhore dhe tash po u sjellim vaksinën. As zoti Kurti as zoti Hoti, i pari i cili ka lejuar teste në veri prej Serbisë ato kanë qenë me prejardhje prej Kinës, e ky i dyti i cili ka pranuar vaksina prej Serbisë me prejardhje prej Rusisë, nuk mund ta sjellin vaksinën në Kosovë. I vetmi njeri i cili ka kontakte, i cili e njeh botën, i cili është në gjendje të vaksinojë gjysmën e popullatës, me mbështetje të Ministrisë së ardhshme të Shëndetësisë gjatë vitit 2021 jam unë”, ka thënë ai.

    Hoxhaj ka theksuar se do të krijojnë 30 qendra të vaksinimit në nivel vendi dhe do të ofrojnë pako mbështetëse për çdo të infektuar.

    “Ne kemi një plan të qartë që ne vitin e parë t’i kemi 30 qendra të vaksinimit në nivel të vendit, e kemi një hartë të qartë kemi folë me disa vende që të sillet vaksina sa më shpejtë në Kosovë që ta ruajmë shëndetin tuaj dhe e kemi programin më të qartë se çka do të bëjë PDK, që të ballafaqohemi me Covidin. Për çdo të infektuar ofrojmë pako mbështetëse, sepse ju e dini sa shpenzimet e larta janë për dikë që e merr virusin sikurse ata që do të ballafaqohen me sëmundje kronike ofrojmë 530 lloje të barnash falas”, ka thënë Hoxhaj.

    Tutje, Hoxhaj ka takuar qytetarët në Shalë të Lipjanit, me të cilët ka diskutuar rreth planit të Rimëkëmbjes së vendit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark