×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoxhaj nga Vitia: PDK-ja i ka vendos themelet e shtetit, do ta anëtarësojë Kosovën edhe në OKB

    Insajderi
    05 February 2021 - 20:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, sonte e ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes edhe para qytetarëve të Komunës së Vitisë.

    Hoxhaj nga Vitia ka thënë se vetëm PDK-ja ka plan konkret si ta rimëkëmbë vendin nga pandemia COVID-19 dhe ka theksuar se vetëm me PDK-në mund të anëtarësohet Kosova në OKB.

    Ai ka thënë se i ka 5 prioritete për ta rimëkëmbur vendin: ekonominë, shëndetësinë, arsimin, drejtësinë dhe politikën e jashtme.

    “I kemi 5 prioritete, nën një duam që ta zhvillojmë ekonominë, duam që të krijojmë vende të reja të punës, duam që të rrisim mirëqenien qytetarëve dhe kemi një plan të qartë se çka do të bëjmë në 100 ditshin e parë që ta ngrisim ekonominë e vendit për shkak të goditjes nga pandemia. Ju e dini që në atë moment kur unë do të jem kryeministër, prej 14 shkurtit kur do të votohet, 15 shkurtit do t’ia nisë me formimin e qeverisë. Ne e dimë në javën e parë, të dytën, tretën, në tremujorin e parë, se çka do të bëjmë si PDK për ta rimëkëmbur ekonominë, e cila është goditur për shkak të pandemisë”, tha ai.

    Kandidati për kryeministër i PDK-së theksoi se janë e vetmja parti politike që ka program dhe vizion të qartë se çka do të bëjnë gjatë 4 viteve të ardhshme në krye të qeverisë së vendit.

    Hoxhaj tha se vetëm PDK-ja mund ta bëjë realitet anëtarësimin e Kosovës në OKB.

    “Kosova në vitin 2021 duhet ta shfrytëzojë, që për shkak të zgjedhjes së Joe Biden president dhe për shkak të miqve tanë në Evropë, ta përmbyllë shtetndërtimin e saj duke anëtarësuar u në OKB. Këtë punë mund ta bëjë vetëm një parti politike që ia ka qit themelin. Ne mundemi me ia qitë kulmin. Prandaj, rimëkëmbja për neve është rimëkëmbje edhe politike. Duhet ta ringrisim Kosovën përsëri si shtet në arenën ndërkombëtare. Se çka ka bërë Albin Kurti dhe Avdullah Hoti në vitin 2020, më shumë ka qenë protektorat i UNMIK-ut sesa shtet sovran dhe i pavarur”, tha ai.

    Para qytetarëve të Vitisë, Hoxhaj ka thënë se me të kryeministër vetëm gjatë këtij viti do të vaksinohen 50 përqind e popullatës nga COCID-19. Po ashtu, ai paralajmëroi se do të ketë edhe rritje të pensioneve e pagave për mjekët, infermierët, mësimdhënësit, policët.

    Hoxhaj sot ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes edhe para qytetarëve të Kamenicës dhe Gjilanit.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark