Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar fushatën në komunën e Lipjanit. Me brohoritje “UÇK”, “Kadri Veseli” e “Hashim Thaçi”, ka nisur ky tubim elektoral, ku është thënë se do të dalin faqebardhë me fitoren e PDK-së.
Enver Hoxhaj, kandidat për kryeministër u ka thënë të pranishmëve që dhimbjen ta kthejnë në votë më 14 shkurt.
Hoxhaj ka thënë se rrallë ka parti politike që nuk e çojnë flamurin e bardhë, por se kur kanë sfida ata e bëjnë këtë gjë me flamurin e UÇK-së.
“Arsyeja që ne nuk dorëzohemi ka të bëjë me historinë tonë. PDK-ja ka vlera historike, lidership dhe ADN-ja jonë është UÇK dhe në situata më të vështira që gjendet PDK-ja dhe lidershipi, pikërisht atëherë ne nuk dorëzohemi, ne e ngritim flamurin e PDK-së, UÇK-së e të fitores” tha Hoxhaj.
Kandidati për kryeministër tha se nuk flasin vetëm për ditoren që do ta kenë por edhe për atë se çfarë do të bëjnë me 14 shkurt. Ai tha se vaksinat nuk mund t’i sjellin ata që pranuan testet e vaksinat e Serbisë në Kosovë.
“As Kurti e as Hoti, i pari që ka marrë prej Serbisë teste e as ai që ka marr vaksina prej Serbisë nuk munden”, tha Hoxhaj.
Vizion të qartë ka PDK-ja, tha Hoxhaj duke shtuar se programi i tyre është i qartë jo si i të tjerëve “që vetëm marshojnë”.
“Ne kemi program të qartë për atë se çka do bëjmë pas 14 shkurtit, e jo si ata që vetëm marshojnë, por ata do mbesin ashtu duke marshuar”, tha ai.
Hyzer Rizani kandidat për deputet nga kjo parti ka thënë se programi më i mirë i PDK-së do të jetësohet dhe do të shkojë në favor të qytetarëve.