Insajderi
Lajme

Hoxhaj paralajmëron Kurtin: Puçi kushtetues do të përfundojë në Kushtetuese

Insajderi
04 September 2026 - 08:38
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Hoxhaj paralajmëron Kurtin: Puçi kushtetues do të përfundojë në Kushtetuese
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Përplasja politike mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Albin Kurtit pritet të zhvendoset edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka akuzuar Kurtin se ka kryer atë që ai e cilëson si “puç kushtetues”, duke paralajmëruar se partia e tij do t’i kontestojë në Kushtetuese jo vetëm veprimet e fundit, por edhe procesin e konstituimit të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Hoxhaj, në një deklaratë për Ekonomia Online, ka thënë se Kosova nuk ndodhet më në një situatë normale demokratike dhe se, sipas tij, rikthimi i rendit kushtetues duhet të nisë me konstituimin e Kuvendit.

“Së pari, në këtë vend janë të ndara pushtetet. Duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Dhe meqë zoti Kurti në këto katër javët e fundit ka bërë një puç kushtetues, të cilin puç kushtetues ne do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese, sapo të fillojë procesi i krijimit të institucioneve.

Së dyti, zgjedhja e presidentit është faza e fundit. Prandaj mendoj që çfarë është e rëndësishme është që të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Dhe zoti Kurti në këto katër javët e fundit e ka rrënuar sistemin demokratik në Kosovë, e ka shfuqizuar vullnetin politik, e ka suprimuar përfaqësimin politik.

Ne nuk jemi më deputetë të Kuvendit të Kosovës, jemi vetëm përfaqësues të popullit, dhe i ka suprimuar, i ka shfuqizuar institucionet e Kosovës. Asnjëherë zgjedhja e presidentit nuk është e ndërlidhur me konstituimin apo moskonstituimin e Kuvendit.

Dhe të vetmen mundësi që ai e ka është që, nëse nuk dëshiron që ta bëjë shkeljen e dytë mbas 6-7 shtatorit, do të doja në këtë javë ta konstituojë Kuvendin e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka deklaruar se shkelja kushtetuese, sipas tij, tashmë ka ndodhur dhe se PDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese edhe për procesin e konstituimit të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

“Për ne, puçi i parë kushtetues ka ndodhur dhe kur do që do të zgjidhet presidenti i vendit në këtë vend, ne do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese edhe konstituimin e Kuvendit, edhe formimin e Qeverisë, edhe presidentin e ardhshëm, se s’mundet të ndodhë që fillimisht mbahen zgjedhjet, tani janë 4-5 javë puç kushtetues dhe pastaj ne mbi puçin kushtetues të zgjedhim dikë president apo kryetar Kuvendi.

Ne kemi një situatë politike që për herë të parë kemi përfunduar një proces zgjedhor dhe tash pa pritë mbas e kemi krijimin e institucioneve të reja.

Ne kemi pasur tri palë zgjedhje, sepse zoti Kurti s’ka pasur vullnet politik që të bëjë marrëveshje politike, që të ketë dialog politik. Dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk i nënshtrohet Albin Kurtit sot, nesër, asnjëherë”, tha ai.

Hoxhaj ka deklaruar se Kosova nuk është më në një situatë normale demokratike dhe se, sipas tij, është cenuar rendi kushtetues.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark