Enver Hoxhaj, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se Kosova për herë të parë përgjatë këtyre gjashtë viteve qeverisjeje, nuk ka as ideal, as qëllim e as motiv për asgjë.
Hoxhaj tha se nëse duam që të mbesim më tej në demokraci dhe, siç u shpreh ai, të mos kthehemi në autokraci elektorale, atëherë rruga është PDK-ja.
“Për herë të parë në këto 6 vitet e fundit, jemi një vend, për shkak të kësaj qeverie, i cili nuk ka ideal, nuk ka qëllim, nuk ka motiv për asgjë. Data e 7 qershorit është Dita D. Ose vazhdojmë të mbesim më tutje demokraci, ose përmes autokracisë elektorale shndërrohemi në diktaturë. Kjo rrugë e ka vetëm një adresë, Partinë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën dhe fitoren tonë më 7 qershor”, deklaroi ai.
Hoxhaj pati vlerësime të larta për mësimdhënësit dhe kontributin e tyre para, gjatë dhe pas luftës.
“Nuk ka ndonjë pjesë të shoqërisë sonë, e cila këtij ideali i ka dhënë formë sikurse kanë qenë mësimdhënësit, shkollat, profesorët, mësuesit në Kosovë, historikisht këto 100 vitet e fundit. Ideja e lirisë dhe pavarësisë ka lindë në zemrat e studentëve dhe nxënësve, ka lindë në shkollat e Kosovës. Ne e kemi ditë se çfarë kemi ndjekë si ideal në vitet e 70-ta”, deklaroi ai.