Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Republika e Kosovës është shembull i mirë për paqe dhe siguri në rajon.
“Kosova është shembulli më i mirë se si një shtet i ri është shembull i sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Hoxhaj.
Ministri e ka nxjerrë këtë vlerësim gjatë takimit që ka pasur me një delegacion zyrtarësh të lartë nga Republika Arabe e Egjiptit, ku morën pjesë ish-ministri i Jashtëm i këtij shteti, tani deputet në parlamentin egjiptian Mohamed Elorabi, si dhe ish-këshilltari i presidentit të atjeshëm.
Hoxhaj gjatë takimit ka folur për bashkëpunimin kulturor në mes të Kosovës dhe Egjiptit, për të cilin ka thënë se është një aset me potencial për zhvillim në të dyja vendet.
Po ashtu është biseduar për shkëmbimin e diplomatëve të rinj nëpërmjet akademive diplomatike të Ministrive të Jashtme të Kosovës dhe të Egjiptit, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
“Biseduam edhe për shkëmbimet kulturore që mund t’i kemi si vende me kultura të lashta dhe njëkohësisht, diskutuam se si ta bëjmë shkëmbimin e diplomatëve të rinj nëpërmjet akademive tona diplomatike”, ka shtuar ministri Hoxhaj./Insajderi.com