Gjithsesi në kampin e Gjelave, kanë besim te fakti që e njohin tashmë Shqipërinë që kartëvizitën e saj ua ka prezantuar me fitoren 1-0 në “Elbasan Arena” dhe barazimin 1-1 në vendin e tyre dhe këtë e di edhe portieri, Hugo Lloris.
“Nëse shikon shortin e grupeve të tjera e kupton se për ne mund të kishte qenë edhe më e komplikuar. Tani ky është një kompeticion i nivelit më të lartë dhe të gjitha skuadrat e kanë merituar të jenë këtu dhe kanë diçka për të treguar. Ne i njohim mirë. Ne kemi luajtur me Shqipërinë dhe ata na mundon, kështu që kjo na jep neve një pikë referimi. E dimë se çfarë duhet të presim prej tyre”, tha Lloris, njofton Supersport.
Hugo Lloris vlerësoi dhe Zvicrën e Rumaninë ndërsa theksoi se për Francën e rëndësishme do të jetë ta nisë me këmbën e mbarë përballë rumunëve në ndeshjen hapëse të Europianit.
Franca afrohet drejt këtij kompeticioni me pritshmëri të mëdha si skuadra e shtëpisë pas dy viteve në të cilat nuk ka luajtur ndeshje zyrtare. /Insajderi.com