×
  • Lajme
  • Insajderi

    Pamje të reja| Si u sulmuan me tulla e gurë gazetarët në veri?

    Insajderi
    30 May 2023 - 14:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Protestuesit serbë, të cilët po e kundërshtojnë udhëheqjen e kryetarëve të rinj në komunat veriore, kanë dëmtuar edhe disa vetura të medieve të Shqipërisë.

    Kësaj here iu dëmtua vetura e mediumit A2 dhe ajo e Panoramës të Shqipërisë në Leposaviq.

    Veturat që janë demoluar janë ato të ekipeve të gazetarëve të News 24.

    Këtë rast e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku mes tjerash në reagim është thënë se në kohën kur është bërë sulmi ekipet e gazetarëve kanë qenë brenda veturave dhe se të njëjtat janë sulmuar me gurë dhe tulla.

    Në vijim është postimi i plotë i AGK-së:

    Ekipet e A2 CNN dhe Panorama, nga Shqipëria, sulmohen në Leposaviq

    Veturat e mediumeve shqiptare të A2 CNN dhe Panorama, të cilët po raportojnë nga veriu i vendit, janë vandalizuar.

    Të dyja ekipet kanë qenë brenda veturave të mediumeve të tyre. Sulmi është bërë me tulla dhe gurë, ndërsa fatmirësisht nuk ka të lënduar.

    Gazetarët kanë pohuar se megjithëse trupat e KFOR-it kanë qenë në vendin e ngjarjes, përpos që nuk kanë reaguar, ata edhe janë larguar direkt nga aty pa ndërmarrë ndonjë masë e cila do t’iu siguronte mbrojtje ekipeve, tashmë të sulmuara.

    “Ne ishim brenda në makinë, kur na sulmuan me gurë. Pas nesh ishte edhe një tjetër automjet i një televizioni shqiptar. Makinat i kemi parkuar shumë larg komunës së Leposaviqit, megjithatë edhe këtu na kanë sulmuar. Në çdo komunë ka pasur të tilla incidente të këtij lloji, ku viktimë kanë rënë media të tjera shqiptare. Forcat e KFOR-it qëndronin pranë nesh dhe sapo panë këta persona të maskuar, u larguan. Këtu nuk ka as prezencë policie. Ishin 4-5 të rinj me maska, me shall që na sulmuan, ndërsa ne ishim të gjithë në makinë brenda”, u shpreh gazetari i A2 CNN, Jul Kasapi.

    Situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar, ndërsa ekipet e gazetarëve vazhdojnë të jenë cak i protestuesve gjithandej. Edhe një herë, AGK i bën thirrje trupave paqeruajtëse të sigurojnë ambient të sigurt për raportim, ndërsa gazetarët i ftojmë që të tregojnë kujdes të shtuar sepse atyre nuk po iu garantohet siguri në asnjë moment.

    Për AGK-në, ky numër i sulmeve është alarmues, ndërsa fton vendimmarrësit që të krijojnë protokolle të cilat garantojnë raportim të sigurt për gazetarët, sa më parë./Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark