Pas publikimit të hulumtimit të Insajderit për parregullsi dhe manipulime me listën e kandidatëve të pranuar në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ku u zbulua se ishin favorizuar militantë të partisë në pushtet, kanë shpërthyer ankesat nga kandidatët që s’janë pranuar. Dy kandidate tjera kanë adresuar ankesa të organet kompetente, të cilat e kanë takuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun. Insajderi sjell detajet.
Valjeta Krasniqi dhe Faltume Ademi janë dy kandidate që nuk janë pranuar në këtë konkurs e të cilat kanë rrëfyer për Insajderin disa parregullsi që kanë hasur gjatë procesit. Madje, ato po pretendojnë se ka kandidatë që kanë paguar deri në 3 mijë euro për tu pranuar si zyrtarë korrektues.
Për të gjitha këto parregullsi është e njoftuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka pritur në takim këto dy kandidate. Por edhe pse janë bërë një muaj që kur ministrja është njoftuar për këto parregullsi nuk ka ndërmarr asnjë hap për të hetuar apo anuluar konkursin në SHKK.
Shërbimi Korrektues i Kosovës i cili operon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë në dhjetor të vitit të kaluar ka hapur një konkurs për pranimin e 50 zyrtarëve për pozitën “Zyrtar Korrektues në Shërbimin Korrektues të Kosovës”.
Kjo vërtetohet edhe me fshehjen e listës përfundimtare të personave që janë pranuar e të cilën pas më shumë se një muaji dhe pas presionit nga Insajderi SHKK i bëri publike.
Rrëfimi i kandidates Krasniqi: Kandidatët që u pranuan paguan nga 3 mijë euro
Kandidatja Vajleta Krasniqi është një ndër kandidatët e shumtë që pretendon se i është bërë e padrejtë në rezultatet e konkursit të shpallur nga Shërbimi Korrektues për pozitën “Zyrtarë Korrektues”.
Duke mos gjetur mbështetje nga organet e drejtësisë, Valjeta Krasniqi i ka besuar Gazetës Insajderi për të shpalosur problematikat që ajo ka hasur që nga fillimi i hapjes së këtij konkursi.
Përpos ankesave që ka bërë, Krasniqi i ka shkuar në zyre edhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut për t’i treguar për parregullsitë që ajo ka parë përgjatë këtij konkursi.
Krasniqi e diplomuar në Fakultetin Juridik rrëfen për Insajderin se ajo ka pas rezultat të mirë nga testi me shkrim dhe ai fizik, ka dështuar në intervistën me gojë ku sipas saj ka qenë e mire edhe aty.
Gjatë testit fizik, Krasniqi pretendon se ka pasur parregullsi gjatë vlerësimit. Ajo tregon një shembull kur një kandidate është dorëzuar gjatë vrapimit dhe e njëjta i ka dalë emri në listën sepse sipas saj ajo është bija e një zyrtari në Shërbimin Korrektues. Një rast tjetër Krasniqi tregon se një kandidate kishte pasur një abort para 3 dite se të mbahet testi fizik.
“Si është e mundur ku disa kandidatë kanë qenë jo mirë me gjendje shëndeti, njëra nga kandidatet na ka treguar gjendjen e shëndetit qe ka pasur abort para disa ditëve dhe ju ka nënshtruar testit fizik. Kurse, një kandidate tjetër, Diellza Sllamniku, gjatë mbajtjes së testit fizik u dorëzua, më pas në vend se të anulohej si kandidate në vazhdimësi, ajo në të kundërtën me datë 11.02.2022 në intervistën me gojë, u paraqit në sallën ku mbahej kjo intervistë, me babain e saj, i cili është i njohur për institucionin e SHKK-së, z. Nexhmedin Sllamniku, Kjo kalon në dyshime të qarta edhe tek unë e edhe te kandidatët tjerë të cilët kanë paraqitur ankesën në lidhje me këto arsye” u shpreh Krasniqi.
Po ashtu e njëjta pretendon se ka informacione se tre persona kanë dhënë para për t’u punësuar në Shërbimin Korrektues përmes këtij konkursi.
“Kam informacione se janë tre persona që kanë paguar nga 3 mijë euro, njeri nga ta është kthyer nga Gjermania për tu pranuar në SHKK. Ata i kanë pagu nga tre mijë euro secili” thotë ajo.
E këto dyshime ajo i ka adresuar edhe tek ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, me të cilën ka pasur një takim në Ministrinë e Drejtësisë.
Ministren Haxhiu thotë Krasniqi se e kanë njoftuar për parregullsitë që kanë parë, sipas saj ministres i ka interesuar se si i kanë zbuluar ato emrat e kandidatëve pasi kanë qenë më numra të letërnjoftimit.
Po ashtu Ministrja i ka pyetur se kush janë personat që kanë dhënë para për tu pranuar në këtë konkurs.
“Pas shumë përpjekjeve unë dhe kandidatja tjetër Fatlume Ademi kemi shkuar në zyre të ministrja. Fillimisht takuam zëvendësministrin, ai na tha qe jeni bërë horë që keni bërë ankesë. Pastaj takuam ministren dhe e njoftuam për parregullsitë. Pasi i treguam për rastin me abort ajo heshti nuk kthej asnjë përgjigje. Pastaj kur i treguam për emër tha si është e mundur se si e keni zbuluar ju këtë emër”, tha ajo.
Rrëfimi i kandidates Ademi: Në test kishte ndërhyrje nga jashtë
Fatlume Ademi është një tjetër kandidate e cila nuk është pranuar në këtë konkurs dhe ka shpalosur pakënaqësitë e saja lidhur me procesin e testimit.
Edhe kjo kandidate ka shkuar për të takuar ministren Haxhiu bashkë me Valjeta Krasniqin ndaj të cilave ministrja nuk ka marr parasysh ankesat e tyre.
Pasi kanë njoftuar ministren Haxhiu për informatat që kanë se disa persona kanë dhënë para për tu pranuar, ministrja iu ka kërkuar emrat e tyre.
“Kur i kemi thonë se ka raste kur kanë dhënë edhe mjete financiare ministrja ju ka thënë na duhet edhe emra që me mujt me anulu konkursin. Unë ia kthena se na nuk jena hetues ti i ki hetuesit e kërkoj emrat”, thotë ajo.
Ademi tregon për Insajderin parregullsitë që ajo i ka parë gjatë testimit fizik.
“Sa i përket testit fizik kanë ndodhur parregullsi nga Komisioni përzgjedhës se nuk ka pasur vlerësim, ku kanë qenë disa kandidate të cilët janë dorëzuar, e njëra nga këta kandidate ekziston në listën shtesë të intervistimit me gojë. Kurse, e njëjta gjatë mbajtjes së testit fizik u dorëzua”, u shpreh ajo.
Po ashtu ajo pretendon se gjatë intervistës me gojë ka pasur ndërhyrje nga personat tjerë që s’kanë qenë pjesë e komisionit.
“Parregullsia kryesore ka qene ndërhyrja e personave te tret, dhe grupi i listës te cilin kemi pasur te intervistohemi vetëm një vajze e cila ka pasur ndërhyrje te tret e ka kaluar intervistën”.
Madje ajo citon edhe një fjali të anëtarit që ka qenë në komisionin vlerësues, Sadat Murturi. Sipas saj, Murturi iu ka thënë kandidates: “si ketë si nuk ketë 10 persona janë të pranuar në listë”.
Lidhur me këto pretendime, Gazeta Insjaderi ka dërguar pyetje ministres Albulena Haxhiu për ende nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.