×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Nga shkeljet ligjore tek favorizim i militantëve – shpërthejnë ankesat për konkursin e gardianëve

    Insajderi
    07 April 2022 - 17:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pas publikimit të hulumtimit të Insajderit për manipulime me listën e kandidatëve të pranuar në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ku u zbulua se pjesë e asaj liste ishin favorizuar militantë të partisë në pushtet, kanë shpërthyer ankesat nga kandidatët që s’janë pranuar të cilët pretendojnë se iu është bërë e padrejtë gjatë testimit. Dy nga këta kandidatë kanë adresuar ankesa të organet kompetente, dokumentet e të cilëve i ka siguruar Insajderi dhe do t’ju sjell detaje se si janë trajtuar.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës i cili operon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë në dhjetor të vitit të kaluar ka hapur një konkurs për pranimin e 50 zyrtarëve për pozitën “Zyrtar Korrektues në Shërbimin Korrektues të Kosovës”.

    Gazeta Insajderi ka përcjellë që nga fillimi këtë konkurs dhe ka vërejtur se nga publikimi i rezultateve preliminare ka pasur tendenca që të fshehët lista përfundimtare me emrat e kandidatëve të cilët janë pranuar në këtë konkurs.

    Kjo vërtetohet edhe me fshehjen e listës përfundimtare të personave që janë pranuar e të cilën pas më shumë se një muaji dhe pas presionit nga Insajderi SHKK i bëri publike.

    Rrëfimi i “Personit 1”

    S.SH., ka adresuar ankesë te Shërbimi Korrektues-Departamenti për Selektimin dhe Pranimin e Zyrtarëve Korrektues. Ai përmes kësaj ankese, pretendon se i është bërë e padrejtë në vlerësimet e komisionit “sepse nuk kam askënd të njohshëm për të kaluar intervistën”

    Në një prononcim për Insajderin, “Personi 1” rrëfen se si i janë zbritur pikët nga testi me shkrim ku fillimisht kishte pasur 85 pikë e pas rishikimit të testeve i kanë vendosur 79 pikë.

    “Po ju drejtohem si një prind i dy femijëve, si një i papunë i diplomuar prej vitit 2011 në fushën e sigurisë. Pas dorëzimit të gjitha dokumentacionit të kërkuar në Konkurs ju kemi nënshtruar testimit me shkrim me datën 16.01.2022. Pasi e kemi kry testimin kanë dalë rezultatet e testimit dhe aty jam rendit i pari në listë me 85 pikë, ka pasur kandidatë që nuk e kanë kaluar testin fare, ku pas ankesave është bërë një rivlerësim i testeve dhe shumicës se kandidatëve u janë ngritur pikët kurse mua më janë ulur në 79 pikë e kam pranuar rezultatin, pastaj ka qenë testi i aftësive fizike edhe atë e kam kaluar me sukses, por kur jam hy në intervistën me gojë me datën 08.02.2022 më është bërë e padrejtë sepse jam vlerësuar me pikë shumë ulët për arsye se komisioni ka bërë manipulime dhe u janë ngritur pikët të tjerëve që edhe kanë qenë me ulët me pike në testin me shkrim vetëm për faktin qe unë nuk kam askënd te njohshëm me hy në punë” ka thënë ai për Insajderin.

    Insajderi ju sjell me fakte se si këtij kandidati  fillimisht i janë publikuar 85 pikë e pastaj i janë zbritur ato pikë në 79.

    Ankesa e “Personit 1” adresuar SHKK dhe refuzimi nga komisioni Ad-Hoc

    Rrëfimi i “Personit 2”

    Xh.H është kandidati i dytë i cili ka drejtuar ankesë tek Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës-Prishtinë kundër vendimit të ankesave të komisionit Ad-hoc në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

    Ai tha për Gazetën Insajderi se ky konkurs është shfrytëzuar të punësohen militantë partiakë dhe njerëz të afërt nga Ministria e Drejtësisë.

    Ai ka rrëfyer për Insjderin se i ka kaluar të gjitha fazat e intervistimit dhe në fund emri tij nuk ka figuruar tek lista e personave që janë pranuar.

     “Kam kaluar të gjitha fazat e testimit duke  filluar nga  testi me shkrim, testin fizik dhe intervistën, por në fund komisioni vlerësues ka bërë përzgjedhjen në mënyrë jo të drejtë  duke më dëmtuar në intervistë me pikët e dhëna duke më dhënë më pak pikë se aplikantët e tjerë duke më dëmtuar mua dhe duke më lënë jashtë dhjetëshes ku pranohen dhe më lënë të njëmbëdhjetin me radhë e që më pamundëson vazhdimin më tutje që pas analizave mjekësore të nënshkruaj kontratën andaj ata më shumë vlerësuan në bazë të vullnetin tyre se sa nga meritokracia”, tha ai për Insajderin.

    Të dy kandidatët kanë hezituar të shfaqin identitetin pas frikës që mund të kërcënohen e shantazhohen nga militantët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Këto ankesa janë duke u shqyrtuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës

    Insajderi ka adresuar pyetje edhe te Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës të cilët kanë konfirmuar se kanë pranuar katër ankesa nga kandidatët.

    “Lidhur me konkursin për pozitën “Zyrtar Korrektues në Shërbimin Korrektues të Kosovës” deri më tani në Këshill janë parashtruar katër (4) ankesa të natyrës “Kontestim Konkursi”, thuhet në përgjigje.

    Ankesa e parë apo si më e hershmja e parashtruar kundër konkursit në fjalë është e datës 04 prill 2022, nga rrjedh se Këshilli është në fazën fillestare dhe brenda afateve ligjore për vendimmarrje, ndërsa ende nuk kemi vendosur për asnjërën prej ankesave të parashtruar  si në fjalë.

    “Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës duke u bazuar në dispozitat e Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për  Shërbimin Civil të Kosovës, shqyrton dhe vendos për ankesat e parashtruar në afat prej katërdhjetepesë (45) ditësh dhe po ashtu në raste të caktuara ka të drejtë që ankesave/ankesës t’ua shtyjë afatin vendimmarrës edhe për dhjetë (10) ditë punë”, thuhet në përgjigjen e këshillit.

    Çfarë tha Shërbimi Korrektues pas publikimit të hulumtimit

    Sipas një njoftimi publik që ka bërë SHKK gjatë ditës së sotme thuhet se lidhur me konkursin në fjalë ka pranuar 16 ankesa por të gjitha këto ankesa janë refuzuar nga komisioni vlerësues.

    “Në këtë procedurë të rekrutimit nga 620 kandidatë janë përzgjedhur 50 zyrtarë korrektues, pas publikimit të listës brenda afatit prej 30 ditësh, janë pranuar 16 ankesa, Komisioni i Ankesave ka shqyrtuar dhe vendosur në të gjitha rastet, ankesat janë refuzuar, kandidatët janë udhëzuar që kanë të drejtë ankese në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil”, thuhet në reagimin e SHKK, institucion ky që bën thirrje që të gjitha ankesat të drejtohen tek organet kompetente.

    Reagimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut lidhur me hulumtimin e Insajderit

    Pas linçimit të Insajderit nga zyrtarët e partisë së pushtetit dhe debateve të shumta ne lidhje me hulumtimet e gazetës, nuk është vonuar edhe reagimi i ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Sipas saj, “Për herë të parë në historinë e Shërbimit Korrektues të Kosovës, komisioni përzgjedhës nuk ka pasur as presionin më të vogël gjatë procesit të përzgjedhjes së zyrtarëve korrektues.”

    Në reagimin e saj ministrja Haxhiu ka deklaruar se “Ata kanë qenë thjesht të lirë dhe pa asnjë ndikim dhe presion nga kabineti apo dikush nga Qeveria dhe po ashtu kanë qenë në monitorim.”, përcjellë Gazeta Insajderi./Gazeta Insajderi/

    Gazeta Insajderi ka raportuar të mërkurën ekskluzivisht për punësimet e militantëve të Vetëvendosjes në Shërbimin Korrektues të Kosovës, hulumtimin e plotë më poshtë:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark