×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Hulumtimi i Insajderit | Dogana anulon tenderin që iu dha firmës që nuk i plotësoi kriteret bazë

    Insajderi
    20 May 2024 - 12:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas raportimit të Insajderit, Dogana e Kosovës ka anuluar tenderin për këqyrjen e bursave online. Nuk ka dhënë shumë sqarime të detajuara, por e pranon që ka bërë shkelje të ligjit.

    Gazeta Insajderi

    “Një shkelje e LPP-se ka ndodhur apo do të ndodh në proceduren e prokurimit, e cila nuk mund të rregullohet apo të parandalohet përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit”, ky është arsyetimi që ka përdorur Dogana e Kosovës për të anuluar tenderin që i ishte dhënë firmës “Schoolme Implementation…”.

    Gazeta Insajderi javë më parë publikoi hulumtimin se si ky tender, që në thelb ishte për këqyrjen e bursave online i ishte dhënë një firme duke shkel kriteret bazë, kjo pasi që siç zbuloi Insajderi, vet kjo agjenci kërkoi që kompania të jetë e regjistruar në ATK me TVSh, diçka që del që “Schoolme Implementation…” nuk e ka.

    Lexo : Dogana shpërblen me tenderin për këqyrje të bursave firmën që nuk i plotësoi kriteret bazë

    Vendimi për anulimin e tenderit, pas raportimit të Gazetës Insajderi, është bërë 17 maj të këtij viti, derisa raportimi i gazetës është publikuar më 23 prill.

    Siç kishte raportuar Insajderi, “Ofrimi i shërbimeve për qasje në bursën botërore” është një projekt që Dogana e Kosovës e kishte nisur që nga tetori i vitit të kaluar. Kishte paraparë që për këtë punë ta angazhoi një kompani të jashtme, e që buxhetin e punës e kishte paraparë që të jetë 78 mijë euro.

    Mbi gjashtë muaj më vonë, dhe disa procesesh të vlerësimit e ri-vlerësimit, Zyra e Prokurimit e kësaj agjencie shtetërore pati vendosur që me këtë punë ta shpërblejë kompaninë “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K.”.

    Vlera e kontratës ishte 74 mijë euro, të cilat pritej të shkojnë tek biznesmenja Iris Gjinovci, për të cilën ka raportuar Gazeta Insajderi.

    Nuk kishte certifikatë të TVSH-së, Dogana e shpërbleu me tender

    Firma “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K.”, që ishte në garë për tenderin “Ofrimi i shërbimeve për qasje në bursën botërore” kishte bërë edhe ankesa se po shpërblehej një kompani tjetër më e shtrenjtë.

    Pavarësisht që dyshohet se nuk i plotëson kriteret bazë, Prokurimi i Doganave ia pati shqyrtuar ankesën.

    Por, cilat kritere dyshohet që nuk i përmbushte firma “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K.”?

    Kur Dogana e publikoi njoftimin për tenderin “Ofrimi i shërbimeve për qasje në bursën botërore” nxori në publik edhe dosjen që duhej ta plotësonin kompanitë që aplikojnë për të.

    Në faqe 34 të këtij dokumenti prej 130 faqesh, Dogana e ka përcaktuar si kriter bazë edhe që firmat që aplikojnë të jenë në listën e kompanive që kanë certifikatë për TVSh.

    Kërkesat e përshtatshmërisë profesionale | 7.1 a. Regjistrimi si operator ekonomik në regjistrin profesional, komercial dhe/apo regjistrin e ndërmarrjeve në vendin e juaj të themelimit; dhe  b. Regjistrimi në TVSH. 7.2 a. Një dokument i lëshuar nga autoriteti përkatës publik në vendin e themelimit të operatorit ekonomik me të cilin evidentohet regjistrimi i operatorit ekonomik në atë vend (Kopja e certifikatës së biznesit); dhe  b.Një kopje e certifikatës se TVSH”, thuhet në këtë dokument.

    Derisa Gazeta Insajderi po hulumtonte për tenderin për digjitalizimin e arsimit në Komunën e Prishtinës kishte zbuluar se firma e Gjinovcit ishte edhe pa certifikatë të Administratës Tatimore për TVSh-në.

    Kjo kompani që është në pronësi të Iris Gjinovcit, dhe në Regjistrin e Bizneseve është regjistruar në maj të vitit 2022, një vit më vonë gjendet tek lista e bizneseve që u është anuluar certifikata e TVSh-së- informacion ky është publikuar më 27.09.2023.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Iris Gjinovcin. I ka dërguar pyetje për çështjet e ngritura në këtë artikull. Edhe pse ajo ka thënë që do të përgjigjet, deri tash e njëjta nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

    Sipas Dosjes së Tenderit, me këtë punë që iu dha kompanisë firma “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K.”, por tash është anuluar, Dogana synon “shfrytëzimi i kësaj qasje përmes bursës botërore bëhet për çmimet e mallrave strategjike si: mielli, gruri, orizi, kafeja, shufra hekuri, kikiriku, vaji i papërpunuar, fibrat e leshit, kakao  dhe mallra tjera”.

    “Këto të dhëna janë publikuar nga ana e Sektorit të Vlerës ne Dosjen e të dhënave të disponoheshme, ku Sektorët dhe degët doganore i përdorin si burim të informacion gjatë vlerësimit të mallrave në importe”, thuhet në dosjen në fjalë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark