×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Hulumtimi i Insajderit për aleancën mes Nagavcit e “Albas” diskutohet edhe në parlament

    Insajderi
    04 April 2024 - 15:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gazeta Insajderi ka raportuar përpara dy vitesh për aleancën e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, me kompaninë multimilionëshe nga Shqipëria për botimin e librave shkollorë. Nagavci nëpër deklarime të mëhershme të pasurisë deklaronte pagesat që merte nga kjo shtëpi botuese. Pikërisht për këtë është diskutuar në Kuvendin e Kosovës. Këtë çështje e ka ngritur deputeti i PDK’së, Ardian Kastrati, i cili ka kërkuar Prokurorinë të hetojë fitimet e “Albas” dhe aleancat me pushtetin.

    Krastrati në seancën e ka akuzuar Mihalin dhe Nagavcin për krim të organizuar në procesin e subvencionimit të teksteve shkollore. Aty e ka përmendur kompaninë botuese “Albas”.

    “A është kjo e rastësishme kjo me axhin, jo. Ky skenar është i organizuar. Ka erë të madhe të korrupsionit që shkon në krim të organizuar. Fillohet kinse ofertat janë shtrenjtë, doli kompania tha e keni 4 për qind më lirë. Kur u bën 8 minuta para fillimit të vitit shkollor, dolët dhe improvizuat me një vendim që dëmtoi shkollën, fëmijët, nxënësit… Dhe këto nuk ishin pasojat e vetme. E keni shkelur brutalisht ligjin për ndarjet buxhetore. Mediokre të lutem qetësohu. E keni dëmtuar ligjin për arsimin parauniversitar. I keni jep të holla si atij milionerit, si të varfëritë, 30 milionerit, 30 të varfëritë, a po kuptoni çka keni bërë. Sa prej minoritetit serb kanë aplikuar me i marrë paret prej këtij buxheti, e ata e mbajnë mësimin me planprograme ku mësojnë për Karaxhorgjeviqin, Obranoviqët e të tjerë”, deklaroi Kastrati.

    “Këtë e konfirmon zori i madh me të cilin ju e keni kontrabanduar ligjin për tekste shkollore në lexim të parë, me 60 prezentë, pra këtu keni rrejt që kanë qenë për mbi 60, kjo është puro hajni me vota. Deputetët nuk kanë qenë prezent, e ju keni thënë se kanë votuar. Pse me Albasin, sepse kjo në të djathtë ka lidhje me Albasin, kjo që po flet se ka lidhje me Albasin. E kjo tjetra ka punuar për ta, paret kanë hi e kanë dalë. Me këto pare blenë kah një pasqyre, e këqyrni fytyrën e hajnisë. Sa pare me Albasin?”, ka shtuar tutje deputeti i PDK’së.

    Insajderi pati raportuar ekskluzivisht për lidhjet e Nagavcit me “Albas”. Ajo ka të botuar librin “Aventurat tona të Verës” në shtëpinë botuese nga Shqipëria.

    Emri i firmës “Albas”, një kompani multimilionëshe nga Shqipëria që merret me botimin e librave, përmendet ne deklarimin e pasurisë së ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

    Aty dëshmohet se jo më larg se një vit e gjysmë, ministrja Nagavci kishte pranuar një pagesë në xhirollogarinë e saj nga firma private “Albas”. Shumën e kishte mbajtur sekret. Nuk dihet se sa euro kishte pranuar ministrja nga kjo kompani.

    Ministrja Nagavci, atëkohë deputete, kur kishte deklaruar pasurinë në qershor të vitit 2020 kishte treguar për publikun vetëm arsyen se pse është paguar nga kompania “Albas”.

    “Autorësia për 5 libra (ALBAS)”, kaq kishte shënuar ministrja në formularin e deklarimit të pasurisë, ku kishte treguar se përpos pagës së deputetes përfiton edhe nga pjesëmarrja në trajnime e hulumtime.

    Por, ishte kompania “Albas”, ajo e cila kishte shënuar më shumë rreshta për ministren Nagavci.

    Në qershor të 2019-ës, në muajin kur mbahej panairi i 21-të i librit në Prishtinë, kjo kompani kishte njoftuar me pompozitet bashkëpunimin me Arbërie Nagavcin. Kishte cekur emrin e saj si autore librash dhe e kishte promovuar lartë, ndonëse emri i saj nuk shquhet për veprimtari të tillë por për aktivitet politik.

    Kjo nuk kishte qenë pengesë për “Albas”, që ta promovonte Nagavcin si shtyllë kryesore të panairit të librit.

    “Interesimi është i kënaqshëm, posaçërisht nga të vegjlit, të cilët po na vizitojnë së bashku me prindërit e tyre për t’i zgjedhur librat që u pëlqejnë më së shumti. Këtë vit befasia për shkollarët nga klasa e parë deri në të pestën është botimi i librave të pushimeve verore “Aventurat tona të verës”, me autore Alida Thaçi, Arbërie Nagavci dhe Krenare Lleshi”, shënohet në publikimin e bërë në faqen e kompanisë “Albas”, ku promovohej lartë kontributi i ministres Nagavci si autore librash.

    Ky libër i titulluar “Aventurat tona të verës”, është publikuar në pesë vazhdime. Pos ministres, bashkëautore është edhe motra e saj Krenare Lleshi.

    Mirëpo, “Aventura” e Nagavcit me firmën “Albas” nuk përfundon vetëm te pranimi i një pagese, publikimi si dhe promovimi i politikanes Nagavci ai autore librash.

    Pjesa e dytë e “Aventurës”, përfshinë shumë më shumë. Një gamë të gjerë të sektorëve shoqëror e shtetëror. Buxhetin publik të shtetit të Kosovës, përkatësisht ministrisë së Arsimit që kontrollohet nga Nagavci, nxënësit e mësimdhënësit.

    Tash kur Nagavci është ngjitur në krye të ministrisë së Arsimit duket se nuk e ka harruar bashkëpunimin e mëhershëm me firmën “Albas”. Kompania nga Shqipëria është duke përfituar nga tenderët e ministrisë së Nagavcit. Mënyra e përfitimit është duke u kritikuar gjë që ka nxitur dyshime për aferë korruptive.

    Mbi 1 milionë e 200 mijë euro për “Albas”

    Deri në ngjitjen e Arberie Nagavcit e Vetëvendosjes në majat e pushtetit, kompania “Albas”, nga Shqipëria nuk shquhej për përfitime të tenderëve milionësh në Kosovë. Ndryshe ishte situata në Shqipëri. Atje fitonin më shumë. Në Kosovë, priten tetorin e vitit 2021 për të fituar tenderin e madh në vlerë prej 1 milionë e 200 mijë eurosh. Kjo vlerë ishte pjesë e tenderit të madh “Furnizim me libra për vitin shkollor 2020-2021”, i cili peshonte mbi 3 milionë euro. Pjesë të tenderit fituan “Dukagjini” me 1 milionë e 300 mijë euro, “Libri Shkollor” ka fituar 368 mijë e 862 euro, “Botimet Pegi Sh.P.K”, fituan 98 mijë e 903 euro, “NGL Berati”, ka fituar 136 mijë euro, “Shukri Klinaku”, ka fituar 125 mijë euro.

    Gazeta Insajderi kishte zbuluar se në këtë tender MASHT për herë të parë dyfishoi blerjen teksteve nga firma “Albas”.

    Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në këtë tender shpalli fitues 16 libra të prodhuara nga firma “Albas”, të cilat i dedikohen ciklit fillor dhe të mesëm të ultë. Përkatësisht klasave nga 3 deri në 8. Më herët për të njëjtën kategori bliheshin 6 deri në 8 libra të firmës “Albas”.

    Zyrtarët e MASHT kanë dhënë shpjegimin e tyre se pse “Albas”, kësaj radhe kishte fituar më shumë para në tenderin e blerjes së librave nga shteti. Sipas tyre, kjo ka ndodhur për shkak se ka ndryshuar forma e vlerësimit të teksteve shkollore.

    Në vitin shkollor 2021-2022 për herë të parë mësimdhënësit dhe shkollat i kanë përzgjedhur tekstet me të cilat do të punohet. MASHTI nuk ka vendosur cilat tekste shkollore do të shpërndahen në shkolla. Ky vendim iu është lënë në kompetencë shkollave dhe aktiveve profesionale sipas legjislacionit në fuqi. Për herë të parë është vendosur një standard i ri duke respektuar Ligjin për tekste shkollore, i cili parasheh tekstet alternative. Pra , mësimdhënësit në koordinim me Aktivet profesionale të shkollave, i kanë zgjedh tekstet mësimore më të përshtatshme për nxënësit e tyre”, thuhej në përgjigjën Iliriana Pylla, zyrtare e MASHT dhënë për Gazetën Insajderi.

    Për herë të parë është vendosur një standard i ri duke respektuar Ligjin për tekste shkollore, i cili parasheh tekstet alternative. Pra , mësimdhënësit në koordinim me Aktivet profesionale të shkollave , i kanë zgjedhu tekstet mësimore më të përshtatshme për nxënësit e tyre”, theksoi ajo.

    Zyrtarët e MASHT pohonin se ministrja Nagavci nuk është marrë personalisht me vlerësime të tenderuesve.

    Ministrja nuk ka deleguar as caktuar asnjëherë asnjë recensent. Përzgjedhja e tyre është bërë sipas legjislacionit në fuqi. Recesentët janë të pavarur në punën e tyre dhe ata propozojnë një ose më tepër dorëshkrime për botim, duke u ofruar shkollave mundësinë e zgjedhjes së lirë nga mësimdhënësit për tekstin që dëshirojnë ta përdorin”.

    “Albas”: Jemi kompani serioze, suksesi ynë nuk i atribuohet asnjë ministri

    Zyrtarët e kompanisë “Albas”, patën thënë se nuk kanë afërsi me ministren Arbërie Nagavci.

    Sipas tyre, Nagavci është njëra prej shumë bashkëpunëtorëve që firma ka pasur ndër vite.

    Librat që përmendni ju me bashkautore ministren janë të botuara në vitin 2018/2019 dhe se kuptojmë si mund të paragjykohemi për këtë gjë. Ne si shtëpi botuese 90% të bashkëpunëtorëve i kemi njerëz të letrave, studiues dhe profesorë të fushave të ndryshme, të cilët nesër mund të përfundojnë në institucione me të larta shtetërore”, thuhej në përgjigjen e kompanisë dhënë Gazetës Insajderi.

    Zyrtarët e kësaj kompanie kanë thënë se funksionojnë që nga viti 2000 dhe se janë të pranishëm me botime shkollore edhe në Kosovë tash e 22 vite.

    Albas si shtëpi botuese është nga më të njohurat dhe më seriozet në tregun e librit shkollor në të gjitha trevat shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Preshevë. Dhe rezultatet pozitive të saj nuk mund të vijnë nga ndihma e kujtdo ministri qoftë, por nga investimet e kësaj shtëpie botuese në redaksinë e saj me profesionistë të arsimit në bashkëpunim me autorë tepër seriozë”, thuhej në përgjigjën e kësaj shtëpie botuese.

    Po ashtu, zyrtarët e kësaj kompanie komentonin lidhur me rritjen e përfitimeve nga tenderi i fundit. Pohonin se në të kaluarën ishin dëmtuar dhe se librat e tyre kanë merituar që të përzgjidhen edhe në tenderët e viteve të kaluara.

    Në konkurset e viteve 2018/19 (pas 14 vjetëve) që u hapën për klasat 1-2, 6-7 dhe 10-11, Albasi aplikoi me 95% të dorshkrimeve dhe nga rezultatet e shpallura fitoi 27 tekste mbi 3 pikë. Por në këtë konkurs pavarësisht nga ligji për tekstet shkollore, u lejuan për përdorim në shkolla vetëm tekstet që kishin dalë të parat dhe asnjë tekst tjetër alternativ, ndonëse u shpallën fitues me mbi 3 pikë. Ndaj në katalogun e teksteve Albas figuronte me një numër më të vogël tekstesh fituese, të cilat me pikë ishin në vendin e parë”, thuhej në këtë përgjigje të shtëpisë botuese “Albas”.

    Padrejtësi ndaj “Albas”, sipas zyrtarëve të kësaj kompanie ishin bërë edhe në vitin 2020.

    Në konkursin e shpallur (2020) për klasën 3, 8 dhe 12, ne kemi konkurruar me 95% të dorëshkrimeve. në të cilat diku kemi qenë të parë dhe të vetëm, ndërsa diku kemi qenë të dytë ose të tretë, por mbi standardin 3. Po me vendimin e MASHT, për shkak të lejimit të alternativave, në secilën lëndë ku ka qenë vetëm një tekst fitues me mbi 3 pikë, në mënyrë automatike, ka kaluar edhe i dyti, edhe pse ndër standardin 3. Nga ky vendim jemi penalizuar edhe ne te librat ku kemi qenë në vendin e parë, pasi sot do të ishin të vetmit. Disa nga autorët tanë janë ankuar në ministri për këtë vendim”, pohonin zyrtarët e kompanisë “Albas”.

    Kjo kompani në përgjigjet dhënë Gazetës Insajderi nuk kishte pasur asnjë ankesë për tenderin e vitit 2021, të shpallur nga Ministria e Arsimit e udhëhequr nga Arbërie Nagavci, bashkëpunëtorja e kompanisë “Albas”.

    Përderisa “Albas”, ankohet se në tenderët e së kaluarës është eliminuar padrejtësisht, pikërisht kundër kësaj kompanie janë bërë kritika për përfitime në mënyrë të padrejtë. Ka qenë profesori Ardian Gojani, i cili ka kritikuar publikisht procesin e notimit të librave nga Ministria e Arsimit në tenderin multimilionësh për blerjen e librave shkollor.

    “Si mund të shpjegohet që më 2021 aprovohet teksti i fizikës nga shtëpia botuese Albas, përderisa ky dorëshkrim nuk e ka kaluar pragun e vlerësimit të vendosur nga Standardi i Teksteve Shkollore, dokument bazë për këto punë? Ky Standard e kërkon miratimin e tekstit vetëm nëse ky është i vlerësuar me më së paku notën 3, por ministrja e arsimit e shpërfill këtë kriter dhe e aprovon përdorimin e këtij libri në shkolla. Këtë vendim arbitrar mund ta arsyetoja disi po të bëhej fjalë për një libër të mirë, por e keqja është që libri është i krimbur me gabime të lëndës”, thuhet në statusin e postuar nga Gojani në rrjetin social Facebook. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark