×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Hulumtimi i Insajderit zbulon skemën e tenderëve që KEK ia dha të njëjtit biznesmen

    Insajderi
    12 May 2022 - 21:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Auditori i Përgjithshëm i shtetit ka gjetur se Korporata Energjetike e Kosovës ka blerë më shumë kushineta sesa kishte nevojë. Gazeta Insajderi ka zbuluar se kush është kompania që ka përfituar mijëra euro nga shitja e tyre, përmes kontratave të dyshimta.

    Pronari i “Eldi-Com”, biznesmeni Naim Bajgora, ka fituar gati 30% të ofertave publike të Korporatës Energjetike të Kosovës për blerjen e kushinetave të llojeve të ndryshme gjatë viteve të fundit.

    Gazeta Insajderi ka zbuluar se ndërmarrja me bazë në Prishtinë ka marrë më shumë se dhjetë kontrata nga kompania e prodhimit të energjisë në Kosovë.

    Vlera e tyre përgjatë viteve e ka kapur vlerën e mbi 76 mijë eurove.

    2018:

    1 qershor: 637 euro

    9 gusht: 24.968.80 euro

    24 gusht: 425 euro

    2019:

    19 qershor: 195.12 euro

    4 korrik: 3.205 euro

    7 gusht: 13.963 euro

    1 dhjetor: 11.756 euro

    24 dhjetor: 5.910 euro

    2021

    8 qershor: 13.825.20 euro

    1 shtator: 600 euro

    2022

    26 janar: 989.90

    KEK i ka dhënë gjithë kontrata, dhe jo vetëm – pavarësisht se nuk kishte nevojë për kushineta të llojeve të ndryshme.

    Kështu ka gjetur Auditori i Përgjithshëm i cili ka konstatuar se zyra e Prokurimit e KEK-ut nuk e kishe bërë planifikimin e prokurimit të tyre në mënyrë më efikase.

    Mbetja e stoqeve në depo për katër kontratat 12 muaj pas blerjes | Raporti i Auditorit të Përgjithshëm

    Zyra e Auditorit zbulon se 52% e kushinetave të blera kishin mbetur në depo për kontratën me numër 19-6561, 48% për kontratën 20-2952 e kështu me radhë.

    Nga katër kontratat e paraqitura nga grafikon ishin blerë 1 mijë e 712 kushineta nga të cilat në depo ende ishin 1 mije e 46 sosh, e për të gjitha këto kishte skaduar afati 12 mujor i garancisë.

    Gazeta Insajderi ka zbuluar që të katër kontratat e hetuara nga Auditori i shtetit, ishin fituar nga familja Bajgora, e cila e ka në pronësi ndërmarrjen “Eldi-Com”.

    “Megjithëse ka kartelë të veçantë për secilën kushinetë të blerë dhe dihet saktë se kur është pranuar kushineta e kur ka dalë nga depoja, as menaxhmenti i KEK-ut e as zyra e prokurimit nuk kishin informacion lidhur me këtë gjendje”, zbulon raporti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nga kjo rezulton se KEK-u ka blerë, pa pasur nevojë, një numër të konsiderueshëm të kushinetave, të cilave pavarësisht se iu kishte kaluar garancioni, nuk mund t’i kthente te operatori ekonomik, këtë rast te “Eldi-Com”.

    “Shkak për jo-efikasitet ishte komunikimi dhe koordinimi i dobët mes zyrës së prokurimit dhe njësive kërkuese. Njësitë kërkuese të ndryshme kanë bërë kërkesa ndërsa zyra e prokurimit i ka proceduar ashtu siç i ka pranuar, pa i diskutuar me njësinë kërkuese nëse patjetër duhet të bëhet secila blerje veç e veç në vend se të bëhen të gjitha përnjëherësh”, vazhdon tutje sqarimi në raportin e përpiluar nga Arben Selimi, udhëheqës i ekipit dje Armin Bushati, anëtar i Ekipit, transmeton Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, KEK-ut iu kanë nevojitur mesatarisht 67 ditë për zhvillimin e secilit nga aktivitetet e prokurimit, nga publikimi i tenderit deri te nënshkrimi i kontratës. Në secilin aktivitet është nevojitur të angazhohet staf për komisione të hapjes së ofertave, të tjerë për komisione të vlerësimit, si dhe për secilën kontratë nga një menaxher i kontratës./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark