×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    HULUMTIMI – Korporata Energjetike e Kurtit, Insajderi sjell dëshmitë se si u dërmua KEK-u gjatë 14 muajve të Vetëvendosjes në pushtet

    Insajderi
    06 April 2022 - 16:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një konkurs i hapur së fundmi nga Korporata Energjetike e Kosovës ka zbuluar aferën më madhe të punësimeve të njerëzve të afërt me kryeminstrin Albin Kurti. Por, gjithçka nuk ka nisur tash – Gazeta Insajderi sjell dëshmitë se si u dërmua KEK-u gjatë 14 muajve të Vetëvendosjes në pushtet.

    Gazeta Insajderi

    Skandali i punësimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës, nuk ka filluar të premten kur Gazeta Insajderi nisi serinë e shkrimeve ekskluzive që dëshmonin punësimet masive të militantëve të Vetëvendosjes në institucionin që prodhon energjinë elektrike për vendin.

    Gjithçka kishte zënë fill qysh në Qeverinë Kurti 1.

    Atë kohë, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Luigj Imeri, i cili ishte emëruar në prill të vitit 2020, nga Bordi i Përkohshëm i Qeverisë Kurti, kishte ngritur në pozita disa militantë partiakë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Albin Kurti dhe Luigj Imeri

    I avancuar në pozitë ishte Milot Podvorica, që ishte emëruar në pozitën këshilltar i lartë i Luigj Imerit.

    Podvorica edhe më herët kishte punuar në KEK si zyrtar ligjor, por e kishte lënë punën pezull, pasi ishte bërë këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

    I njëjti më herët ka qenë edhe asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, dhe në të njëjtën kohë ka marrë pagë edhe nga KEK.

    Milot Podvorica në takim me Albin Kurtin
    Milot Podvorica, atë kohë kandidat për asamblist të Prishtinës

    Podvorica është familjar i Drilon Tmavës, i cili ka fituar një post në KEK, në konkursin e fundit që ka hapur një nga ndërrmarrjet më të mëdha publike, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në pozitë ishte ngritur edhe një person tjetër që i ishte gëzuar tej mase ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti 1.

    Riza Dembogaj ishte emëruar ushtrues detyre në zyrën ligjore në KEK. Nga kjo pozitë ai ishte shkarkuar tri vjet më parë.

    Dembogaj që ishte larguar nga puna të cilën e mbante në Inspektoratin Policor të Kosovës, ditën që partia e Albin Kurtit mori pushtetin kishte shkruar: “Efekti i qeverisë së re qysh në ditën e parë. Hajnat, abuzuesit e parasë publike, kapësit e shtetit dhe shkelësit e ligjit janë në panik”, Gazeta Insajderi.

    Postimi i Riza Dembogaj në Facebook

    Imer Spanca po ashtu militant i Lëvizjes Vetëvendosje ishte ngritur në pozitë nga U.D së menaxherit në departamentin e ambientit. Krysheshefi i KEK-ut, Luigj Imeri e avancoi Spancen edhe pse nuk kishte asnjë parashikim as vlerësim nga stafi që duhet të ngritët në pozitë.

    Spanca është shumë aktiv në rrjetet sociale ku shfaq hapur përkrahje për Albin Kurtin. Madje ai nuk kursen as analistët e mediave duke i akuzuar se janë të paguar për ta kritikuar kryeministrin, shkruan Gazeta Insajderi.

    Postim i Imer Spancës në Facebook
    Postim i Imer Spancës në Facebook

    Pas lirimit të Imerit, Vetëvendosje sërish emëron njeri të saj për kryeshef të KEK-ut

    Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të KEK-ut, në janar të vitit 2021, kishte marrë vendim që të lirojë nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Luigj Imerin.

    Muaj pas këtij vendimi, në tetor të vitit 2021, Qeveria Kurti 2, për kryeshef ekzekutiv të KEK-ut, e kishte emëruar sërish një person të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Bëhet fjalë për Nagip Krasniqin, që në Vetëvendosje ishte drejtuesi i Komitetit për Energji. Ai shihet në disa takime me drejtues të lartë të kësaj partie politike që nga koha e Visar Ymerit e deri në takimet së bashku me tashmë zëvendës kryeministrin Besnik Bislimi.

    “Sot, nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Besnik Bislimi, drejtuesi i Komitetit për Energji, z. Nagip Krasniqi dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti pritën në takim një delegacion të nivelit të lartë nga Millennium Challenge Corporation (MÇ), të kryesuar nga drejtorja menaxhuese e MCC për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine, znj. Caroline T. Nguyen”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes të publikuar me 30 tetor 2019, transmeton Gazeta Insajderi.

    Besnik Bislimi, Nagip Krasniqi dhe Kreshnik Ahmeti gjatë takimit me delegacionin e nivelit të lartë nga Millennium Challenge Corporation (MÇ)

    Në krye të KEK-ut, ai u zgjodh atë kohë nga Bordi i përkohshëm nëpërmjet një konkursi në të cilin kishin konurruar 38 kandidatë.

    Bordi i Përkohëshëm ishte emëruar nga Qeveria Kurti, pa konkurs publik, deri në zgjedhjen e bordit me mandat të plotë.

    Bordi i përbërë nga drejtorët Rrezarta Pllana, Merita Kasapolli, Arbnor Pula dhe Bezad Halilaj e kishte vlerësuar me 37 pikë nga 40 të mundshmet Nagip Krasniqin. Bordi me pikë të larta i kishte vlerësuar edhe Nexhat Kryeziut, i cili ishte kandidatit për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje. Kryeziu u vlerësua me 31.5 pikë.

    Nagip Krasniqi ishte më i poentuari edhe sipas eksperteve Britanik të kompanisë BDO, të cilët ishin kontraktuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutim të pozitave të larta drejtuese. Krasniqi është vlerësuar me 26.5 pikë nga 40 të mundshme nga ekspertët britanikë dhe njëkohësisht sipas tyre ishte i vetmi kandidatë i emërueshëm, pra që i plotëson kriteret për emërim në krye të KEK-ut, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kurti doli kundër vendimit të tij, e bëri konsulent në KEK anëtarin 75 vjeçar të Vetëvendosjes

    Kryeministri Albin Kurti në prill të 2020-ës e kishte shkarkuar Bordin Drejtorëve të KEK-ut duke konsideruar se kishin bërë shkelje në punësimet e personave mbi moshën 65 vjeçare.

    “KEK-u ka punësuar kundërligjshëm persona mbi moshën 65-vjeçare të pensionimit dhe i ka mbajtur në punë për vite të tëra”, thuhej në vendimin e Qeverisë Kurti 1 në pjesën ku ishin renditur shkeljet në punësim, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, me të emëruar anëtarët e rinj të Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, në Qeverinë Kurti 2, në gusht të 2021, të “deleguarit” e kryeministrit, kishin angazhuar si konsulent anëtarin e shtyrë në moshë të Vetëvendosjes Gazmend Begolli. 

    Begolli, që kishte 75 vjeç, doli të ishte edhe i afërt i familjes së anëtarit të bordit të KEK-ut, Arbnor Pula.

    Anëtari i Vetëvendosjes ishte angazhuar si konsulent i KEK-ut në çështje teknike dhe operative për qëllime të mbarëvajtjes së projekteve vitale të korporatës.

    Në maj të vitit 2018, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte publikuar një fotografi ku zyrtarizonte anëtarësimin e Begollit në këtë parti.

    “Sot në Lëvizjen VETËVENDOSJE! u anëtarësua inxhinieri i diplomuar i makinerisë, mësimdhënësi dhe eksperti në fushën e energjisë dhe termo-energjetikës, z. Gazmend Begolli”, pati shkruar Kurti, transmeton Gazeta Insajderi.

    Gazmend Begolli në kohën e aderimit në Vetvendosje

    Begolli sipas kontratës, për pesë muaj që do të jepte këshilla për ndërmarrje që merret me prodhimin e energjisë, do të paguhej me nga mbi 2000 euro. Angazhimin e tij, atë kohë e kishte konfirmuar edhe KEK-u.

    Ndryshe në arsyetimin e KEK-ut për angazhimin e Begollit thuhet se ai ka një eksperiencë mbi 50 vjeçare në sektorin e energjetikës, ka përvojë mbi 30 vjeçare në menaxhim dhe përkrahje menaxheriale (kryesisht në termocentrale dhe impiante industriale), duke përfshi edhe të qenit udhëheqës ekzekutiv i dy Termocentraleve (Kosova A dhe për gati 5 vite me radhë).

    Pushteti i Vetëvendosjes aplikon suksesshëm në punësime metodën “Pronto”

    Një konkurs i hapur së fundmi nga Korporata Energjetike e Kosovës ka zbuluar skemën e punësimit të njerëzve të afërt me pushtetin e Albin Kurtit.

    Një nga deputetët e këtij të fundit, Halil Thaçi, ka ndikuar në punësimin e të afërmve të tij, dhe njerëzve të tjerë që e kanë mbështetur atë në fushatë zgjedhore.

    Halil Thaçi gjatë momentit të betimit si deputet

    Thaçi, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq, në institucionin që merret me prodhimin e energjisë elektrike ka punësuar dy familjarë të tij: Fatos Thaçin dhe Valon Gashin, zbulon Gazeta Insajderi.

    Valon Gashi i afërmi i Halil Thaçit

    Po ashtu, ai nuk e ka lënë keq as shokun e tij nga fëmijëria Florent Berishën.

    Ndikimi i deputetit shihet edhe në punësimin e mbështetësve të tij, dhe të Lëvizjes Vetëvendosje – siç janë Florim Tërholli, Bamir Shala, Besim Verrshevci e Besart Mehani, zbulon Gazeta Insajderi.

    Postimi i Florim Terhollit në Facebook
    Bahmir Shala dhe Halil Thaçi
    Besim Verrshevci dhe Halil Thaçi
    Postimi i Besart Mehanit në Facebook

    Ndryshe, nga konkursi i fundit i Korporatës Energjetike të Kosovës janë punësuar 128 persona.

    Por, pas presionit të madh, Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se do ta rishikojë procesin, pasi u raportua për punësime masive të militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në sqarimin e dërguar mediave, KEK thotë se është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit.

    Thuhet se të gjitha ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit.

    “Pavarësisht faktit se KEK ka bërë përpjekje për të respektuar kriteret e shpalljes publike si dhe dispozitat ligjore të Ligjit të Punës në fuqi dhe detyrimeve ligjore të dala nga aktet nënligjore për çështjen e rekrutimit të punëmarrësve, KEK është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”

    “Në këtë drejtim, KEK ju siguron se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces”, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas kësaj ndërmarrje, konkursi ka qenë për plotësimin e 150 pozitave të lira, për të cilat kishin aplikur 4 mijë e 668 kandidatë. Për 128 pozita janë publikuar rezultatet e përzgjedhjes, derisa për 17 pozita ende të pa plotësuara vazhdon procedura e rekrutimit si dhe për “5 pozita për të cilat nuk kemi pasur kandidat të suksesshëm, do të rishpallen në një të ardhme të afërt”.

    Për krejt këtë proces të dyshimtë, tashmë kanë nisur hetimet nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

    Sipas Prokurorisë, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi.

    Korporata Energjetike e Kosovës është ndërmarrja kryesore energjetike në Republikën e Kosovës. Asetet e kësaj korporate janë në pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Paga mesatare në këtë kompani është rreth 700 euro./Gazeta Insajderi/

    Lexo më shumë për aferën KEK-u:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark