Merr fund mallkimi më i famshëm i historisë së futbollit europian.
Benfika kthehet të festojë pas 11 finalesh ndërkombëtare radhazi të humbura, duke i dhënë fund mallkimit të Bela Gutman.
Ish-trajneri i luzitanëve, mallkoi në vitin 1962 klubin duke thënë
“As në 100 vite nuk do të jetë më Kampion Europe”, pasi vendosi të mos vazhdonte karrierën te Benfika meqë i refuzuan rritjen e rrogës.
Mallkimi ka marrë fund pas 60 vitesh dhe 11 finalesh të humbura: 5 në Ligën e Kampioneve (1963, 1965, 1968, 1988 dhe 1990), 3 në Ligën e Europës (1983, 2013 dhe 2014) si dhe 3 në UEFA Youth League (2014, 2017 dhe 2020).
Sot, Benfika e të rinjve triumfoi në finalen e UEFA Youth League, duke mundur me shifrat 6-0 Salcburgun dhe duke i dhënë fund këtij mallkimi që njihet gjerësisht në futbollin europian.
Një sukses i jashtëzakonshëm i luzitanëve, të cilët vazhdojnë të prodhojnë talente në akademinë e tyre me famë ndërkombëtare.