Ka futbollistë që e kanë të vështirë të luajnë pa vënë ndonjë bast. U pëlqen të kenë pak më shumë presion apo dëshirë për të fituar. Një nga ata është edhe mesfushori spanjoll, Cesc Fabregas. Ai ka një histori interesante kur veshi fanellën e Chelsea.
Gjatë një seance stërvitore spanjolli mendoi të sfidonte portierin Willy Caballero. Veterani e pranoi bastin e Fabregas për ta ndalur nga pika e bardhë e penalltisë. Mesfushori i premtoi se nëse e ndalte do t’i blinte një Range Rover.
Caballero, i motivuar ia doli t’ia priste penalltinë shokut të skuadrës dhe Fabregas duhet ta mbante fjalën e dhënë. A e mbajti? Deri diku, por portieri i Chelsea në njëfarë mënyrë nuk kishte çfarë thoshte.
Ndoshta më shumë e mërziti rrengu që Fabregas i bëri më pas. Ai shkoi direkt në një varrezë makinash dhe mori një Range Rover, model i vjetër, për vetëm 950 sterlina. Ajo as nuk ndizej, ndërsa Cabellero me sytë e mbuluar u dërgua tek makina.
Së bashku me Fabregas ishin edhe disa prej shokëve të tjerë të skuadrës së Chelsea, që u shkrinë së qeshuri në momentin që portieri pa makinën Range Rover që kishte fituar në bast me mesfushorin spanjoll.