×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Hyseni vazhdon ‘rrugën’ e Hazirit, e shpërblen me tenderë kompaninë më të shtrenjtë që ka akuza edhe për mashtrim

    Insajderi
    27 September 2022 - 13:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Alban Hyseni e ka shpërblyer me tre tenderë kompaninë “El-Bau”, pavarësisht çmimit më të shtrenjtë, por edhe akuzave për mashtrim, ndonëse në fushatë kandidati për kryetar të Gjilanit, që tash udhëheqë me të, pati premtuar se “me Lëvizjen Vetëvendosje kjo anomali do të marrë fund”.

    Në fushatën e zgjedhjeve lokale, Alban Hyseni, atë kohë kandidati për kryetar të Gjilanit, hidhte akuza të forta në drejtim të kundërkandidatit Lutfi Haziri.

    Ku i fundit, sipas tij, tenderët publikë të komunës së Gjilanit, ia jepte vetëm dy-tre kompanive.

    “Me Lëvizjen Vetëvendosje kjo anomali do të marrë fund, nuk ka privilegjim të një kompanie ose dy pronarëve të cilët janë të lidhur me ju”, i pati thënë Hyseni, Hazirit më 29 shtator, në një debat elektoral në Radio Televizionin e Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Alban Hyseni duke e akuzuar Lutfi Hazirin se tenderët publikë të komunës së Gjilanit, ia ka dhënë vetëm dy-tre kompanive, 29 shtator 2021 | Foto: YouTube, RTK

    Më pak se një muaj nga kjo datë, Hyseni e fitoi Gjilanin, dhe më pak se një vit pas kësaj deklaratë, “anomalisë” nuk i dha fund.

    Kryetari i Gjilanit, Hyseni, veproi njëjtë sikur pararendësi i tij, Haziri, duke i dhënë tenderë pikërisht kompanisë për të cilën e akuzonte ish-kryetarin e Gjilanit.

    Bëhet fjalë për kompaninë gjilanase, “El-Bau”, pronë e Fatlum dhe Suad Pirevës, shkruan Gazeta Insajderi.

    “El-Bau edhe këtu oferta më e shtrenjtë, sërish El-Bau…”, i thoshte Hyseni, Hazirit, duke e akuzuar se tenderët ia ka dhënë vetëm dy-tre kompanive, pavarësisht ofertave më të shtrenjta, përfshirë këtu edhe “El-Bau”-n, ndërmarrjen që merret kryesisht me ndërtimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e tyre.

    Akuzat ndaj Hazirit, dhe premtimi i Hysenit se “me Lëvizjen Vetëvendosje kjo anomali do të marrë fund” nga 1:19:51 sekonda | Video: YouTube, RTK

    Gazeta Insajderi i ka shkruar të parit të Gjilanit, Alban Hysenit, dhe e ka pyetur pse ka vepruar njëjtë sikur Haziri, kur e ka shpërblyer me tenderë “El-Bau”-n, kompaninë më të shtrenjtë, por i njëjti që nga e shtuna nuk ka kthyer përgjigje.

    “El-Bau” merr tre tenderë nga pushteti i Alban Hysenit

    Prej kur Alban Hyseni e ka marrë pushtetin, kompania “El-Bau” është shpërblyer së paku me tre kontrata nga komuna e Gjilanit.

    Në rastin e parë, më 29 korrik 2022, kompania e familjes Pireva e ka fituar tenderin për asfaltimin e rrugëve në lagjen e Vishnjeve, ndonëse nuk ka qenë kompania më e lirë.

    Vlera e këtij tenderi ishte 199 mijë e 877 euro, duke qenë kompania e dytë më e shtrenjtë në mesin e katër pjesëmarrësve, shkruan Gazeta Insajderi.

    “El-Bau” përzgjedhet fituese duke qenë kompania e dytë më e shtrenjtë në mesin e katër pjesëmarrësve

    Edhe në rastin e dytë, në kontratën që është dhënë më 8 shtator, “El-Bau” është përzgjedhur sërish fitues, duke qenë më i shtrenjti.

    Tenderi me titull: Rruga në lagjen Porodin, kanalizimi fekal dhe ujësjellësi, kapte vlerën e 95 mijë e 328 eurove.

    Ky çmim renditej i dyti në listën e ndërmarrjeve garuese për këtë kontratë, shkruan Gazeta Insajderi.

    “El-Bau” renditet i dyti në listën e ndërmarrjeve garuese për këtë kontratë

    Kompania “El-Bau” është shpërblyer me tenderin më të shtrenjtë edhe më 20 shtator të këtij viti.

    Bëhet fjalë për kontratën: Kanalizimi fekal Livoç i Epërm-Livoç i Ulët, dhe një pjesë e lagjes Kodra e Thatë, vlera e të cilit është 432 mijë e 573 euro.

    Edhe në këtë rast, komuna e Alban Hysenit, ka zgjedhur çmimin më të shtrenjtë, në mesin e katër ndërmarrjeve ofertuese, shkruan Gazeta Insajderi.

    “El-Bau”, kompania më e shtrenjtë, shpërblehet sërish nga komuna e Alban Hysenit

    Prijësi i Gjilanit është pyetur nga Gazeta Insajderi pse në të tre rastet e ka shpërblyer kompaninë më të shtrenjtë, por që nga e shtuna nuk ka kthyer përgjigje.

    Ai nuk ka treguar as nëse do të merr masa ndaj tre kontratave në fjalë, të nënshkruara nga Zyra e Prokurimit, të qeverisjes së tij komunale.

    Alban Hyseni, kryetari i Gjilanit, duke monitoruar punimet në një rrugë të qytetit që udhëheqë | Foto: Komuna e Gjilanit, Facebook

    Për çfarë akuza gjykohen pronarët e “El-Bau”?

    Në janarin e vitit të kaluar, në Gjykatën Themelore të Gjilanit, kishte nisur gjykimi ndaj Fatlum e Suad Pirevës, pronarëve të ndërmarrjes “El-Bau”, pas akuzave për mashtrim.

    Ata dyshohet se i kanë kryer punimet në kundërshtim me standardet e parapara profesionale, duke mos iu përmbajtur kritereve të parapara me përmasa dhe parametra, që i ishin vendosur nga komuna e Gjilanit. Me këtë rast kompania e ka mashtruar komunën, duke përfituar 2 mijë e 662 euro e 26 cent.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit Fatlum dhe Suad Pireva, më 22 maj 2015, si përfaqësues të autorizuar të “El-Bau” SH.P.K, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm nuk kanë realizuar rrugën sipas përmasës dhe parallogarisë së kontratës “asfaltimi  i rrugëve në lagjen VIII-Motrat Qiriazi dhe Hasan Tasini, kanalizimi në rrugën Riza Poliqka L-158 m, Malësia krahu nr. 2-L-161 m”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në kontratë ishte paraparë që gjatësia e rrugës “Motrat Qiriazi” të jetë L-857.30 m, kurse sipas raportit të ekspertit të ndërtimtarisë dhe inxhinierit të gjeodezisë, rruga është ndërtuar në gjatësi prej 847 m apo 10 m më pak.

    Tutje sipas aktakuzës, trashësia e asfaltit ishte paraparë të ishte 7 cm, nga ekzaminimet e ekspertit në terren ka rezultuar se nga matjet në 10 pikë në rrugë, shtresa ishte 6.1 cm, apo 515.57 metra katror më pak asfalt.

    Ndërsa në rrugën “Riza Poliqka” trashësia e asfaltit ishte paraparë të ishte 7 cm kurse sipas raportit të ekspertit asfalti ishte shtruar me trashësi prej 6.38 cm, të kthyer në metër katror janë 105.84 metra katror më pak asfalt, shkruan Gazeta Insajderi.

    Që nga fillimi i vitit të kaluar kur ka nisur gjykimi, e deri tash janë mbajtur disa seanca, shumë prej të cilave kanë dështuar, por ende nuk është marrë një vendim final ndaj Fatlum e Suad Pirevës.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark