×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    I arrestuar për rrahjen e një punëtori- Kush është pronari i firmës bullgare që Qeveria Kurti ia dha tenderin për rrugën Prishtinë-Mitrovicë?

    Insajderi
    04 March 2024 - 16:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompania nga Kosova “Eskavatori” dhe ajo nga Bullgaria “Hirdrostroyjanë kontraktuar për shtrimin e nëntë kilometrave rrugë në autostradën Prishtinë-Mitrovicë. Pronari i firmës bullgare, Veliko Zhelev, është ndër më të pasurit në Bullgari. Ai ka edhe precedent kriminal.

    Gazeta Insajderi

    Emri i Zhelev u bë i njohur ndërkombëtarisht vitin e kaluar, por jo për punë të mira. Ai u arrestua për shantazh dhe sulm fizik ndaj ish-punëtorit të tij, Blagoy Andonov, shkruan Gazeta Insajderi.

    I njëjti u lirua me kusht pasi mohoi se kishte sulmuar punëtorin e tij.

    Blagoy Andonov ishte drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit në kompaninë e Zhelevit – VDH.

    Zhelev e bleu kompaninë nga një person i lidhur me një deputet bullgar Delyan Peevski (tani i sanksionuar për korrupsion sipas Aktit Magnitsky).

    Zhelev përmendet edhe për keqpërdorim të kontratave publike.

    Në shkurt të vitit 2023, Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe e Punëve Publike në Bullgari arriti të zbulonte se një e treta e asfaltit mungonte në një autostradë afër Sofjes. Kompania fituese e ndërtimit të saj ishte “Hydrostroy” e biznesmenit bullgar.

    Sipas mediave bullgare, kërkesa ishte që asfalti të ishte 28 centimetra i trashë, por që Zhelev me kompaninë e tij e kishte shtruar vetëm 20 sosh.

    Emri i biznesmenit bullgar lakohet edhe në mediat në Fixhi.

    Tre shtetas bullgarë që ishin përfshirë në mashtrimin e dyshuar të ATM-ve në Fixhi kanë pranuar fajësinë.

    Simeon Stefanov Minçev, Veliko Zhelev dhe Plamen Dimitrov Petrov në Gjykatën e Magjistraturës në Lautoka u deklaruan fajtorë për akuzat.

    I akuzuari i parë Simeon Stefanov Minchev është akuzuar me një akuzë të veçantë për veprën penale të qasjes së paautorizuar në të dhënat e kufizuara për përdorimin e një pajisjeje për vjedhjen e të dhënave në Bankën Bred në Lautoka.

    Të akuzuarit e dytë dhe të tretë Veliko Zhelev dhe Plamen Dimitrov Petrov akuzoheshin për veprën ‘Përpjekje për qasje të paautorizuar në të dhënat e kufizuara’ në Bankën Bred në Namaka dhe instalim të një kamere në degën Westpac Namaka.

    Çka thanë pushtetarët sot për operatorët ekonomikë?

    “Të përkushtuar në maksimum”. Kështu u shpreh ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, për operatorët ekonomikë që fituan tenderin milionësh për shtrimin e nëntë kilometrave nga Lumi i Madh në Gojbulë.

    Pushtetarët u zotuan se punët do të kryhen për një vit.

    Kryeministri Kurti nga vendpunishtja shfrytëzoi rastin që të sulmojë pushtetet e kaluara për mos-punë.

    “Në të kaluarën ka pasur plane të dobëta e përgatitje të pakta dhe zvarritje të gjata. Tash, me Qeverinë tonë, ne kemi shumë përgatitje, plane të hollësishme andaj edhe punët janë të rregullta sipas procedurave, sipas ligjit me mbikëqyrje dhe me shpejtësi ku nuk do të mungojë angazhimi ynë, por edhe mbikëqyrja e këtyre kompanive si operatorë ekonomikë”, ka deklaruar Kurti.

    “Nga një rrugë e cila ishte me dy korsi, tash do të kemi rrugë nacionale me dy drejtime, secila me nga dy korsi. Përveçse korsia është 3,75 cm, do të ketë edhe një korsi ndihmëse anash, e cila do të jetë dy metra”, ka thënë tutje shefi i Qeverisë.

    “Kjo pjesë dihet që ka dendësi shumë të madhe të trafikut dhe është lajm i mirë për të gjithë qytetarët. Kjo bëhet pjesë e lidhjeve shumë më të mëdha. Sigurisht që është një ditë e mirë. Kompania nga Kosova, kompania nga Bullgaria punojnë bashkë, ndërkaq mbikëqyren nga një kompani nga Austria. Andaj, të gjithë qytetarëve të Republikës, urime dhe përgëzimë. Do të përpiqemi që punët të shkojnë mbarë, mirë dhe shpejt”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark