×
Hulumtime/Analiza / Analiza

I arrestuari ishte shpërblyer nga ministrja Hajdari me shkollim të shtrenjtë

Insajderi
18 August 2023 - 13:34
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Njëri nga të arrestuarit sot në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësis dhe Tregtisë ishte shpërblyer nga ministrja, Rozeta Hajdari. Bëhet fjalë për Ifran Lipovicën. Hajdari i kishte mundësuar Lipovicës shkollimin me parë të shtetit. Sot, Irfan Lipovica në cilësinë e Drejtorit të Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave u arrestua në vendin e tij të punës për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Insajderi ju sjell detajet.

Lipovica ishte zgjedhur për menaxhimin e 14.5 milionë eurove të projektit të Bankës Botërore, CERP. Por, paraprakisht atij i duhet shkollim, të cilin ministrja Hajdari ia paguan në shumën prej 12 mijë eurove në Universitetin Amerikan, pikërisht nga projekti që do ta menaxhonte ai.

Irfan Lipovica, atëkohë zv/Sekretari i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i ishte lënë në menaxhim një projekt i madh i kësaj ministrie. Projekti i Konkurueshmerisë dhe Gatishmërisë për Eksport (CERP) që kap vlerën 14.5 milionë eurove, e që financohet nga Banka Botërore.

Projekti CERP kishte për qëllim mbështetjen në certifikimin e produkteve për tregjet e eksportit, të forcojë kapacitetin e Bizneseve të orientuara kah eksporti, dhe të përmirësojë Konkurrueshmërin e tyre.

Por për menaxhimin e tij, sipas ministrisë Lipovicës i duhej shkollim shtesë. Për këtë arsyeje edhe ishte marrë vendimi, që Lipovicës t`i paguhet shkollimi nga ky dikaster qeveritar.

Lipovica ka zgjedhur që studimet e tij të masterit, t`i vazhdojë në  Universitetin Amerikan në Kosovë, (RIT-KOSOVA AUK), e që është i vetmi institucion arsimore që lëshon diploma amerikane.

Shkollimi i tij, shtetit i kushtoi shtetit hiç më pak se 12 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

Vetë Lipovica në formularin e deklarimit të pasurit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kishte konfirmuar se ka një borxh prej plotë 12 mijë euro për studime, në Universitetin Amerika në Kosovë (RIT-AUK).  

Në po të njëjtin formular Lipovica, shkruan se ky borxh do të paguhej nga Ministria e Tregtisë.

“Obligimi ndaj universitetit RIT Kosovo do të mbulohet nga projektet e donatorëve që mbështesin ngritjen e kapaciteteve institucionale mege fusha e studimit ka të bëj me natyrën e punës që e bëj”, thuhet në deklarimin e pasurisë së Lipovicës bërë në vitin 2021.

Gazeta Insajderi, kishte mësuar se pjesa e parë e këstit të shkollimit të Lipovicës, veçse ishte paguar. Shuma e këstit rezultoi të jetë 4 mijë euro.

Por në Ministrinë që drejtohet nga Rozata Hajdarit, nuk po e konsideronin master programin ku po merrte avancim Lipovica. Ata deklaronin se ishte vetëm një trajnim.

“Ju informojmë se nuk është financuar magjistratura për zyrtarin publik në fjalë, por është financuar trajnimi apo programi i trajnimit edX, që është pjesë e programit të magjistraturës dhe është 1/3 e programit”, thuhej në përgjigjet e MINT dhënë Insajderit.

Në përgjigjen me shkrim të MINT thuhej se “shpenzimet janë realizuar në kuadër të shpenzimeve operacionale të projektit”

Kurse në pyetjen se pse ishte dashur që Ministria e Tregtisë, t`ia paguaj masterin atëkohë sekretarit Lipovica, thonin se financimi ishte bërë për ta mbështetur Lipovicën në ngritjen e kapaciteteve, pas sipas tyre ai pas vetes ka një projekt milionësh.

Programi i trajnimit edX është program në menaxhimin e projekteve dhe Sekretari i Ministrisë e drejton projektin, prandaj mbështetja në ngritjen e kapaciteteve sa i përket menaxhimit të projekteve konsiderohet mbështetje në përmirësim të efikasitetit të menaxhimit më të mirë të resorëve të projektit, duke pasur parasysh menaxhimin e një projekti në vlerën prej 14.5 milionë euro”, thuhej në përgjigjet e MINT dhënë Insajderit.

Për të arsyetuar se shkollimi i paguar nga paratë e shtetit ishte i drejtë dhe jo favorizimin ndaj Lipovicës, Ministra thirrej edhe në ligjin ku zyrtarët publik kanë të drejtën të përmirësojnë aftësitë profesionale për vendin e punës.

E drejta e financimit për aftësim profesional është e mbështetur në legjislacionin në fuqi, konkretisht në Ligjin për Zyrtarët Publikë 06/L-114, neni 23 – E drejta e formimit dhe aftësimit profesional, citat: “Nëpunësit civilë kanë të drejtën të përmirësojnë aftësitë profesionale për vendin e punës nëpërmjet formimit profesional dhe trajnimeve të vazhdueshme të financuara nga fondet publike, nga donatorë të huaj apo nga të ardhurat vetanake”, thuhej më tej në përgjigjen e tyre.

Pas raportimit të Gazetës Insajderi, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e shkarkoi nga detyra e sekretarit Irfan Lipovicën, vetëm pastaj ai u emërua Drejtori të Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave.

Ndërkohë sot, Irfan Lipovica është dërguar në mbajtje për 48 orë. Përveç tij, e njëjtat masë iu shqiptua drejtorit të Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara si dhe pronarit të “Bukë e Zemër”, Ridvan Muharremit. Ata po dyshohen për keqpërdorim me rezerva shtetërore.

/Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark