Arrestohet Safet Kyqyku. Edhe pse ai ishte i dënuar me 6 muaj burgim për veprën penale organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, ai ka rënë prapa grilave. Por, jo i vetëm. Bashkë më të janë arrestuar edhe dy djemtë e tij.
Gazeta Insajderi mëson se ata janë Ilirian Kyqyku dhe Përparim Kyqyku.
Bashkë me ta janë arrestuar edhe 10 persona të tjerë të dyshuar për vepra penale të “Fajdes”, Detyrimit” dhe “Organizimi i Skemave Piramidale dhe Bixhozit të Paligjshëm”.
Në mesin e të dyshuarve është edhe një zyrtari policor, Luan Bytyqi. IPK njoftoi mbrëmë për arrestimin e tij.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe:
Serkan Gunay, Armend Danqeli, Demokrat Kurtaj, Hetem Xhekaj, Burim Kurtaj, Adem Gashi, Agim Suka, Enis Gunay dhe Visar Tabaku.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin duke e quajtur si aksioni “TOTO”
Në njoftimin e tyre thuhet se janë arrestuar 13 të dyshuar.
Gjatë operacionit janë kontrolluar 19 lokacione vendbanime dhe lokale, ku disa prej të dyshuarve janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave online të bixhozit.
“Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: para të gatshme 55.388 euro, 1700 franga zvicerane, 50.000 lek, 100 dollar 1320 dinar serb, dy armë zjarri, 39 copë fishek, 29 telefona celularë, 1 kompjuter laptop, 2 USB, 350 pako cigare pa banderola dhe 6 vetura”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.
Të gjithë të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Po ashtu lidhur me rastin, detaje jep edhe Prokuroria:
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se gjatë një hetimi disa mujor në bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe me Gjykatën Themelore në Prizren, me datë 05.10.2022 kanë zhvilluar një aksion të koduar me emrin “TOTO”, me ç’rast janë arrestuar të gjithë të dyshuarit – trembëdhjetë (13) persona, në mesin e të cilëve është edhe një (1) zyrtar policor. Lidhur me këtë rast janë bastisur- kontrolluar 19 lokacione (vendbanime dhe lokale), dhe në cilësi të provave janë sekuestruar:
– Para te gatshme – 55,388.00 euro (44,861.00 bankënota dhe 10.527.00monedha të metalta);
– Para të gatshme – 1,700.00franga zvicerane;
– Para të gatshme – 50,000.00 lek;
– Para të gatshme – 100.00 dollar;
– Para të gatshme – 1,320.00 dinar serb;
– Dy (2) armë (një e shkurtë dhe një gjysmë- automatike);
– Tridhjetë e nëntë (39) copë municion;
– Njëzet e nëntë (29) telefona mobil;
– Një (1) Kompjuter llaptop;
– Dy (2) USB;
– Treqind e pësëdhjetë (350) pako cigare pa banderola;
– Gjashtë (6) vetura.
Personat e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor Prokuroria Themelore në Prizren për të njëjtit, do të kërkoj nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit.
Të pandehurit e arrestuar, dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294, “Fajdeja” nga neni 331, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, “Sulmi” nga neni 184, “Detyrimi” nga neni 328 dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.