Milot Cakaj është një nga miqtë më të ngushtë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kjo dëshmohet edhe nga fotografitë e përbashkëta të kryeministrit me Cakajn gjatë kohës sa po udhëhiqnin protestat sutdentore më 1997-ën. Cakaj ia ka parë Kurtit hairin më shumë se një herë. Më 2020-ën, ai u zgjodh këshilltar politik i kryeministrit, ndërkaq së fundmi është bërë edhe zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Më saktësisht, dosti i Kurtit do të mbikëqyrë financat. Gazeta Insajderi ka siguruar CV’në e Cakajt, në të cilat janë të përfshirë diploma e tij dhe përvoja e punës:
Cakaj është caktuar zëvendësguvernator me një vendim të 24 janarit të këtij viti, bashkë me Nesrin Shileku- Shala.
“Zëvendësguvernatorët e emëruar znj. Nesrin Shileku – Shala dhe z. Milot Cakaj do të jenë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme”, u tha në njoftimin e BQK’së.
Për Milot Cakajn pati kritika lidhur me afërsinë e tij që ka me kryeministrin, Albin Kurti. Ai para gati katër vitesh ishte emëruar këshilltar politik i tij, si dhe ishte mik i Kurtit përgjatë periudhës së studimeve.
Albin Kurti (në të majtë) dhe Milot Cakaj (në të djathtë)
Gazeta Insajderi ka dërguar kërkesë për qasje në dokumente publike në Bankën Qendrore të Kosovës, duke kërkuar dokumentet e nevojshme për transparencën e konkursit.
BQK’ja iu është përgjigjur pozitivisht kërkesës, për çka ka përcjellë edhe CV’në e Milot Cakajt të cilën e ka dërguar në konkursin për plotësimin e pozitës së zëvendësguvernatorit për mbikëqyrje financiare, të hapur më 4 dhjetor të 2023-ës.
Në CV-në e Cakajt, të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, dosti i Kurtit prezanton diplomën e tij të bachelorit. Nga të dhënat që shoku i studimeve të kryeministrit ua ka prezantuar BQK’së, thuhet se ai ka diplomuar në Inxhinieri Softuerike dhe Inxhinieria e Sistemeve në UBT. Periudha e studimeve përfshin 2008-2012.
Duke u bazuar në të dhënat personale që Zyra e Kryeministrit ka prezantuar për Cakajn, rezulton se ai ka diplomuar në moshën 37-vjeçare.
Në përvojat e tij të punës, ai e prezanton veten si specialist të lartë të menaxhimit të projekteve dhe analist të lartë të të dhënave dhe menaaxher i portofolios në Raiffeisen Bank në periudha të ndryshme kohore.
Tek pjesa e përvojës së punës, Cakaj përfshin edhe angazhimin e tij si këshilltar i kryeministrit Kurti përgjatë periudhës mars-qershor 2020, gjegjësisht gjatë kohës Qeveria Kurti I.
“Pjese e kabinetit te Kryeministrit, ne kapacitetin e keshilltarit politik i angazhuar ne sektorin e energjise dhe ekonomise, me fokus te vec;ante ne sektorin financiar”, thuhet në pjesën e përshkrimit të punës.
Në njohuritë e tij gjuhësore, Cakaj prezanton nivel akademik në të shkruar gjuhën shqipe dhe atë angleze.
I njëjti ka mohuar se ka pasur më herët vepër penale dhe se s’ka familjar që i punon në BQK.
Dosti i Kurtit s’e ka të përfshirë në CV angazhimin e tij në Koorporatën Energjetike të Kosovës (KEK), e cila iu prezantohet nga ana e Zyrës së Kryeministrit si pjesë e biografisë në njoftimin zyrtar të emërimit të tij si këshilltar politik më 2020-ën. Në CV-në e tij që ua ka dërguar BQK’së s’përmendet as angazhimi i tij si asistent në UBT, të cilën e përmend ZKM’ja.
“Paraprakisht ka qenë mbi 7 vjet në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ai ka të përfunduar kolegjin UBT, si inxhinier i shkencave kompjuterike, ku disa vite ka qenë i angazhuar si asistent”, thuhet në përshkrimin që ia bën Zyra e Kryeministrit Cakajt në njoftimin e emërimit të tij.
Ecuria e konkursit për emërimin e Cakajt zëvendësguvernator
Banka Qëndrore e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka njoftuar se për pozitën që e ka marrë Cakaj kanë aplikuar 15 kandidatë, prej të cilëve tetë janë përzgjedhur për intervistim.
“Pas vlerësimit të performancës së intervistës dhe bazuar në plotësimin e kushteve të konkursit, sipas poentimit ka rezultuar se tre (3) kandidatë kanë qenë të emërueshëm. Të emërueshëm janë konsideruar kandidatët të cilët i kanë plotësuar kërkesat i përshtatshëm dhe i duhur, si dhe të cilët i kanë kaluar shtatëdhjetë (70) përqind të pikëve nga intervista, përqindje e caktuar si prag paraprakisht”, thuhet tutje në përgjigjen që BQK’ja ia ka dërguar Insajderit.
Nga renditja e tre kandidatëve të emërueshëm, Cakaj radhitet i pari me 75 pikë. Rrjedhimisht, me gjysmë pike më shumë sesa vendi i dytë dhe vetëm një pikë më shumë sesa vendi i tretë.
“Në bazë të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës është propozuar për t’u përzgjedhur në pozitën e Zëvendësguvernatorit kandidati me më së shumti pike”, vijon përgjigja e Bankës Qëndrore.
Insajderi ka kërkuar në përputhshmëri me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike nga BQK’ja edhe kualifikimet e kandidatëve të tjerë që kanë aplikuar për të njëjtën pozitë, mirëpo në përgjigjen e tyre thuhet se s’mund të ofrohen për hir të ruajtjes së privatësisë së tyre.
Miqësia e Cakajt me Kurtin
Albin Kurti gjatë kohës sa ishte student, bashkë me Milot Cakajn, Bujar Dugollin, Muhamet Mavrajn, Driton Lajçin e të tjerë udhëhiqnin protestat studentore të 1 tetorit të 1997-ës.
Cakaj bashkë me Kurtin po ashtu ishin edhe pjesë e kabinetit të përfaqësuesit politik, Adem Demaçi pranë Zyrës Politike të UÇK-së.
“Vendosëm lule të freskëta dhe bëmë nderime te varri i Adem Demaçit këtu në Prishtinë, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufcën, me zëvendësin e bacës Adem si përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së në Prishtinë e vitit 1998-1999, ish të burgosurin politik Skënder Kastrati dhe kolegun tim nga zyra e UÇK-së, Milot Cakajn në përkujtim të një figure aq të jashtëzakonshme saqë unike të kombit shqiptar”, thuhej në postimin e Kurtit. /Insajderi.org/