19:40 - 30 Shtator 2022

Një video e publikuar nga alpinistja e njohur kosovare, Mrika Nikqi tronditi jo vetëm qytetin nga ajo vjen, Pejën por edhe të gjithë Kosovën. Në video shihet një person i cili e sulmon seksualisht të njëjtën. Insajderi, nga burime të sigurta merr vesh se personi i dyshuar është Flori Beqiraj.

Beqirajt tashmë i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë, pas ngjarjes që ndodhi me datë 27 të këtij muaji.

Por, kush është Flori Beqiraj?

I dyshuari që sulmoi seksualisht alpinisten, studimet i kreu në Universitetin Publik të komunës së Pejës “Haxhi Zeka”.

Drejtimi në të cilin përfundoi studimet ishte “Kontabilitet dhe Financa”.

Më pas, i dyshuari për sulmin seksual u punësua si zyrtar në kompaninë e sigurimeve “Eurosig” poashtu në Pejë.

Në gusht të këtij viti, Beqiraj gjithashtu u fejua, kjo konfirmohet nga fotografitë që i njëjti ka në rrjetin social facebook.

Çka “e lidh” Beqirajn me Nikqin, është fakti se të dy merren me alpinizëm.

Sipas burimeve të Insajderit, ai rrjedh nga një familje e respektuar dhe mjaft e njohur në qytetin e Pejës.

Mrika Nikqi, përmes një postimi në facebook njoftoi se me datë 27 të këtij muaji ishte sulmuar seksualisht, por e njëjta nuk kishte dhënë detaje se kush ishte i dyshuari që ishte kapur nga policia e Kosovës.

Postimi i saj në facebook

“Shokë e shoqe, po ju njoftoj për një rast i cili me ka tmerruar plotësisht !

Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës.

Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt.

Në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjarë i juaji. Unë dhe familja u jemi mirënjohës organeve kompetente dhe qytetarëve të cilët me angazhimin e koordinuar, dhe shumë shpejtë, mundësuan identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit i i cili ka lënë një vragë të shëmtuar në jetën time.

Video:

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar sot se e ka arrestuar të dyshuarin me inicialet F.B.

“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se pas punës intensive me Policinë e Kosovës, ka identifikuar dhe arrestuar një person (me inicialet F.B) i cili dyshohet se me datën 27 shtator të këtij vitit ka sulmuar seksualisht viktimën femër”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.

“Pas identifikimit, i njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Sulmi seksual’ nga neni 229, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të shqyrtoj mundësin e paraqitjes se kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente dhe gjithashtu lidhur me ketë çështje penale do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”.

Babai i saj, alpinisti i njohur kosovar, Arianit Nikqi, ka publikuar një shkrim në facebook.

Sipas tij, ky është rast shumë brengosës për të gjithë qytetarët.

Ai shkroi se është mirënjohës ndaj organeve të rendit dhe qytetarëve që ndihmuan në zbulimin e kësaj vepre.

“Mirënjohës për kordinimin efikas të organeve të rendit dhe qytetarëve të shqetësuar, të cilët ndihmuan ne zbulimin e këtij veprimi të poshtër”, ka shkruar ai në facebook.