×
  • Lajme
  • Insajderi

    I humbën zgjedhjet, si e mori në heshtje kontrollin e UP-së organizata e lidhur me Vetëvendosjen

    Insajderi
    21 June 2022 - 18:24

    Studim Kritikë Veprim, organizata e lidhur me partinë në pushtet, Vetëvendosje, ka marrë kontrollin e Parlamentit Studentor. Nuk doli e para në zgjedhje, por ka përdorur një formë tjetër për të ardhur në pushtet. Insajderi sjell detajet

    Insajderi

    Edhe pse me hapa të ngadaltë, në heshtje të plotë “Vetëvendosje” ia arriti që ta marrë “në dorë” edhe Parlamentin Studentor.

    Ani pse rezultati i organizatës “studentore” të themeluar nga aktivistë të Vetëvendosje nuk ishte më i miri i garës në këto zgjedhje, koalicioni ishte “dritë në fund të tunelit për ta”.

    Këtë vit në zgjedhjet studentore garuan gjithsej 5 organizata. Unioni Demokratik i Studentëve, Studim Kritikë Veprim, Reforma, Paqja Studentore dhe Iniciativa Studentore Progresi.

    Me datë 10 të këtij muaji, studentët e Universitetit të Prishtinës votuan për përfaqësuesit e tyre të dëshiruar.

    Procesi zgjedhor kishte komplikime në orët e hershme të mëngjesit, por më pas gjithçka shkoi si u planifikua, përpos rezultateve.

    Procesi i votimit ishte mbyllur rreth orës 20:00, ndërkaq rezultatet u publikuan përafërsisht në orën 21:00, kjo pasi sistemi i votimit për herë të dytë ishte online.

    Rezultatet përfundimatare shpallën fituese organizaten UDS, krejt kjo pasi të grumbulluara ishin plot 5439 vota apo 43.77%. E dyta në radhë ishte organizata e dirigjuar nga Vetëvendosje me 3327 vota apo 26.77%. Në vendin e tretë u pozicionua REFORMA me 2642 vota apo 21.26%.

    Ndërkaq si e 4-ta ishte Paqja Studentore me gjithsej 839 vota apo 6.75% dhe e fundit ISP me vetëm 179 vota apo 1.44%.

    Por çka ndodhi më pas?

    Dëshira që Vetëvendosje “të uzurpojë” pothuajse secilin institucion edhe pse pa zhurmë nuk kaloi pa u vërenjtur. Të ftuar në një studio televizive, përfaqësuesit studentor nga radhët e SKV-së nuk e mohuan as edhe njëherë që “pushteti është në dorën e tyre”.

    Që përpos institucioneve tjera të rëndësishme të “kapet” edhe UP-ja, SKV arriti një koalicion me organizaten Reforma, rrjedhimisht kjo bëri që Parlamenti tanimë në krye t’i ketë të dy organizatat.

    Ky vendim u kundërshtua ashpër nga organizata studentore UDS.

    Përmes një postimi në Facebook, përfaqësuesit shprehën pakënaqësite e tyre rreth vendimit për bashkëpunim mes organizatës së dyte e të tretë. Krejt kjo pasi sipas tyre ata nuk përfaqësojnë shumicën e studentëve.

    “Të zgjedhurit e ri në krye të Parlamentit Studentor nuk e kanë shumicën e votave të studentëve, rrjedhimisht nuk mund ta përfaqësojnë zërin studentor. Ne do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore përmes organeve kompetente deri në realizimin e së drejtës tone”, thuhet në postimin e organizatës.

    Ndër të tjera aty cekën edhe parregullsi të tjera para datës së zgjedhjeve dhe gjatë procesit, organizata në fjalë akuzoi edhe profesorë, pasi sipas tyre ata bënë ndërhyrje në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.

    “Megjithëse i jemi drejtuar Këshillit Drejtues me kërkesë për përsëritjen e zgjedhjeve në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike për shkak të ndërhyrjeve të stafit akademik, sot është thirrur mbledhja për konstituimin e Parlamentit Studentor pa u shqyrtuar ankesa jonë”, thuhet në postim.

    Me datë të njejtë, edhe organizata “studentore” SKV publikoi një shkrim në rrjetin social Facebook, por ndryshe nga UDS, këta të fundit po kumtonin lajmin që Parlamenti Studentor ishte konstituar, anipse Këshilli Drejtues e kishte të pranuar një kërkesë për zgjedhje të reja në FIM.

    “KONSTITUOHET PARLAMENTI STUDENTOR

    Sipas marrëveshjes së arritur mes SKV-së dhe organizatës studentore “REFORMA”, sot u konstitua Parlamenti Studentor me këtë përbërje:

    Qlirim Hoti, kryetar

    Albin Halimi, sekretar

    Albë Lala, nënkryetare

    Bleron Beka, nënkryetar”, thuhej në postimin e SKV-së.

    Kush ia mbajti krahun SKV-së në zgjedhje?

    Duke e ditur afërsinë që SKV ka me Vetvendosjen, “mburoja” e tyre në ditën e zgjedhjeve padyshim që ishte Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    Pak pas raportimit të mediave se sistemi elektronik për menaxhimin e studentëve SEMS u bllokua, vend ky ku studentët votonin online. Ministrja e “frikësuar” se mos po i bëhet dëm SKV-së doli me një reagim.

    Në raportimin e mediave thuhej se që nga ora 08:30 deri në 10:45, studentët nuk kishin mundësi të votonin për shkak të ngarkesës që pësoi sistemi.

    Megjithëse jashtë kompetencës së saj, Nagavci shkroi se nëse procesi vazhdon të bllokohet, zgjedhjet duhet të anulohen dhe organet kompetente të merren me çështjen.

    “Ndonëse jemi në rrethana të lehtësuara pandemie, Universiteti kishte vendosur që ato të mbaheshin online. Vetëm një orë pas fillimit të procesit, sistemi i votimit ka rënë dhe studentët nuk po mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit. Si ministre, shpreh shqetësimin për këto lëshime. Kam kontaktuar me përfaqësues të Universitetit, studentë dhe monitorues dhe dua të deklaroj se poqese ky proces vazhdon të ketë probleme dhe lëshime, zgjedhjet duhet të anulohen dhe organet kompetente të marrin vendimin që siguron që asnjë studenti nuk i mohohet e drejta e zgjedhjes”, tha Nagavci.

    Fjala për mbështetjen nga Nagavci ishte në ditën e zgjedhjeve, por nëse analizohet mbështetja e VV-së në tërë aktivitetin e SKV-së, mund të konstatohet se janë në pyetje “365” ditë.

    Është e vështirë që brënda një radhe fotografishë në faqen zyrare të organizatës në fjalë të mos jenë edhe fytyrat e njohura për publikun, pra pushtetarët.

    Dëshmi e kësaj është edhe takimi me kryetarin e komunës së Gjilanit nga radhët e VV-së, Alban Hyseni.

    Takim ky i realizuar më 21 prill të këtij viti, në të cilin ishin “diskutuar” disa çështje, duke nisur nga bursat e komunës dhe marrë veshje të tjera të nënshkruara me UP-në.

    Kurse me datë 1 prill, aktivistët u takuan edhe me shefin e ekzekutivit, Albin Kurti.

    Nga njoftimi për takimin e realizuar mes SKV-së dhe Vetëvendosjes, mund të konstatohet se më shumë ishte lavd për punën e qeverisë përgjatë një vit sesa kërkesa që morën përgjigjie nga Kurti.

    “Heqja e tarifave për semestër dhe paraqitje të provimeve, 1365 bursa nga një mijë euro për vajzat dhe gratë që studiojnë në fushat STEM, 100 vende për punë praktike me pagesë, kompensim prej 200 euro në muaj, për studentët e Universitetit të Prishtinës, 100 mijë euro bursa për studentët që studiojnë në universitetet më elitare jashtë vendit….”, thuhej në postim.

    Se a do të përdoret pushteti në të mirën e studentëve apo vetëm në të mirën e partisë, mbetet të shihet pas 1 tetorit të këtij viti. Datë kjo ku fillon edhe punën udhëheqësia e re./Insajderi.org

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark