×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “I largojmë policinë nëse bandat kriminale kthehen ne Serbi”, ky ishte kushti i Kurtit përpara një muaji

    Insajderi
    11 July 2023 - 23:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaronte përpara një muaji se mund të rishikohet largimi i Policisë nga ndërtesat e komunave në veri, por që së pari bandat e dhunshme kriminale, duhet të kthehen në Serbi apo të hyjnë në burg.

    Ai këtë e pati thënë në një intervistë për BBC-në, por edhe në një konferencë për media për gazetarët, pas kidnapimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Në këto tri komuna, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, i kemi tri ndërtesa, dhe nëse jo kryetarët, atëherë kush duhet të jetë në to? Nëse nuk janë për kryetarët, kujt i shërbejnë ato? Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kështu duhet të jetë. Ne mund të rishikojmë largimin e Policisë nga këto ndërtesa, por së pari bandat e dhunshme kriminale, të cilat kanë sulmuar e plagosur gazetarët, policët tanë dhe ushtarët e NATO-s, duhet të kthehen në Serbi apo të futen në burg”, deklaronte ai.

    Kësisoj, Kurti thoshte se nuk mund të dorëzohet Republika demokratike te “milicia fashiste”.

    Megjithatë, ajo me çka deklaronte Kurti përpara një muaji është krejt larg asaj me atë çka u dakordua dje zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik BIslimi me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

    Qeveria sot bëri të ditur se është dakorduar për tërheqjen për 25 për qind të prezencës policore në veri dhe dakordim për mbajtje të zgjedhjeve në katër komunat veriore pas përfundimit të verës.

    “Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm për 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark