Nuk njihet në publik. Me emër të njëjtë ka ekzistuar një person që ka pasur një biznes, por edhe ai qe tri vite është i shuar. Por, Kapllan Muriqi nga Peja po tenton që përfundimisht t’ia marrë Komunës së Pejës mbi 7 hektarë tokë, Në zonën e shtrenjtë të Rugovës. Për dëshmi ka prezantuar një dokument të shtatorit 1997. Edhe një procesverbal të atij muaji, që ndër personat që e nënshkruan është edhe një ish-zyrtar i Komunës së Pejës i dënuar më 2016-ën nga Gjykata sepse pronën publike e shndërroi në pronë private- në natën e vitit të ri 2007. Një betejë ligjore tashmë ka nisur. Insajderi sjell detaje nga ky rast.
Visar Duriqi
Në mbrëmjen e 11 e 12 shtatorit të vitit 1997 Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte organizuar atë që e quajtën ‘aksioni i përgjithshëm”. Ramush Haradinaj, një nga komandantët e luftës në Zonën Operative të Dukagjinit do ta kujtonte këtë aksion vite më vonë.
“Cak i sulmeve ishin 11 objekte të policisë së pushtuesit, stacione famëkeqe ku keqtrajtoheshin qytetarët e Kosovës së okupuar”, pati shkruar ai.
E bash në këtë kohë, pak ditë më vonë, më 25 shtator 1997 Kapllan Muriqit dhe një qytetari tjetër, del që nga komuna e Pejës iu njoh pronësia për një tokë hiç më pak se sa mbi 7 hektarë. Zona e Rugovës.
Me këtë dokument të vitit shtatorit të vitit 1997, Kapllan Muriqi ka nisur një betejë ligjore që tash këtë pronë përfundimisht ta regjistroi në emër të vetin.
Në njoftimet publike të shitjes së pronave në zonën ku Kapllani po pretendon se është prona e tij prej mbi 7 hektarësh, në fshatin Koshutan, del që 14 ari shiten deri në 7 mijë euro. Në një njoftim tjetër, po për në fshatin e njëjtë të Rugovës, bëhet me dije që sipërfaqja prej 61 ari shitet për 130 mijë euro.
Personi me emrin Kapllan Muriqi del që të ketë pasur të hapur një biznes në Pejë që nga viti 2000, por që është jo-aktiv që nga qershori i vitit 2022.
Por, nismën e Muriqit që me vendimin e vitit 1997 ta regjistroi tash, në vitin 2022, si pronë të vetën këtë parcelë prej mbi 7 hektarësh, e ka kundërshtuar Komuna e Pejës.
Në një vendim që e ka siguruar Gazeta Insajderi, të nxjerr nga Drejtoria për Çështje Pronësore Juridike, Komuna e Pejës konstaton se Kapllan Muriqi madje nuk figuron kurrkund në listat e atyre që iu është njohur e drejta e pronësisë në kohën që ai ka sjell vendimin.
“Referuar kërkesës.. të parashtruar nga Kapllan Muriqi i cili kërkon nga Drejtoria për Çështje Pronësore Juridike për njohjen e të drejtës se Pronësisë në parcelen kadastrale nr.173/1 në sipërfaqe prej 7.45.00 ha në ZK Koshutan e cila në regjistrat kadastral evidentohet Pronë Shoqërore e Fshatit Koshutan KK Pejë. Në arkivin e Drejtorisë për Çështje Pronësore-Juridike nuk ka Vendime të regjistruara të cilat è kanë njohur të drejtën e pronësisë në bazë të Uzurpimit sipas Vendimit nr.05-466-5/97 të datës 25.09.1997”, thuhet në vendim.
Dhe, për më shumë, fjalë për fjalë Komuna e Pejës ngre dyshime për vendim të kundërligjshëm.
“Në Vendimin e lartcekur personi njihet si Uzurpator me vetë-inicim, andaj në regjistrin e Uzurpimeve për territorin e Rugovës dhe territorin rrafshinor të cilëve Komisionet për Uzurpime iu ka njohur të drejtën e pronësisë ku janë të evidentuar personat si Uzurpator dhe ku ju njihet kjo e drejtë, personi në fjalë fare nuk është i regjistruar në regjistrin e Uzurpimeve me çka Drejtoria për Çështje Pronësore-Juridike konstaton se Vendimet të tilla janë nxjerr në kundërshtim me dispozitat ligjore të kohës dhe dyshime të bazuara se janë Vendime të nxjerra në mënyrë të kundërligjshme për njohjen e një të drejtë në pronësi sipas uzurpimit me vetë-inicim- në Pronën Shoqërore të fshatit Koshutan. Andaj ankesa është e pa pazuar”, thuhet në vendimin e Komunës së Pejës.
Vendimi i vitit 1997, u prezantua si i vërtetë në vitin 2022
Insajderi ka folur me avokaten që e mbron Komunën e Pejës, dhe që e ka përfaqësuar atë pasi që qytetari Kapllan Muriqi i pakënaqur me këtë vendim, nisi një betejë ligjore në Gjyq.
Shëndrita Muriqi-Berisha, ka shpjeguar për Insajderin se si nisi krejt kjo betejë ligjore. Zbulon se pos Kapllan Muriqi, në fillim në këtë rast ishte edhe një tjetër i afërm i tij, Zekë Muriqi.
“Në gjykatën themelore në Prishtinë, departamenti për çështje administrative është parashtruar padi administrative kundër vendimit të Agjencisë Kadastrare të Kosovës nga paditësi Kaplan Muriqi, të cilin e përfaqëson avokat Salih Mekaj dhe ndaj të paditurve Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Drejtoria për Çështje Pronësore Juridike, komuna e Pejës. Ne si komunë e Pejës në seancën gjyqësore e kemi kundërshtuar padinë e paditësve, pasi që fillimisht në në referatin e padisë është i paraqitursi palë vetëm paditësi Kaplan Muriqi, ndërsa në ë diapozitivin e kësaj kërkesë-padie janë të parashtruar dy palë, Kaplan Muriqi dhe Zekë Muriqi. E kjo nënkupton që padia është e parregullt, mirëpo gjykata gjatë procedurës nuk ka marrë asnjë veprim që ta që të kërkojë nga i Autorizuari i palës që ta rregullojë padinë”, ka thënë avokatja Shëndrita Muriqi-Berisha për Insajderin.
Insajderi ka folur edhe me avokatin e Kapllan Muriqit në këtë rast, që është Salih Mekaj.
“Pala ka në disponim një Aktvendim të dhënë nga Komuna e Pejës, Sekretriatit për urbanizëm, punë komunale e banesore me numër rendor 05-466-5/97, të datës 25.09.1997, në bazë të cilit Aktvendim është plotësuar Aktvendimi i po të njëjtit organ me numër 05-466-5/81, i dates 16.12.1981. Me këtë Aktvendim klientit tim Kapllan Muriqi dhe një qytetari tjetër, u është njohur e drejta e pronësisë në ngastren kadastrle 173/1 në sipërfaqe prej 7.45.00 ha, si uzurpues arbitrar të tokës në pronësi shoqërore, e drejtë që u është njohur uzurpuesve të tokave në pronësi shoqërore në bazë të ligjeve që kanë qenë në fuqi në atë kohë”, i ka thënë Insajderit avokati Mekaj.
Aktvendimi në fjalë, sipas avokatit Salih Mekaj, “është në origjinal, me numër të protokolit dhe datë të nxjerrjes së tij, përmban të dhënat për organin që e ka nxjerrë këtë vendim, përmban datën e plotëfuqishmërisë, vulën emrin e personit që e ka nxjerrë vendimin, nënshkrimin e tij dhe nënshkrimin e një personi tjetër në këndin e majtë ku janë të shtypura edhe inicialet e tij”.
Procesverbalin e vitit 1997 e nënshkroi edhe zyrtari i Komunës së Pejës i dënuar nga Gjykata më 2016
Por, pos vendimit, mbrojtja e Kapllan Muriqit ka prezantuar edhe një procesverbal mbi të cilin edhe është nxjerr vendimi, e që është i datës 12 shtator 1997, dy javë para se të nxjerrej vendimi.
“Përveç këtij aktvendimi, pala e ka sjellë edhe një Kopje të Proceverbalit nga seanca dëgjimore palëve që i ka paraprirë marrjes së këtij aktvendimi e i cili përmban datën 12.09.1997, dhe është I nënshkruar nga palët dhe dy persona zyrtar”, thotë për Insajderin avokati Salih Mekaj.
Insajderi e ka në posedim këtë dokument. Një nga personat që e ka nënshkruar këtë procesverbal është edhe Shahin Belegu.
Në dhjetor të vitit 2016, Gjykata Themelore në Pejë e pati gjetur fajtor Belegun dhe Sami Krasniqin për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria e ngarkonte atë kohë të akuzuarin Shahin Belegu se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, nuk e ka dërguar një lëndë për azhurim në librat përkatës. Gjithashtu, organi akuzues e ngarkonte Belegun se më 31 dhjetor 2007 ka nxjerr vendime të kundërligjshme, me të cilat pronën publike e bartë në pronë private.
Avokatja Berisha: Dyshojmë se vendimi është i falsifikuar
Edhe pse mbrojtja e Kapllan Muriqit ka paraqitur dy dokumente të shtatorit të vitit 1997, një procesverbal të nënshkruar edhe nga Shani Belegu që më vonë u dënua, dhe një vendim, për të cilin ka dyshime për përmbajtjen e tij, Shëndrita Muriqi-Berisha që përfaqëson Komunën e Pejës në këtë proces, i ka thënë Gazetës Insajderi se ende qëndrojnë prapa konstatimeve se këte dokument nuk e kanë gjetur. Prandaj, ngre dyshime se është i falsifikuar
“Ende qëndron prapa asaj që në Komunën e Pejës nuk gjeni një vendim i tillë që dyshohet të jetë i falsifikuar, gjë për të cilën ne do të ndërmarrim masa më tutje”, ka thënë avokatja Muriqi-Berisha.
Avokati i Kapllan Muriqit në anën tjetër këmbëngul në vërtetësinë e vendimit të vitit 1997.
“Këto dokumente janë në origjinal dhe nuk kam pas anjë dyshim në autenticitetin e tyre. Pala me ka deklaruara se këto dokumente gjatë luftës i ka ruajtur në një shishe të plastikës të futur në dhe”, ka thënë për Insajderin Salih Mekaj.
Ai dyshon në konstatimin e Komunës së Pejës se nuk po e gjejnë këtë vendim, që sipas tij, Kapllan Muriqi e ka ruajtur gjatë luftës në një shishe që e ka futur në dhe.
“Unë nuk e di dhe nuk mund ta dijë nëse ky Aktvendim është i regjistruar në regjistrin e lëndëve të kësaj natyre, por e dij së në Kundërshtimin e palës së paditur, e që është komuna e Pejës, është thënë së ky aktvendim nuk është i regjistruar në regjistrat e tyre dhe për dëshmi kanë ofruar një ekstrakt të këtyre regjistrave me 48 lëndë të regjistruara nga viti 1968 deri në vitin 1979 dhe vetëm një lëndë e vitit 1981. Pas vitit 1981 në këtë regjistër, nuk ka të regjistruar asnjë lëndë, ndonëse e kam të njohur së ka pas me qindra e qendër lëndë të kësaj natyre që janë trajtuar në vazhdimësi”, ka thënë Mekaj.
Ai thotë se si avokat “nuk kam asnjë arsye për të kërkuar ekzaminimin e këtyre dokumenteve, për deri sa nuk kam dyshuar së nuk janë origjinale, por Komuna e ka pasur dhe e ka kurdoherë këtë mundësi që ta kërkoj një gjë të tillë, për deri sa pohon së një vendim i tillë nuk gjindet në Komunë, në mënyrë që vërtetohet nëse dokumentet janë origjinale apo jo”.
Avokatja që mbron Komunën e Pejës në këtë rast, Sndërit Muriqi-berisha, i ka thënë Insajderit se sikur të kishte ekzistuar një vendim i tillë, “paditësi do të kishte shprehur kërkesën për ta i zotëruar pronën e tij qysh herët, sepse kanë kaluar mbi tridhjetë vite”.
Pse Kapllan Muriqi, kur e posedonte këtë dokument, nuk bëri kërkesë më herët që ti merrtke mbi 7 hektarë pronë të shtrenjtë në zonën e Rugvës, për kët Insajderi e ka pyetur edhe avokatin e tij, Salih Mekaj. Ai thotë që nuk e di pse nuk e ka bërë këtë më herët, por ka nisur procedurat tek në vitin 2022.
“Nuk e kam të qartë nëse pala ka tentuar me parë regjistrimin e të drejtës së pronësisë në bazë të këtij aktvendimi dhe nëse jo pse nuk ka tentuar, sepse nuk e kam diskutuar këtë rrethanë me të”, i ka thënë Insajderit avokati Mekaj.
Komuna këmbëngul: Nuk lejojmë të merret prona në mënyrë të kundërligjshme
Avokatja Shëndritë muriqi-Berisha në bisedën e zhvilluar me Insajderin thotë se nuk do të lejojnë që pronat e Komunës së Pejës të merren, sipas saj, në mënyrë të kundërligjshme.
“Nuk Lejojmë asnjëherë që pronat e komunës të merren në mënyrë joligjore nga qytetarët. Në qoftë se dikur ka pasur vendime në bazë të cilave është njohur pronësia e pronarëve në bazë të uzurpimeve, kjo është bërë në përputhje me Ligjin mbi rregullimin e raporteve të sajuara në bazë të uzurpimeve arbitrare të sajuara në tokën e pronësisë shoqërore”, thotë ajo.
Muriqi thotë se madje edhe ligji në të cilin po tentohet të merret kjo pronë në zonën tashmë të shtrenjtë të pronave në Rugovë të Pejës, ësshtë shfuqizuar.
“Ky ligj është shfuqizuar në vitin 1989. Prandaj, vendimi i vitit 1997 në bazë të cilit pretendon të drejtën e tij aditësi është i nxjerrë pas kohës kur është shfuqizuar ligji, i cili ka rregulluar këtë çështje.”, ka thënë për Insajderin Avokatja Shëndrita Muriqi-Berisha
Ajo ka shprehur edhe vërejtjet se si në këtë rast po vepron Gjykata.
“Ne kemi bërë vërejtje, sepse paditësi gabimisht i është drejtuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës kundër vendim që juridike pronësore të Komunës së Pejës”, ka thënë ajo.
Sipas Muriq-Berishës, Komuna e ka “kundërshtuar këtë bazë juridike gjatë procedurës, po ashtu e kemi dërguar një parashtresë sipas së cilës i kemi bërë vërejtje Gjykatës, fillimisht që paditësi gabimisht i është zyrtar Agjencisë Kadastrale të Kosovës, sepse kundër vendimit të Drejtorisë për Çështje Pronësore Juridike, i cili thotë që për ankesë në organin e shkallës së dytë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, sepse përgjegjëse për vendimet e Drejtorisë është Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve të Detjtorisë për Çështje Pronësore Juridike, ndërsa sikur të ishte një vend sikur të ishte bërë ankesë ndaj vendimit të Drejtorati për Kadastra, atëherë do të ishte kompetente Agjencia Kadastrale e Kosovë”, ka thënë ajo.
Sipas avokatës që përfaqëson Komunën e Pejës në këtë lëndë, gabimisht edhe është parashtruar padia në Gjykatën për Çështje Administrative.
“Ne kemi bërë një vërejtje të tillë, por gjykata nuk e ka marrë parasysh vërejtjen pavarësisht vërejtjes që i kemi bërë, e ka aprovuar, siç e thënë bazuar në kërkesë, padinë e paditës sikurse në aktgjykimin që ia kemi dërguar si provë. Ne po ashtu do të bëjmë ankesë kundër këtij aktgjykimi për faktin se në ankesë nuk nuk është treguar se kujt i kthehet çështja në rishqyrtim, sepse duke qenë dy palë Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Komuna e Pejës dhe të dyja jemi thirrur që nuk jemi kompetente, po ashtu kemi bërë vërejtje ndaj aktvendimit të cilit me të cilin paditësi pretendon si i takon një e drejtë e caktuar dhe kemi kërkuar nga gjykata për shqyrëtimin e atij vendimi, gjë për të cilën gjykata fare nuk ka vendosur”, ka thënë avokatja Muriqi-Berisha.
Derisa Komuna e Pejës pritet që të bëjë ankesë në vendimin e Gjykatës që këtë qeshtje e kthen në ri-vendosje, dhe mund që si komunë edhe të kërkoj hetimin e dokumentit të shtatorit vitit 1997, avokati Salih Mekaj që përfaqëson Kapllan Muriqin në këtë rast, ka kumtuar për Insajderin një fitore të deri tanishme në këtë betejë ligjore.
“Ju njofton se Gjykata Themelore-Departamenti Administrativ në Prishtinë, me aktgjykimin A.nr.342/2023, të datës 07.09.2023, e ka anuluar aktvendimin përfundimtar administrative dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje për arsye procedurale”, ka thënë për Insajderin avokati Mekaj./Gazeta Insajderi