“Nota nuk ka rëndësi, e rëndësishme është të bëni pritje dhe ta ndihmoni ekipin tuaj si portier”. Kështu u shpreh Etrit Berisha, direkt pas fitores së çmuar të të tijve në stadiumin “Maradona”, ku vetë ishte protagonist absolut me pritjet e jashtëzakonshme.
Një barrikadë e pakalueshme për Napolin, një nga protagonistët kryesorë, përveç golashënuesit Kovalenko, në fitoren “in extremis” të Empolit ndaj kampionëve italianë në fuqi. “Gardiani” shqiptar veshi dorezat për ta mbrojtur portën në një ditë të jashtëzakonshme për të, teksa ishte i zoti në zmbrapsjen e disa goditjeve tinëzare të Napolit.
Një notë shumë të lartë vlerësuese ka marrë Berisha, por për të ka pak rëndësi, sepse vetëm rezultati dhe tri pikët vlejnë shumë, kanë më tepër rëndësi. Në fund të ndeshjes, ai foli për Dazn:
“Nota pas ndeshjes nuk ka rëndësi, e rëndësishme është të ndalosh gjuajtjet. Kishim nevojë për një paraqitje të tillë dhe ishte e rëndësishme ndaj një skuadre të madhe. Unë mundohem gjithmonë të tregohem i gatshëm dhe të ndihmoj sa më shumë të jetë e mundur skuadrën. Të gjithë portierët kanë ulje e ngritje, por besimi i trajnerit është i rëndësishëm.
Kam kaluar një periudhë të vështirë, por i përket të kaluarës dhe tani dua vetëm të siguroj mbijetesën e Empolit. Pritja e dyfishtë ndaj Kvara dhe Lindstrom? Dy pritje të rëndësishme, por ajo ndaj Lindstrom ishte më e vështirë, sepse nuk e pashë të nisej topi.
Trajneri Andreazzoli? E njeh skuadrën, është person që të jep këshilla të vlefshme dhe ia del që të na sigurojë gjithmonë qetësi të madhe. Me kaq të rinj, ndoshta kemi pak ndrojtje, por ai arrin të na bëjë të ndjehemi të qetë sa herë që flet”.
Dhe nuk vonoi vlerësimi për paraqitjen e djeshme të shqiptarit. Portali i mirënjogur ndërkombëtar “Goal”, në versionin italisht, e ka përfshirë portierin e kombëtares kuqezi në top-formacionin e javës së 12-të të Serie A, përkrah disa emrave të tjerë.
Vlerësimi përkatës për Berishën, me këtë rast, është ky: “Me pritjet e tij madhështore e mbajti në barazimin 0-0 ekspeditën e Empolit kundër Napolit, në stadiumin ‘Maradona’, para goditjes në frymën e fundit që iu dha toskanëve tri pikët”.