Insajderi
Analiza

Dosja e 10 përqindëshit – Si nuk lëshonin pe për ryshfet vartësit e Përparim Ramës

Insajderi
28 January 2026 - 15:40
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dosja e 10 përqindëshit – Si nuk lëshonin pe për ryshfet vartësit e Përparim Ramës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria ka ngritur një dosje penale ndaj Dukagjin Gashit, Afrim Gashit dhe Bashkim Sadikut, tre zyrtarë të lartë të Komunës së Prishtinës, të cilët dyshohen se, në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshjeje paraprake, kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronari i kompanisë “Dardania SHPK”, në këmbim të ekzekutimit të pagesave për punë të kryera në kuadër të tenderit për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në kryeqytet.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, gjatë muajit janar 2026, të pandehurit Afrim Gashi, zyrtar i lartë për infrastrukturë rrugore dhe menaxher i kontratës për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Prishtinë, Dukagjin Gashi, udhëheqës i sektorit për menaxhimin e mbeturinave dhe ambientit, si dhe Bashkim Sadiku, zyrtar i lartë për energji, dyshohet se kanë shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin zyrtar për përfitim personal.

Të pandehurit kanë takuar Ekrem Gashin, pronar i kompanisë “Dardania SHPK”, fituese e tenderit “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve – Lot 1”. Gjatë këtyre takimeve, ata dyshohet se i kanë kërkuar ryshfet në vlerë 5,500 deri në 6,000 euro, apo rreth 10 për qind të vlerës së dy faturave të papaguara, për t’ia mundësuar pagesën.

Faturat në fjalë ishin në vlerë 27,384.08 euro dhe në vlerë 28,010.40 euro, që lidhen drejtpërdrejt me kontratën e mirëmbajtjes dimërore.

Dosja zbardh edhe ngjarjet e datës 27 janar 2026, kur sipas Prokurorisë, të pandehurit kishin planifikuar pranimin e ryshfetit. Rreth orës 08:40, në rrugën “Zagrebi” në Prishtinë, Afrim Gashi dyshohet se ka pranuar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 2,000 euro nga i dëmtuari, brenda një veture të tipit Audi A4, me ç’rast është arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës.

Më pas, rreth orës 09:49, i dëmtuari është takuar me Dukagjin Gashin afër shkollës “Gjergj Fishta” në Prishtinë. Edhe pse paratë ishin nxjerrë për t’u dorëzuar, Dukagjin Gashi, sipas dosjes, ka refuzuar t’i pranojë duke i thënë “jo, jo, leje njëherë”, dhe ka shtuar se do të takoheshin sërish.

Ndërkohë, rreth orës 10:40, i dëmtuari është takuar me Bashkim Sadikun në zyrën e tij në katin e katërt të objektit të Komunës së Vjetër të Prishtinës. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Dukagjin Gashi, i cili i ka thënë Sadikut: “hec shko kryej qatë punë që të thash, edhe mos e diskuto po nisu menjëherë”, duke e ndërprerë komunikimin me të dëmtuarin.

Në të njëjtën bisedë, Dukagjin Gashi dyshohet se e ka pyetur të dëmtuarin nëse ishte takuar atë ditë me Afrim Gashin, duke përmendur se Afrimi ndodhej “te Muhaxherët”, duke iu referuar stacionit policor.

Për këto veprime, prokuroria vlerëson se Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashkim Sadiku, në bashkëkryerje, kanë konsumuar edhe veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në kërkesën e saj për caktimin e masës së paraburgimit, Prokuroria e Shtetit vlerëson se ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit, nëse do të mbroheshin në liri, do të mund të pengonin rrjedhën normale të procedurës penale, përmes asgjësimit ose fshehjes së provave, si dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në dëshmitarë dhe bashkëpandehur.

Prokuroria vlerëson se të pandehurit kanë vepruar me dashje direkte për përfitim material, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare për të kërkuar ryshfet në vlerë 5,500 deri në 6,000 euro, për punë që sipas kontratës ishin tashmë të përfunduara në terren nga operatori ekonomik.

Sipas kësaj logjike, veprimet e tyre kishin për qëllim jo vetëm përfitimin personal, por edhe dëmtimin e drejtpërdrejtë të dëshmitarit, duke e detyruar atë të veprojë në dëm të pasurisë së vet, ndërkohë që zyrtarët do të përfitonin në mënyrë të kundërligjshme nga buxheti publik.

Të tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës u arrestuan gjatë një aksioni më 27 janar. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark