Ibrahimi: Qeveria po u vë çelësin bizneseve, rritja e tarifave të energjisë do të shkaktojë kolaps ekonomik - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ibrahimi: Qeveria po u vë çelësin bizneseve, rritja e tarifave të energjisë do të shkaktojë kolaps ekonomik

    Insajderi
    09 May 2025 - 21:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ilir Ibrahimi nga Klubi i Biznesit, ka deklaruar se rritja e çmimit të energjisë elektrike në mes të vitit është shokuese për secilin biznes.

    Sipas tij me këtë bizneseve po u vihet çelësi.

    Ibrahimi thotë se të gjitha bizneset janë për treg të hapur të energjisë, por që hapja e tregut në këtë moment do të thotë mbyllje e ekonomisë.

    “Unë ju siguroj se rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë do të shkaktojë një kolaps ekonomik. Pastaj, kush duhet ta marrë përgjegjësinë që, duke u munduar ta hapësh tregun, po e mbyll ekonominë? Kjo temë nuk po trajtohet seriozisht nga organet kompetente – ndoshta edhe nuk kanë pritur një ngritje kaq të madhe të tarifave. Të gjithë kanë pritur që tarifat do të rriten 20-30%. Kompanitë që do të merren me furnizim të bizneseve do të varen komplet nga çmimi i importit – bursa e Hungarisë – sepse nga prodhimi vendor do të furnizohen vetëm amvisëritë. Ky vendim është marrë nga ZRRE-ja për të garantuar një furnizim me energji elektrike. Pra, bizneset do të paguajnë shumë më shtrenjtë energjinë elektrike sesa konsumatorët e amvisërisë”, ka thënë Ibrahimi.

    Ibrahimi ka kërkuar që qeveria dhe ZRRE-ja t’u japin kohë edhe për një vit bizneseve që të dalin në treg të hapur, sepse as bizneset e as furnizuesit nuk do të mund të arrijnë që të nënshkruajnë marrëveshje deri më 1 qershor.

    Përveç kësaj, sipas tij, ka edhe diskriminim mes bizneseve për shkak të kritereve të paracaktuara, ngase një pjesë e bizneseve do të preken nga rritja e tarifave e një pjesë jo.

    “Ta marrim një shembull konkret: marketet që janë nëpër lagje nuk do të preken nga rritja e tarifave për bizneset, sepse jo vetëm prodhuesit i prek kjo rritje, por edhe shitësit me pakicë që janë marketet e mëdha. Rritja e tarifave për 250% për këto markete do të thotë edhe rritje të çmimit të produkteve, por kjo nuk do të ndodhë edhe te marketet e vogla dhe kështu bëhet edhe çrregullimi i tregut dhe është edhe diskriminuese”, ka shtuar Ibrahimi.

    Sipas tij, me këto veprime, qeveria e vendit po e shkatërron ekonominë, derisa fare nuk po merret me këtë çështje, e cila për një vit që ta mbajë ekonominë e hapur, qeverisë do t’i kushtonte rreth 50 milionë euro, që është shumë më pak, por shumë më produktive sesa ndihma nga 100 euro që ka dhënë më herët.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark