Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka publikuar një poster informues me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi infeksionin HIV/AIDS, duke bërë thirrje të fortë për informim, testim dhe mbrojtje, si dhe për luftimin e stigmës e diskriminimit.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga IKSHPK, gjatë periudhës 1 janar – 17 korrik 2026, në Kosovë janë regjistruar 21 raste të reja me HIV dhe 2 vdekje si pasojë e kësaj sëmundjeje.
IKSHPK sqaron se HIV është virusi që dobëson sistemin imunitar, ndërsa AIDS përfaqëson fazën më të avancuar të këtij infeksioni. Instituti nërmend se me zbulimin e hershëm dhe trajtimin në kohë, virusi mund të mbahet nën kontroll, duke u mundësuar personave të infektuar një jetë të gjatë, të shëndetshme dhe cilësore.
Në materialin informues përmenden edhe mënyrat kryesore të transmetimit të virusit:
-marrëdhëniet seksuale të pambrojtura;
-kontakti me gjak të infektuar;
-transmetimi nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose ushqyerjes me gji.
Njëkohësisht, IKSHPK thekson se HIV nuk transmetohet përmes:
-kontaktit të përditshëm;
-përdorimit të përbashkët të enëve;
-përqafimeve dhe shoqërimit;
-pickimit të mushkonjave.
Instituti u bën thirrje qytetarëve të testohen, duke nënvizuar se testimi është i thjeshtë, i shpejtë dhe konfidencial, ndërsa testimi i hershëm shpëton jetë.