Ahmad Al-Tayyib, imami i madh i Al-Azhar, institucioni më i madh sunnit i Islamit me seli në Kajro, duke dënuar “sulmin terrorist” kundër kishës në qytetin Rouen në Francë ka thënë se autorët e këtij sulmi barbar, janë zhveshur nga vlerat e njerëzimit.
“Janë larguar nga principet e tolerancës së Islamit, që predikon paqe dhe urdhëron të mos vriten të pafajshmit. Islami urdhëron respekt për të gjithë vendet e kultit të mos myslimanëve”, ka thënë imami.
Por nga ana tjetër si një përgjigje ndaj apelit të Imamit, vjen deklarata e fundit e ISIS-it me një video të re të postuar në ueb pas sulmit në kishën e Rouenit.
Përmes kësaj video Shteti Islamik paralajmëron Francën që sulmet e tij në Europë do të vazhdojnë deri në ndaljen e bombardimeve ajrore të koalicionit ndërkombëtar ndaj qyteteve të kontrolluara nga njerëzit e Kalifatit në Siri dhe Irak.