Imami i Ferizajt, Ilmi Rexhepi publikisht është deklaruar kundër zgjedhjes së Myftiut të Kosovës nga Bashkësia Islame e Kosovës. Ai, duke ‘goditur’ Myftiun, Naim Tërvana, ka kërkuar kreu i BIK’ut të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli e jo brenda Bashkësisë, shkruan Gazeta Insajderi.
Aktualisht Myftiu i Kosovës zgjidhet nga votat brenda Bashkësisë Islame të Kosovës. Këto vota vijnë nga njerëzit që janë zgjedhur një vit me parë në Këshillat lokale të Bashkësisë e që kryesisht marrin bekimin nga Myftiu, Naim Tërnava.
Imami Rexhepi ka kërkuar që BIK’u të rithemelohet dhe të financohet nga shteti. “Kjo ide-kërkesë mund të mbështetej edhe në formë peticioni, që mund ta nënshkruanin anëtarët e Bashkësisë Islame për t’ua dërguar dy kuvendeve: Kuvendit të Bashkësisë Islame dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shkruan Rexhepi në Facebook.
Ky është postimi i tij i plotë:
Për Bashkësinë Islame të Rithemeluar
E kam thënë më parë, po e ritheksoj. Bashkësia Islame e Kosovës, që të fuqizohet roli i saj, që të vihet në rrjedha të mbara e që t’i pëmbahet agjendës vendore; duhet rithemeluar duke u vendosur në statutin e saj neni kryesor që kryetari i Bashkësisë Islame të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli (nga anëtarët e Bashkësisë Islame përfshirë edhe mërgatën e jo më nga 60 veta të emëruar).
Po ashtu duhet të kërkohet fuqishëm që Bashkësia Islame të financohet nga shteti.
Kjo ide-kërkesë mund të mbështetej edhe në formë peticioni, që mund ta nënshkruanin anëtarët e Bashkësisë Islame për t’ua dërguar dy kuvendeve: Kuvendit të Bashkësisë Islame dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Rithemelimi, në këtë rast, do të thotë vazhdimësi, por duke u rregulluar në thelb çdo gjë sipas rendit fetar e demokratik e jo sipas makinacioneve të një strukture të caktuar.