×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Incident në Ministrinë e Mbrojtjes – Axha i Glauk Konjufcës iu bërtet rezervistëve të Ushtrisë së Kosovës

    Insajderi
    14 July 2022 - 20:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, krerët e shtetit kishin paralajmëruar se do të marrin masa shtesë për sigurinë në vend. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti mbajtën një varg takimesh me përfaqësuesit e mekanizmave të sigurisë – vendorë e ndërkombëtarë.

    Përveç angazhimit të krerëve të shtetit edhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj kishte thënë se Kosova do të rrisë numrin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Mirëpo, kjo nuk i ka bërë përshtypje edhe këshilltarit politik të ministrit Mehaj dhe njëherit axhës së Glauk Konjufcës, Rabit Konjufcës.

    Kjo u vrenjtë në një takim që ky i fundi pati me disa nga oficerët e Komponentës Rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët i kishin shkuar në zyrë për të kërkuar trajtim më të mirë.

    Pa u kursyer fare Konjufca i kishte quajtur si pjesë tepricë dhe pjesë e pavlerë e FSK-së, oficerët rezervë.

    Siç, dihet Konjufca edhe vet ka qenë pjesë e FSK-së që nga viti 2000. Mirëpo, Kosova ka mungesë të rezervistëve, ku tani për tani numëron rreth 230, e që duhet të ishin 800 të tillë.

    Ndërsa, me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, planifikohet që që shteti duhet të ketë mbi 20 mijë rezervistë vullnetarë.

    Rrëfimi i oficerit të FSK-së pas takimi me axhën e kryekuvendarit

    Bujar Hajraj, oficeri-kapiten në komponentin rezervë-aktivë të FSK-së nga rajoni i Skenderajt në një bisedë për Gazetën Insajderi ka treguar për takimin jomikpritës që iu bë nga këshilltari i ministrit Mehajt, Rabit Konjufca.

    Më 28 shkurt të këtij viti oficerë Hajraj së bashku me tre shok të tij (po ashtu oficerë), ishin nisur për të takuar ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehajn, për t’i shpalosur pakënaqësitë e tyre rreth periudhës së shërbimit të tyre dhe gjetjen e një zgjidhje.

    “Disa nga pikat e këtyre pakënaqësive kanë qenë, mosangazhimi i rregullt në shërbimin e tregu vjetor, mosangazhimi dhe mospërzgjedhja për pjesëmarrje në trajnime specialistikë, mosavancimi profesional, mospërmbushja dhe moskthimi i përgjigjeve në kërkesa të ndryshme (duke përfshirë por duke mos u kufizuar edhe në të drejtën ligjore për kërkim të kalimit në angazhim të plotë aktiv), diskriminimi sistematik në relacion me pjesëtarët e tjerë aktiv”, thuhet në ankesën e Hajrajt për Mehajna të cilën e ka Gazeta Insajderi.

    Kështu, Mehaj nuk kishte qëlluar në ministri dhe pritjen e oficer Hajrajt dhe tre shokëve të tij e kishin bërë këshilltarët politikë të ministrit, Rabit Konjufca dhe Sami Hajrullahu.

    Me të filluar takimi, oficeri Bujar Hajraj kishte filluar të shpalos brengat e kamotshme të rezervistëve të cilat kanë qenë mosangazhimi i rregullt në shërbimet e rregullta vjetore e deri tek diskriminimi në relacion me pjesëtarët e tjerë.

    Por, brengat e oficerit që për 11 vite i kishte shërbyer vendit nuk i kishin pëlqyer këshilltarit Konjufca, i cili kishte eskaluar menjëherë në ofendime ndaj oficerëve të komponentës rezervë.

    Sipas Hajrajt, gjatë gjithë takimi Konjufca kishte vazhduar bisedën me tone të larta dhe duke i vlerësuar gjithnjë si pjesë tepricë dhe të pavlerë të FSK-së.

    Madje, sipas oficerë-kapitenit Hajraj, Konjufca thoshte se nuk ekziston asnjë ligj në fuqi që garanton të drejtat si pjesëtar rezervë i FSK-së.

    “Pas parashtrimit të kërkesës për takim, ne jemi pritur nga dy këshilltarë te Ministrit, z. Rabit Konjufca dhe z. Sami Hajrullahu. Pas pranimit në zyrë dhe në çastin e shpalimit të brengave dhe kërkesave tona, ka pasur një eskalim të menjëhershëm nga ana e z. Rabit Konjufca, i cili “bisedën” e ka vazhduar me tone të ashpra dhe ofenduese, ende pa i dhënë mendimet tona se përse kemi kërkuar takimin në fjalë. Personi në fjalë, gjatë gjithë takimit na ka vlerësuar si pjesë tepricë dhe të pavlerë të FSK-së. Përveç kësaj, z. Konjufca vazhdimisht deklaronte se nuk ekziston asnjë ligj në fuqi i cili do të na garantonte ndonjë të drejtë si pjesëtar rezervë i FSK-së”, thuhet më tej në ankesë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kësisoji, oficerët e komponentës rezervë e kishin paralajmëruar Konjufcën se do t’i drejtohen insistucioneve përkatëse të drejtësisë lidhur me mostrajtimin e duhur dhe sjelljet ofenduese të tij.

    Por, fjalët e tyre i ishin dukur të turpshme dhe qesharake Konjufcës.

    “Kjo është qesharake dhe e turpshme me dërgu në Gjyq ministrin nga e cila paguheni”, kishte thënë Konjufca, citon Hajraj.

    “Duke marrë parasysh rrethanat e cekura më lart, z. Rabit Konjufca, përveçse ka pasur çasje nënçmuese dhe diskriminuese karshi nesh, ai po ashtu ka mohuar në mënyrë kategorike legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës, e cila është e papranueshme për një person që mbanë pozitën e tij. Këtu bëjnë pjesë edhe të drejta të cilat janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Madje paralajmërimet tona për drejtim në institucionet përkatëse të drejtësisë i ka quajtur të turpshme dhe qesharake”, thuhet në ankesë e oficerit drejtuar ministrit.

    Sjelljen e Konjufcës, oficerët e komponentës rezervë të FSK-së e kishin adresuar edhe tek ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

    Ata i kishin kërkuar ministrit që të marrë masa disiplinore ndaj këshilltarit të tij.

    Por, nga Ministri Mehaj, Hajraj thotë se ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

    ‘Zhurma’ e krijuar gjatë emërimit të Rabit Konjufcës në Ministrinë e Mbrojtjes

    Rabit Konjufca, xhaxhai i Glauk Konjufcës është punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes pa kaluar tri javë që kur Kurti ishte ulur në karrigen e shefit të Qeverisë.

    Një emërim i tillë nga ministri Armend Mehaj vjen edhe përkundër faktit se Albin Kurti dhe Vetëvendosje në vazhdimësinë e luftës për të ardhur pushtet dhe në fushatën para zgjedhjeve të 14 shkurtit kanë thënë se s’do të bëjnë punësime familjare, fjali kjo, e thënë si kritikë për partitë që kanë qeverisur me vendin.

    Ky punësim i xhaxhait të Konjufcës ka nxitur reagime të mëdha në opinionin publik, marrë parasysh se premtimet e Kurtit në fushatë kanë qenë të ndryshme me ato se çfarë po ndodh tash kur ai është në pushtet.

    Mirëpo, kjo nuk ishte hera e parë që Konjufca punonte në ministrinë e Mbrojtjes. Ai kishte shërbyer në Ministri dhe në FSK që nga viti 2000.

    “Unë kam punuar në ministri, kam punuar në FSK, prej vitit 2000, në të gjitha proceset kam qenë pjesëmarrës deri më tani, në zhvillimet e institucioneve tona të sigurisë”, kishte thënë Konjufca.

    E kontributin e tij në aspektin ushtarak dhe politik Konjufca e kishte quajtur briliante.

    “Në atë sistem kemi vuajtur, kemi qenë të diferencuar, e kemi pas mbiemrin Konjufcë kemi qenë të dënuar, të djegur politikisht, tani pas luftës edhe na kemi nevojë të jetojmë. Unë kam një karrierë brilante profesionale” kishte thënë Konjufca.

    Rabit Konjufca, kishte qenë kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të vitit 2013. /GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark