Inflacioni shumëvjeçar në Turqi është rritur në tetor për 25 për qind, sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot, gjë që është niveli më i lartë në 15 vitet e fundit dhe rezultat i ndikimeve aktuale të krizës valutore në ekonominë e gjerë, lajmëron Reuters.
Në raport me shtatorin, çmimet konsumuese në tetor janë rritur për 2,67 për qind, gjë që tregojnë të dhënat e Institutit turk të Statistikës.
Në rritje kaq të madhe të inflacionit në tetor kanë ndikuar rritjet çmimeve të veshmbathjes deri në 12,74 për qind në nivelin mujor dhe çmimet më të larta të banesave për 4,15 për qind, sipas treguesve statistikorë.
Lira turke ka reaguar mjaftë në raport me inflacionin, duke u dobësuar në 5,44 lira ndaj dollarit prej nivelit prej 5,43. Valuta turke kohë më parë është përmirësuar nga shitja e lirë të nisur me frikën e investitorëve sa i përket pavarësisë së bankës qendrore dhe kontestit në mes të Uashingtonit dhe Ankarasë për shkak të arrestimit të klerikut amerikan Andrew Branson në Turqi.
Muajin e kaluar, Banka Qendrore e Turqisë e ka mbajtur shkallën e saj referente të kamatës në nivelin e pandryshuar, pas rritjes së ashpër në shtator, dhe me rastin e zbutjes së tensioneve me SHBA pas lirimit të klerikut Branson.
Ndikimi i rënies së ashpër të lirës, edhe më tutje po ndihet në ekonomi, duke marrë parasysh se indikatorët kyçë, siç është besimi i konsumatorëve dhe ai ekonomik, kanë rënë në nivelin më të ulët dhe se qeveria i ka ulur parashikimet e rritjes për tre vitet e ardhshme.
Çmimet e prodhimit janë rritur për 0,91 për qind në tetor në nivelin mujor, derisa në nivelin vjetor kanë kërcyer në 45,01 për qind, transmeton agjencia britanike Reuters./Insajderi.com.