Komuna e Preshevës, sipas matjeve të fundit, përbëhet në shumicë prej kombësisë shqiptare – 95 për qind. Megjithatë, mundësitë për punë për këtë 95 për qindësh të shqiptarëve po janë të kufizuara. Këtë e dëshmon një konkurs së fundmi në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, në të cilin janë punësuar tetë serbë e nëntë shqiptarë. Shumica prej komunitetit serb nuk janë banorë të Preshevës, ani pse konkursi do të duhej t’u jepte përparësi rezidentëve të kësaj komune.
Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë këtë konkurs , ku kërkoheshin mjekë, punëtorë teknik, motra medicinale dhe shoferë të ambulancës.
Në katër pozitat për mjekë të përgjithshëm në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, në dy nga to u punësuan kandidate të nacionalitetit serb.
Edhe në gjashtë pozita për motra medicinale, në tri nga to zunë vend tri kandidate të nacionalitetit serb.
Pozita e shoferit të ambulancës së Shtëpisë së Shëndetit iu është garantuar po ashtu një serbi.
Kandidatë të nacionalitetit shqiptar janë ankuar në kushte anonimiteti për mënyrën e përzgjedhjes nëpër pozitat respektive nga ky konkurs.
Për këtë, përpara disa javësh Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, Boban Sasiq, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.
Lidhur me konkursin, ka reaguar edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, i cili ka thënë se pjesa më e madhe e serbëve të punësuar nuk jetojnë në Preshevë.
“Nga përgjigja kuptova se në konkursin e fundit, në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë (në qytetin mbi 95% shqiptarë) janë punësuar 8 serbë dhe 9 shqiptarë. Pjesa më e madhe e serbëve të punësuar nuk jetojnë në Preshevë”, ka thënë ai.
Lutfiu ka bërë të ditur se për këtë i ka dërguar shkresë ambasadorit të OSBE-së në Beograd, Jan Brathu dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. /Insajderi.org/