Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Mitrovicës ka vazhduar edhe sot aksionin e inspektimit në objektet banesore që po ndërtohen, duke kontrolluar nëse kompanitë po i përmbahen lejeve ndërtimore.
Në kuadër të këtij aksioni, sot janë ndaluar punimet për kompaninë “Afri Univerzal”, pasi është konstatuar se kjo kompani nuk po i përmbahet lejes ndërtimore në një objekt banesor që po ndërtohet në lagjen Ilirida (ish Tavnik) në Mitrovicë.
“Ka vazhduar aksioni nga Drejtoria e Inspekcionit për vendosjen e shiritave që ndalojnë punimet, për shkak se ato janë zhvilluar pa iu përmbajtur lejes ndërtimore. Aksioni ka filluar dje për të vazhduar sot në 3 objekte të tjera. Drejtoria e Inspekcionit do të vazhdojë me veprime të njëjta për të gjitha rastet që do të evidentohen në lidhje me mosrespektimin e lejes ndërtimore dhe aksioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, siç ka paralajmëruar drejtori, Mujë Igrishta”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.
Kompania “Afri Univerzal”, me pronar Shaqir Osmanaj, ishte bërë e njohur në vitin 2024, pasi në media ishte raportuar se drejtori menaxhues (vëllai i pronarit) ishte thirrur të dëshmojë nga Prokuroria Speciale në rastin e hetimeve ndaj Milan Radojiçiqit, për shkak se gjatë hetimeve ishte konstatuar se kjo kompani kishte bërë vendosjen e dritareve në vilën e Milan Radojiçiq, e cila ishte ndërtuar kundërligjshëm pranë Liqenit të Ujmanit.