Drejtoria e Inspektoratit në Prishtinë ka marrë një vendim të ri në fushën e ndërtimit, duke ndaluar vënien në përdorim të çdo objekti që nuk ka kaluar Inspektimin Final dhe nuk është pajisur me Certifikatën e Përdorimit.
Vendimi vlen për objektet individuale dhe kolektive të banimit, objektet banesore-afariste, objektet afariste, industriale, publike, si dhe për çdo objekt tjetër që bën pjesë në kategorinë e parë dhe të dytë sipas Ligjit për Ndërtim dhe që është në kompetencë të Inspektoratit për Ndërtim të Kryeqytetit.
Në njoftimin e Drejtorisë së Inspektoratit thuhet se ky vendim është marrë me qëllim të mbrojtjes së jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve, si dhe për të siguruar zbatimin e legjislacionit në fuqi në fushën e ndërtimit.
“ASNJË OBJEKT NUK MUND TË VIHET NË PËRDORIM PA INSPEKTIM FINAL DHE CERTIFIKATË TË PËRDORIMIT”, theksohet në njoftim.
Sipas Inspektoratit, në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-110 për Ndërtim, përdorimi i një objekti lejohet vetëm pasi organi kompetent të ketë kryer Inspektimin Final dhe të ketë lëshuar Certifikatën e Përdorimit. Kjo certifikatë dëshmon se objekti është ndërtuar në përputhje me lejen ndërtimore, projektin e miratuar, standardet teknike dhe kërkesat e sigurisë.
Njoftim për investitorët
Drejtoria e Inspektoratit ka bërë të ditur se, para përfundimit të punimeve ndërtimore, investitorët do të njoftohen individualisht përmes një Urdhërese Inspektuese, me të cilën do të obligohen:
të mos e vënë objektin në përdorim;
të mos ua dorëzojnë banesat, lokalet apo hapësirat shfrytëzuesve;
të mos fillojnë ushtrimin e aktivitetit ekonomik;
të mos lejojnë vendosjen e banorëve apo përdoruesve,
derisa të përfundojë procedura e Inspektimit Final dhe të lëshohet Certifikata e Përdorimit.
Sipas njoftimit, çdo veprim në kundërshtim me këtë urdhëresë do të konsiderohet shkelje e vetëdijshme e detyrimeve ligjore dhe do të merret parasysh gjatë procedurave inspektuese.
Thirrje për blerësit dhe qytetarët
Drejtoria e Inspektoratit u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos pranojnë në dorëzim banesa, lokale afariste apo objekte të tjera dhe të mos fillojnë përdorimin e tyre pa Certifikatën e Përdorimit.
Sipas Inspektoratit, pranimi i një objekti pa këtë certifikatë nënkupton se ai ende nuk është verifikuar zyrtarisht nëse i plotëson kushtet ligjore dhe teknike për përdorim të sigurt.
Masat që do të ndërmerren
Në rast se konstatohet se një objekt është vënë në përdorim në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, Drejtoria e Inspektoratit paralajmëron se do të ndërmarrë të gjitha masat e parapara me ligj, duke përfshirë:
urdhërimin për ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të objektit;
urdhërimin për lirimin e objektit deri në pajisjen me Certifikatë të Përdorimit;
shqiptimin e gjobave administrative ndaj personave përgjegjës;
inicimin e procedurave të tjera administrative dhe ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi;
ekzekutimin e masave inspektuese në rast të mosrespektimit të urdhrave të Inspektoratit.
Në fund të njoftimit, Drejtoria e Inspektoratit thekson se Inspektimi Final dhe Certifikata e Përdorimit nuk janë formalitete administrative, por mekanizma ligjorë që garantojnë se objekti mund të përdoret pa rrezikuar jetën, shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.
“Për këtë arsye, Drejtoria e Inspektoratit nuk do të tolerojë vënien në përdorim të asnjë objekti në kundërshtim me kërkesat ligjore. Ftojmë të gjithë investitorët dhe qytetarët që t’i respektojnë këto detyrime ligjore dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi ndërtimor të sigurt dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në njoftim.