Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në katër objekte ndërtimi në Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan, pas konstatimit të parregullsive në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, gjatë kontrolleve në terren janë evidentuar mangësi në masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së punëtorëve. Për këtë arsye, janë nxjerrë vendime për ndalimin e punimeve deri në eliminimin e parregullsive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.
Insajderi ka mësuar edhe emrat e bizneseve dhe subjekteve të përfshira në këto vendime.
Në Ferizaj, ndalimi i punimeve ka të bëjë me personin fizik Qani Thaqi, nga Hani i Elezit.
Në Gjilan, punimet janë ndaluar në një objekt ku është e përfshirë kompania “Dini Ing” SH.P.K.
Ndërkaq, në Gjakovë, ku janë evidentuar dy raste, bëhet fjalë për këto subjekte:
“Ahmeti Construction” SH.P.K., investitor, ndërsa punëkryes është “Fisniku” SH.P.K.
Alberton Gashi, person fizik dhe investitor, ndërsa punëkryes është “Adioni Group” SH.P.K.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se ndalimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe përmbushjen e kërkesave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Institucioni ka paralajmëruar se do të vazhdojë kontrollet në terren dhe do të ndërmarrë masa ndaj subjekteve që nuk i respektojnë detyrimet ligjore.
Po ashtu, Inspektorati u ka bërë thirrje punëdhënësve që t’i zbatojnë standardet e sigurisë në vendet e punës, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të punëtorëve.