
Me ngritjen e temperaturave janë intensifikuar edhe punimet në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit.
“Në gjithë gjatësinë e autostradës, deri në kufi më Maqedoninë, po punohet. Të gjitha departamentet janë në punë. Sigurisht që në sezonin e verës rritet edhe aktiviteti ndërtimor. Objektivat tona janë që të punohet në të gjithë gjatësinë, në mënyrë që të kapim afatet tona”, ka thënë Ela Ruçi, zëdhënese për kompaninë Bechtel Enka që po i kryen punimet.
Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës konfimrojnë se ecuria e punëve për autostradën Arbën Xhaferi po zhvillohet sipas planit të paraparë.
“Projekti është duke u realizuar sipas planit dinamik dhe sipas projektit zbatues. Deri më tani nuk kemi pasur vonesa, është duke u punuar nga kyçja në Lipjan deri në kyçjen në Babush, dhe vazhdimi për pjesën Ferizaj dhe Doganaj ku ka përfunduar procesi i shpronësimit”, ka thënë Ramë Çupeva nga Ministria e Infrastrukturës, njofton Evropa e Lirë.
Realizimi i këtij projekti ka filluar në vitin 2014, kurse punët sipas planit duhet të përfundojnë në fillim të vitit 2018. Por, kjo varet edhe nga mundësitë buxhetore, thotë Çupeva.
Ky projekt buxhetit të Kosovës i kushton rreth 600 milionë euro./Insajderi.com