Interi ka mposhtur Milanin në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Italisë me shifrat 3-0 dhe është kualifikuar në finale dhe pret të mësojë nëse do të ndeshet me Juventusin apo Fiorentinën për trofeun.
Zikaltrit e donin këtë finale dhe e zhbllokuan ndeshjen me një gol fantastik të shënuar nga Lautaro Martinez që në minutën e katërt. Milani më pas u mundua të reagonte dhe rrezikoi me Leao, Calabria dhe Tonali, ndërkohë që Perisic i shpëtoi kampionët në fuqi në një moment tjetër.
Për të qetësuar Interin mendoi Lautaro Martinez, i cili shënoi golin e dytë dhe e çoi Interin në pushim të ndeshjes në avantazhin e dy golave. VAR i hoqi një gol fantastik Milanit, shënuar nga Bennacer.
Ndeshja mund të ishte hapur me atë gol. Ndërkohë që Interi nga ana tjetër donte t’i mbyllte llogaritë sa më shpejt. Gosens shënoi edhe golin e tretë dhe skuadra e Simone Inzaghi festoi kualifikimin në finalen e Kupës së Italisë. Milani tani duhet të fokusohet te kampionati.