×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Intervistë me Radoje Stefanoviq: Serbia do të ketë liderë të rinj, të gatshëm për të kërkuar falje për krimet në Kosovë

    Insajderi
    08 February 2023 - 11:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Me të përfunduar Seanca e 8-të plenare e famshme e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, Radoje Stefanoviq u largua nga Lidhja e Komunistëve dhe nuk morri pjesë në egërsitë dhe euforitë nacionaliste serbe.

    Xhezair Dashi

    Avokati dhe ekonomisti Stefanoviq ishte pjesë e njerëzve që pësuan disfatë nga rrymat ultra-nacionaliste të Slobodan Millosheviq, më vonë i njohur si “Kasapi i Ballkanit”. Ai vullnetarisht iu bashkua forcave të mundura.

    Seanca e 8-të plenare e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë

    Stefanoviq mirëmbajti lidhjet dhe afritë me të gjithë miqtë e tij në ish-vendet e Jugosllavisë, dhe nuk morri pjesë në asnjë nga ndërmarrjet kriminale ndaj shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve gjatë viteve të 90’ta.

    Para mëse një jave, ai shkroi një “letër të hapur” drejtuar Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku këshilloi dhe sugjeroi që ky i fundit të kontribuojë në “esëllimin e votuesve” të tij në lidhje me ripajtimin me shqiptarët si dhe arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Pikat e sugjeruara nga Radoje Stefanoviq për Aleksandar Vuçiq, kanë të bëjnë në rend të parë me “shpërfaqjen e vërtetë” të krimeve të kryera nga shteti serb mbi popullatën shqiptare në Kosovë, qysh prej heqjes së autonomisë së 89’ës e deri te kapitullimi final i nënshkruar në Marrëveshjen e Kumanovës.

    Insajderi ka biseduar me Radoje Stefanoviq për të marrë një vlerësim në lidhje me letrën e tij si dhe mundësinë që sugjerimet e tij të gjejnë mbështetje politike në strukturat udhëheqëse serbe.

    “Qytetarët e Serbisë vazhdimisht kanë qenë të privuar nga informacionet e vërteta në lidhje me situatën në Kosovë”, thotë fillimisht Stefanoviq, derisa rikutjon se propaganda zyrtare asokohe lëshonte vetëm informacion të pjesshëm që kishte të bënte me serbët e Kosovës.

    Të qenit të vetëdijshëm për të vërtetën e plotë se çfarë po ngjante atëbotë, Stefanoviq thotë se “e domosdoshme” për ripajtimin e dy popujve.

    “Ky është motivi i angazhimit tim publik, përfshirë edhe letrën e fundit drejtuar presidentit aktual serb, por që efektivisht kishte për qëllim lexuesin e gazetës Danas. Isha i lumtur të kuptoj se një numër njerëzisht reaguan pozitivisht. Mendoj se ishte një kontribut i vogël por megjithatë i rëndësishëm drejt ripajtimit”, na tha juristi serb.

    Aleksandar Vuçiq është përgjegjësi kryesor në mirëmbajtjen e “dehjes” së qytetarëve serbë karshi Kosovës, vlerëson ai.

    Radoje Stefanoviq, beson se “katarsisi” është i mundshëm “kur një pjesë e mjaftueshme është në dijeni të së vërtetës” derisa shprehet edhe optimist se në të ardhmen jo të largët “Serbia do të ketë liderë të gatshëm për kërkimfalje ndaj krimeve të kryera në Kosovë”.

    Intervista me Radoje Stefanoviq:

    Insajderi: Kohëve të fundit ju keni botuar një letër të hapur adresuar Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku keni bërë disa sugjerime të rëndësishme rreth asaj se si do të duhej të niste ripajtimi i shumëkërkuar mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve. Para se të dalim aty, dua t’ju pyes se a ka të tjerë në Serbi që kanë kaq pikëpamje të çiluzionuara rreth asaj çfarë ndodhi në të 90’at në Kosovë dhe a kanë ndikim në publikun serb?

    Radoje Stefanoviq: Qytetarët e Serbisë vazhdimisht kanë qenë të deprivuar nga informacioni i vërtetë rreth situatës në Kosovë. Propaganda zyrtare lejonte vetëm informacion të pjesshëm në lidhje me presionet dhe krimeve ndaj serbëve të Kosovës, pronave të tyre, kishat dhe varrezat. Vetëdija rreth të vërtetës në tërësi është e domosdoshme për ripajtim dhe kërkon përpjekje dhe kohë. Ky është motivi i angazhimit tim publik përfshirë edhe letrën e fundit të hapur drejtuar Presidentit aktual të Serbisë, por që efektivisht synohej për lexuesit e Danas. Isha i lumtur të kuptoj që ishte një kontribut i vogël por i rëndësishëm drejt ripajtimit.

    Insajderi: Referuar planit franko-gjerman si kornizë e re për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, ju keni folur edhe për rëndësinë e informimit të publikut serb rreth ngjarjeve që i paraprinë planit. A besoni se elita politike serbe është e gatshme të jep të vërteta të tilla te publiku?

    Radoje Stefanoviq: Nëse pyetja juaj i referohet pjesës së elitës politike të cilët marrin pjesë në autoritet shtetëror dhe partive politike të orientuara nga e djathta, përgjigja ime është negative. Sidoqoftë, një pjesë vazhdimisht në rritje e elitës politike në Serbisë me ngadalë po i afrohet të vërtetës dhe gjithnjë e më shumë po bëhet më e gatshme të ndajë njohuritë me publikun. Ia vlen që ky proces të mbështetet dhe përshpejtohet.

    Insajderi: Si është Aleksandar Vuçiq “përgjegjës për dehjen politike” të qytetarëve serbë në lidhje me pranimin/njohjenb e realitetit, që është Kosova, e çliruar nga çfarëdo pretendimi serb?

    Radoje Stefanoviq: Besoj fuqishëm se zoti Vuçiq është në dijeni të krejt situatës në Kosovë, përfshirë edhe ngjarjet në periudhat 1989-1999, si dhe realitetin aktual. Ai është më së shumti përgjegjës që i mban qytetarët serbë në një lloj dehje që të sigurojë mbështetje për politikat e tij.

    Insajderi: Ju keni kërkuar që një libër “Serbia dhe Shqipëria” të botohet në sasi të mëdha. Çfarë është rëndësia e këtij libri dhe çfarë ndryshimi mendoni se do të sillte?

    Radoje Stefanoviq:  Librat me titujt “Serbia dhe Shqipëria” dhe “E qeshura nën varje” përmbajnë shumë detaje që kanë të bëjnë me terrorin e policëve dhe ushtarëve serbë ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1912 – 1914 dhe 1989 – 1999. Këta libra tronditës janë vepra të ndershme/sinqerta të dy serbëve – Dimtrije Tucoviq dhe Rade Radovanoviç. Meqenëse nacionalistët serbë nuk kanë argumente për të mohuar të vërtetën, zgjidhja e tyre është fshehja e librave të përmendur veçmas nga publiku. Nuk besoj se zoti Vuçiq do ta pranojë rekomandimin tim për shtypjen e këtyre librave në numër të madh dhe vënien në dispozicion të tyre, por pres që letra ime e hapur të shkaktojë kuriozitet dhe t’i nxisë njerëzit të gjejnë këto libra të ndaluar dhe t’i lexojnë ato. Jam i sigurt se shumë njerëz që kanë mundësi ta bëjnë këtë do të bëhen luftëtarë për pajtimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

    Insajderi: Ju jeni shprehur se Presidenti i Serbisë duhet të ndalojë që në performancat  tij publike të thotë se Republika e Kosovës “është fëmijë i Perëndimit” dhe të thotë që “ajo u ngrit si pasojë e rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare”. Në anën tjetër, liderët shtetëror serbë mohojnë madje edhe Masakrën e Reçakut. Si mund të ndodh një katarsis, duke ditur investimin madhor që shteti serb bën në mohimin e këtyre ngjarjeve?

    Radoje Stefanoviq: Katarsisi do të jetë i mundur kur një pjesë e mjaftueshme e popullsisë bëhet e vetëdijshme për të vërtetën. Ia vlen të luftosh për këtë qëllim. Është shumë e rëndësishme që lufta për të vërtetën dhe pajtimin të bëhet njëkohësisht në Serbi kundër nacionalistëve serbë dhe në Kosovë kundër nacionalistëve shqiptarë. Kjo do të thotë se shumica serbe në Serbi duhet të mbrojë pakicën shqiptare, ndërsa shumica shqiptare në Kosovë të bëjë të njëjtën gjë ndaj pakicës serbe.

    Insajderi: Ju përmendët përkuljen historike të kancelarit gjerman Willy Brant ndaj viktimave të fashizmin në Varshavë. A mundet Serbia, me këta liderë, ndonjëherë të bëjë këtë gjest historik të kërkimfaljes për krimet e kryera në Kosovë?

    Radoje Stefanoviq: Të jem i sinqertë, nuk besoj se liderët aktualë serbë janë në gjendje të kërkojnë falje për krimet serbe në Kosovë. Por unë besoj fuqimisht se në të ardhmen, shpresojmë jo të largët, Serbia do të ketë liderë të rinj në gjendje ta bëjnë këtë./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark